Fatmir Toçi

Fatmir Toçi ka lindur në Tiranë, më 24 prill 1958. Studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik. Gjithashtu ka kryer studimet në Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë – Letërsi.

Veprimtaria profesionale e tij është mjaft e pasur. Në vitet 1977-1979 ka punuar në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan. Nga vitit 1992 deri në vitin 2009 ka qenë president dhe Drejtor i Përgjithshëm i Shtëpisë Botuese “Toena”. Ka qenë kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë si edhe kryetar i Lidhjes së Botuesve Shqiptarë.

Ka marrë mjaft vlerësime si: “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës” në vitin 2003, “Mirënjohja e Qytetit të Ulqinit” në vitin 2006. Në vitin 2007 ka marrë urdhrin “Naim Frashëri” i Artë nga presidenti i atëhershëm.

Zoti Toçi është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në dy legjislatura dhe është anëtar në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Ka kryer botime si: “Gjuha italiane pa mësues”, Fjalor “Italisht – Shqip”.