Postuar më: 08/11/2011
Propozimi më i fundit i Partisë Socialiste në Parlament, për bërjen 0% të Tatimit të Vlerës së Shtuar për disa mallra bazë si buka, veza, qumështi dhe ilaçet, është kundërshtuar me forcë nga qeveria, sipas së cilës ky sistem favorizon të pasurit. Duke theksuar edhe njëherë se vendi e qytetarët gjenden në një krizë të thellë ekonomike, propozimi i PS ka qëllimin të ulë kostot e mbijetesës për familjet më të varfra dhe pensionistët. Me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe ilaçeve, si dhe uljen e fuqisë blerëse, këtyre shtresave të shoqërisë u duhet shpesh të zgjedhin mes ushqimit dhe kurimit. Heqja e TVSH do t'u mundësonte këtyre familjeve, të cilat tipikisht përdorin shumicën e të ardhurave të tyre për ushqim e kurim, të mund të kenë një mbijetesë me kosto më të ulëta, pra do t’u lehtësonte barrën financiare në këtë kohë të vështirë.







