Balla Pas komisionit ok PS

Duhet të marrë fund njëherë e mirë praktika e dhunës në Parlament

Më lejoni të sqaroj gjithë opinionin publik se kemi të bëjmë me një skenar të Partisë Demokratike për të bllokuar mbarëvajten e punimeve në Kuvendin e Shqipërisë.

Dje pasdite në një komision, një prej përfaqësuesve të Partisë Demokratike theu rëndë rregulloren duke bllokuar punimet e komisionit. Sot kemi një rast tejet të rëndë, ku një deputet i Partisë Demokratike ka goditur nënkryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Erjon Braçe. Kjo nuk është thjesht e vetëm një thyerje e Rregullores së Kuvendit, por kemi të bëjmë me një vepër të rëndë penale, goditje për shkak të detyrës, nga një deputet i Partisë Demokratike përkundrejt një deputeti tjetër të Kuvendit të Shqipërisë.

Nuk është aspak i vërtetë pretendimi i Partisë Demokratike se goditja e Flamur Nokës ishte si pasojë e reagimit të z. Braçe ndaj fjalimit të Sali Berishës. Kjo sepse, nëse do të interpretojmë strikt rregulloren, gjatë gjithë seancës kemi pasur vetëm thyerje të rregullores nga ana e Partisë Demokratike.

Tani, unë nuk kam parë ndonjë deputet në asnjë vend të botës, aq më tepër në Shqipëri, që çohet, merr peng foltoren, e zë atë për disa minuta dhe pastaj thotë që këtu do flasë vetëm Sali Berisha. Kjo është si historia e kavanozëve në periudhën e komunizmit – kur vinte dikush e vendoste kavanozin për të zënë radhën e qumështit. Kjo histori, – që këtu zihet foltorja e Kuvendit, që këtu goditen deputetët me grusht për shkak se është dhënë porosia nga Luli dhe Saliu që të mbartet klima kaotike për të justifikuar protestën e ashtuquajtur ndaj kësaj qeverie, – duhet të marrë fund.

Për sa kohë që Flamur Noka nuk zbaton nenin e rregullores sipas të cilit Kryetarja e Seancës i ka kërkuar largimin nga seanca e sotme, sa kohë që iu bë me dije se pas pak kohe do mblidhet Byroja e Kuvendit për të shqyrtuar kërkesën e një grupi deputetësh, të cilët kërkojnë përjashtimin e Flamur Nokës minimalisht për 10 ditë nga punimet e seancës dhe komisioneve siç parashikohet në rregullore, nuk mund të ketë një vijim normal të punimeve në Kuvend.

Ndërkohë i bëj thirrje Lulzim Bashës që të heqë dorë nga urdhrat, nga keqpërdorimi i deputetëve të tij; të ndikojë edhe të kryetari de fakto i PD-së, Sali Berisha, që deputetët e PD-së të mos kthehen në kamikazë të cilët zbatojnë urdhrat për movijimin normal të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, qofshin këto komisione apo seanca plenare.

Ju e keni parë mirë që e gjithë kjo mbarsje bëhet për të fshehur çështje të rëndësishme, që ne duhet të merremi këto ditë. Ju kujtoj që sjellja e djeshme në Komisionin Hetimor Parlamentar për hetimin e aferës CEZ ka të bëjë me gjetjet shumë të rëndësishme që ky komision ka bërë dhe me emrat konkretë të personave të përfshirë në një aferë që shqiptarëve u ka kushtuar miliona euro.

Është po aq e turpshme që prirja e PD-së për të bojkotuar Komisionin e Reformës Zgjedhore, një komision për të cilin, siç jeni në dijeni, ne kemi bërë gati propozimet për të pamundësuar shansin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar që të përfshihen në listat e partive politike në zgjedhje.

Që prej ditës së hënë kur ne kemi depozituar këtë kërkesë, nga Partia Demokratike nuk ka asnjë reagim për t’u distancuar dhe për të thënë: “Jemi bashkë me Partinë Socialiste dhe të gjitha partitë e tjera, që në listat e partive politike të mos përfshihen gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar të cilët nuk kanë kaluar Vettingun, megjithëse kemi shtyrë afatin e Komisionit të Reformës Zgjedhore”.

 Basha, në fakt, i ka kërkuar strukturave të Partisë Demokratike që të bëhet një Vetting brenda këtij subjekti politik për çdo kandidat që do jetë në zgjedhje?

 

Atëherë, z. Basha duhet të bëjë Vettingun nga vetja e tij në radhë të parë, sepse ju e dini që ka pasur një çështje penale nga më të rëndat në Shqipëri, ku akuzohet për vjedhjen e 230 mln eurove; dhe kjo çështje penale është mbyllur për shkak të kalimit të afatit. Prandaj i pari që duhet të kërkojë Vettingun duhet të jetë vetë z. Basha, pas tij z. Berisha e me radhë të gjithë deputetët e tij, të cilët nuk plotësojnë as kushtet më minimale për të qenë të pranishëm në një sallë ku fjala është argumenti i vetëm që ne kemi.

Në parlament dhunë nuk ka. Ndaj e përsëris që rasti i sotëm i deputetit Noka nuk është vetëm thjesht një thyerje e Rregullores së Parlamentit, kemi të bëjmë me një vepër penale, goditje për shkak të detyrës ndaj një deputeti. Historia në Kuvendin e Shqipërisë që goditet një deputet është e rëndë.

E mbani mend që në një rast tjetër të ngjashëm, dy vite më parë, ne kemi mbajtur qëndrim të ashpër ndaj deputetit Arben Noka. Dhe në momentin që është bërë kallëzimi penal i kemi kërkuar institucioneve të bëjnë drejtësi.

Balla,ju thatë që deputetë të Partisë Socialiste ka kërkuar mbledhjen e Byrosë për të shqyrtuar kërkesën për largimin e deputetit Flamur Noka, por nga ana tjetër Partia Demokratike ka kërkuar përjashtimin e Erion Braçes?

Kërkuan përjashtimin e Erion Braçes, do e kërkojnë edhe për mua, të jeni të sigurt. Po kur Sali Berisha merr fjalën jashtë çdo lloj rregulloreje, fyen në çdo seancë?! Më thoni një herë të vetme kur Sali Berisha, që është një deputet si gjithë të tjerët, respekton kohën në foltoren e Parlamentit. Kur një deputet i PS-së i thotë atij boll fole, Berishës i duket fyerje, kjo është qesharake.

Faleminderit.

*Deklaratë për media e nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla