Pandeli Majko

Pandeli Majko lindi më 15 nëntor 1967 në Tiranë. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Tiranës në vitet 1986-1992. Gjithashtu ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në vitet 1994-2000.

Zoti Majko ka një karrierë të pasur politike. Karriera e Pandeli Majkos do të niste me Kryetar FRESSH në vitet 1992-1995. Ka mbajtur dy herë postin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Po ashtu dhe postin e Ministrit të Mbrojtjes e ka mbajtur dy herë në qeveritë socialiste. Karriera e tij politike do të kulmonte në vitet 1998-1999 ku do të merrte postin e Kryeministrit në Qeverinë e Shqipërisë. Po këtë post, atë të kryeministrit, e ka mbajtur për 8 muaj edhe në vitin 2002. Ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për hartimin e Kushtetutës shqiptare në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 1997 – 1998.

Sot është Kryetar i Delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në pesë legjislatura dhe është anëtar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.