Anila Agalliu

Anila Agalliu u lind më datë 22 Mars 1976, në Berat. Ka përfunduar studimet Master në profilin “E drejtë Publike dhe Administrative”, në Universitetin e Beratit. Është diplomuar në Shkenca Juridike, në po të njëjtin Universitet. Ka kryer studime të nivelit pasuniversitar në profilin “Menaxhim i burimeve njerëzore”, “Menaxhim projektesh” dhe është diplomuar në degën Gjuhë-Letërsi, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.

Për afro 15 vjet ka punuar si mësuese në qytetin e Beratit, kohë përgjatë së cilës është angazhuar edhe në politikë. Në vitin 2008 ka qenë Kryetare e Forumit të Gruas Socialiste në Berat e më tej, në tetor të vitit 2011, është zgjedhur delegate e Kongresit të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në vitin 2011 është zgjedhur Kryetare e Komisionit për Arsimin në Këshillin Bashkiak të Beratit. Znj. Agalliu që prej vitit 2014 është deputete e Kuvendit të Shqipërisë për Qarkun e Beratit.

Ka marrë pjesë në shumë programe dhe trajnime të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, me fokus: zhvillimi i liderëve të rinj në politikë, rritja e pjesëmarrjes së gruas në politikë e vendimmarrje, etj.