Piro Lutaj

Piro Lutaj lindi në Fier, më 27 gusht 1959. Ka mbaruar Akademinë “Skënderbej” në Tiranë. Gjithashtu ka kryer kurs kualifikimi në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Po ashtu ka mbaruar Akademinë e Lartë të Policisë në Tiranë si edhe ka kryer trajnim në Akademinë e Policisë në Alabama të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2004 ka kryer studimet në Universitetin e Shkodrës, Fakulteti i Drejtësisë. Ka kryer një sërë trajnimesh në shtetet si: Austri, Sllovaki, Angli, SHBA etj.

Veprimtaria profesionale e tij fillon në vitin 1983 si Komandant Toge i Divizionit Ushtarak, Pukë. Nga viti 1997 deri në vitin 1999 ka mbajtur postin si Drejtor i Drejtorisë së Policisë Ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes. Ka punuar në Akademinë e Mbrojtjes në vitet 1999-2001.

Nga viti 2001 deri në vitin 2005 ka qenë Drejtor i Policisë së Burgjeve.

Zoti Lutaj është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në tre legjislatura dhe është sekretar në Komisionin për Sigurinë Kombëtare.