Gentian Bejko

Gentian Bejko lindi në 9 shtator 1973. Ka kryer studimet e larta në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakulteti Gjeologji Miniera, dega Inxhinieri Nafte. Gjithashtu ka kryer studimet në Universitetin e Erasmusit në Roterdam në Institutin për Studime në Strehim dhe Zhvillim Urban.

Në karrierën profesionale nga viti 1999 deri në vitin 2002 ka qenë oficer sigurimesh në INSIG, dega Durrës. Nga viti 2003 deri në vitin 2005 ka qenë inxhinier për kontrollin e zhvillimit të territorit në qarkun Durrës, pranë Inspektoratit të Ndërtimit dega Durrës, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Në vitet 2005-2008 ka ushtruar funksionin e sipërmarrësit dhe administratorit privat.

Nga viti 2010 e në vazhdim është kryetar i Partisë Socialiste për rrethin e Durrësit.

Zoti Bejko është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në vitin 2013 dhe është anëtar në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.