Anastas Angjeli

Prof.Dr.Anastas Angjeli lindi më 6 maj të vitit 1956 në qytetin e Sarandës. Z.Angjeli mban disa tituj dhe grada shkencore në fushën e financave publike, si doktor, docent, profesor, akademik dhe Doctor Honoris Causa i “Business University in Instambul” Turqi. Pas përfundimit të studimeve të larta në vitin 1980 në Universitetin e Tiranës, Fakulteti I Ekonomisë dega Financë, Prof.Angjeli emërohet pedagog i financave publike në po këtë fakultet, pozicion të cilin e mbajti deri në vitin 1998. Gjatë kësaj periudhe e deri në vitin 2005, Z.Angjeli ka ushtruar disa funksione të larta shtetërore dhe qeveritare, si zv.Ministër i Financave, Ministër i Financave, Ministër i Çështjeve Sociale dhe Ministër i Ekonomisë në qeveritë e drejtuara nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Prof.Angjeli ka dhënë kontributin e tij jo vetëm si lektor apo ministër në disa kabinete qeveritare por kudo ku ka pasur nevojë për eksperiencën, profesionalizmin dhe kualifikimin e tij deri në drejtimin e institucioneve ndërkombëtare. Në periudhën 1990-1991, Z.Angjeli ka qenë Këshilltar i Kryeministrit në një grup prej 4 profesorësh për përgatitjen e tranzicionit ekonomik, nga ekonomia e centralizuar drejt ekonomisë së tregut. Në 1997-1998 ishte anëtar i Asamblesë Kombëtare për përgatitjen e Kushtetutës së Shqipërisë. Në periudhën Mars 2004-Mars 2005 Zv.Guvernator i BERZH-it, Londër. Në dhjetor të viti 2005 zgjidhet Kryetar i Bordit të Institutit Shqiptar për Reforma dhe Zhvillim. Prof.Dr.Anastas Angjeli është i zgjedhur deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë në pesë legjislatura dhe anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.