Arsimi

Dokumenti i plotë në: Arsimi.pdf

Ku ishim:

Sistem arsimor në kolaps me 35 milionë dollarë borxhe. Mbi 4 mijë mësues pa arsimin përkatës ose jashtë profilit të tyre. 177 mijë nxënës pa mësues me arsimin përkatës ose në profilin e tyre. 60% analfabetizëm funksional. 600 shkolla të rrezikuara nga shëmbjet. 18 universitete private dhe universitete publike, jashtë kuadrit ligjor të Republikës së Shqipërisë.

Ku jemi sot:

U krye reforma e arsimit të lartë. Reforma u mundësua falë ndërveprimit mes ministrisë së arsimit dhe sporteve, një komisioni ekspertësh të pavarur dhe trupës së pedagogëve e studentëve, në një proces transparent dhe gjithëpërfshirës debati të hapur. Ka nisur procesi i akreditimit dhe renditjes së universiteteve mbi bazën e rezultateve dhe cilësisë së mësimëdhënies. U pastrua sistemi i arsimit të lartë nga produktet e paligjshme, duke mbyllur 18 universitete private, 1 universitet publik dhe 16 filiale publike që funksiononin jashtë kuadrit ligjor.

U pastrua sistemi parauniversitar nga mbi 4 mijë mësues pa arsimin përkatës, ose jashtë profilit.

Portali “Mësues për Shqipërinë” siguron rekrutimin e mësuesve me transparencë dhe mbi bazën e meritës, duke eleminuar korrupsionin dhe klientelizmin politik shumëvjeçar.

U çliruan 480 mijë nxënës nga politika pengmarrëse e altertekstit. U pastruan nga kurrikula shkollore 600 tekste jashtë standardit. U çel me 74 mijë nxënësit e parë, epoka e teksteve të standardeve me të larta të Bashkimit Europian, si “Oxford”, “Pearson” dhe “Cambridge”. Në harkun e tre viteve, të gjithë nxënësit do të bëhen pjesë e kësaj reforme.

13,500 fëmijë më shumë përfitojnë tekste falas. Tekste falas për 7,400 familje me më shumë se tre fëmijë.

U investuan 3.5 milionë dollarë dhe u ndërtuan 120 klasa inteligjente, ku përfitojnë drejtpërdrejtë 45,750 gjimnazistë dhe 2,245 mësues.

U ndërtuan 18 shkolla të reja; u rindërtuan 44 shkolla; u ndërtuan 44 mjedise sportive bashkëkohore në shkollat qendër komunitare.

Programi “Shkollat Qendër Komunitare” vazhdon të mundësojë në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm për nxënësit jashtë orarit të mësimit por edhe për komunitetin, një hapësirë cilësore të jetës sociale.

Buxhetit të arsimit iu shtuan 10 milionë dollarë, falë 28 projekteve fituese në aplikimet konkurruese pranë institucioneve ndërkombëtare.

734 shkolla dhe 1,403 mësues u bënë pjesë e rrjetit europian e-twinning. 129 studentë kanë çelur rrugën e shkëmbimeve universitare në nivel europian.

Në dy vjet u investuan 25 milionë dollarë për sportin. Më shumë se 23 vite të shkuara të marra së bashku. “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” në Shkodër dhe Parku Olimpik në Tiranë do të pasohen në 2016-ën nga projekti i Arenës Kombëtare të Tiranës.