Klodiana Spahiu

Klodiana Spahiu lindi më 22 maj 1976 në Durrës. Ka studiuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, dega mjeke e përgjithshme. Më pas në vitin 1998-2002 është specializuar në fushën e kardiologjisë, në po të njëjtin departament pranë Q. S. U. T “ Nënë Tereza” në Tiranë. Ka një sërë specializimesh ndër vite, si në fushën e kardiologjisë joinvazive. (Ekokardiografi, PU-EKG, Eko-doppler e karotideve), pranë Universitetit Katolik: “Sacro Cuore”, Facolta di Medicina e Chirurgia Agostino Gemeli, Romë, Itali. Në 2003-2004 studioi në Shkollën pas Universitare SH.P.U, pranë Fakultetit të Mjekësisë, departamenti i Lëndëve Paraklinike. Tetor 2005-Dhjetor 2005 ka kryer specializim në fushën e kardiologjisë invazive: kateterizimi i zemrës dhe koronarografinë e zemrës, pranë Spitalit “Santa Chiara”, Pisa, Itali.

Ka ushtruar profesionin e mjekut në klinikën e parë të kardiologjisë në Q.S.U.T. “Nënë Tereza”. Po ashtu ka punuar si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në spitalin e Durrësit. Më pas është zgjedhur dhe drejtoreshë e këtij spitali.

Karriera e saj i është dedikuar edhe fushës së pedagogjisë. Në vitin 2002-2003 ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike, Universiteti i Tiranës. Viti 2006: Pedagoge e Jashtme në Lëndën e Fiziologjisë në Universitetin Privat “UFO”, Tiranë. Viti 2008 dhe në vazhdim, Docente në praktikat e Kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, Tiranë.

Klodiana Spahiu është zgjedhur në dy legjislatura deputete e Partisë Socialiste dhe është anëtare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.