Luljeta Arapi

Znj. Luljeta Arapi ka lindur në Elbasan, më 13 Janar 1954. Znj. Arapi është ekonomiste, ka mbaruar Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, në vitin 1979. Ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, “Mbi Ekonominë e Industrisë”, në vitin 1981.

Znj. Luljeta Arapi ka hyrë në politikë në vitin 1992, si anëtare e Partisë Socialiste. Nga viti 1997, ajo ka qenë anëtare e Komitetit Drejtues, Qarku Elbasan. Për periudhën 2001-2007, ajo ka qenë anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste Elbasan. Ka mbajtur titullin e Kryetares së Këshillit Drejtues Partisë Socialiste Elbasan, për periudhën 2001-2005.

Përgjatë viteve 2000 – 2007, ajo ka qenë këshilltare në Këshillin Bashkiak Elbasan, e grupit socialist. Që prej vitit 2007 e në vijim, Znj. Arapi është Kryetare e Partisë Socialiste, Bashkisë Elbasan. Gjithashtu është anëtare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Në vitin 2014 Znj. Luljeta Arapi u zgjodh për herë të parë deputete e Partisë Socialiste në legjislaturën VIII të Kuvendit të Shqipërisë. Ajo është trajnuar në fusha të ndryshme si ato të sigurimeve shoqërore, trajnim për ndërmarrjet të vogla e të mesme, barazisë gjinore, gratë në politikë, lidership, etj.

Ka shërbyer si Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Elbasan, gjatë periudhës 1998-2006 duke kryer një sërë detyrash që lidheshin me përmirësimin e politikave mbi sigurimet shoqërore dhe të cilësisë së shërbimit për të gjithë pensionistët.

Ajo ka në përvojë të gjerë në pushtetin vendor, ku ka kontribuar si Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve Organizative, për periudhën 2007-2013.