Shkëlqim Cani

Z. Shkëlqim Cani është lindur më 6 Maj 1956, në qytetin e Tiranës.

Z. Cani, që nga vitit 2003, mban titullin "Profesor". Ne vitin 1991 fitoi gradën shkencore "Doktor në Ekonomi", Universiteti i Tiranës, për studime të specializuara në fushën bankare. Në periudhën (1981-1983) ka përfunduar Kursin e Plotë Pasuniversitar të Tregtisë Ndërkombëtare pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Studimet universitare i përfundoi në vitin 1980, në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, dega Financë.

Karriera e tij politike fillon në vitin 1991 si Zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave. Deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në Legjislaturën XII (1991- 1992) dhe në Legjislaturën XIII (1992-1996), ku ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financës. U zgjodh deputet në Legjislaturën e XV në vitin 1997, ku ka qenë anëtar i Komisionit të Lartë Parlamentar të Ekonomisë, Financës dhe Privatizimit, por që e dorëzoi mandatin për shkak të emërimit Guvernator i Bankës së Shqipërisë (1997-2004), ku për këtë periudhë, ka mbajtur edhe detyrën e Guvernatorit të FMN-së dhe MIGA-s për Shqipërinë. U zgjodh deputet ne Legjislaturën e XIX në vitin 2013.

Z. Cani ka kryer detyra të rëndësishme shtetërore, si: Anëtar i Komisionit Ndërministror të Politikave Ekonomike (1998-2004); Anëtar i Klubit të Guvernatorëve të Bankave Qendrore të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe të Ballkanit dhe Zëvendëskryetar i këtij Klubi; Zëvendëskryetar i Komitetit Qeveritar të Borxhit të Jashtëm (1997-2004); Kryetar i Bordit të Bursës së Tiranës (1997-2002); Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Lion's Club (1994-1997) Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Tregtare të Shqipërisë (1990-1991); Drejtor i Departamentit të Jashtëm dhe Anëtar i Bordit i Bankës së Shtetit Shqiptar (1985-1990).