Ekonomia

Dokumenti i plotë në: Ekonomia.pdf

Ku ishim:

Një Shqipëri e zhytur në një krizë ekonomike dhe financiare edhe më të thellë se ç’dihej. Qeveria e re zbuloi një borxh të fshehur ndaj bizneseve për punë të kryera për shtetin, por të papaguara prej 720 milionë dollarësh. Ritmi i rritjes ekonomike po prekte zeron. Sistemi bankar ishte i bllokuar. Kreditë e këqija shënonin 25% të totalit. Modeli i zhvillimit ekonomik bazuar në dërgesat e emigrantëve dhe ndërtimet kishte shteruar. Vetëm në vitin e fundit të qeverisjes së kaluar, u humbën mbi 100 mijë vende pune.

Ku jemi sot:

Nga ulja e taksave dhe masat lehtësuese për shtresën e varfër e të mesme, rreth 50 masa të tilla në dy vjet, kanë kaluar nga arka e shtetit në buxhetin e familjeve 17.2 miliardë lekë ose 150 milionë dollarë.

Në vetëm dy vite: U hoq taksa e biznesit të vogël. U zerua taksa e fitimit të biznesit të vogël për 83,500 biznese me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë, si dhe u përgjysmua taksa për 15,900 bizneset me xhiro nga 5 deri në 8 milionë lekë në vit. Kjo falë luftës kundër informalitetit dhe rezultateve më domethënëse të këtyre dy viteve të vështira pune, mundimesh e sakrificash për të rilindur Shqipërinë pas një epoke sfilitëse rrënimi.

U shlye borxhi i fshehur, akumuluar në 8 vite të qeverisjes së kaluar në të gjithë sektorët publikë, si dhe borxhet ndaj shtresave sociale më në nevojë.

Falë modelit tonë të ri ekonomik dyfishuam rritjen ekonomike brenda vitit të parë të qeverisjes në 2.2%.

Vetëm gjatë viti 2013, nën qeverisjen e PD humbën 100 mijë vende pune. Në dy vitet e para të qeverisjes sonë janë shtuar dhe formalizuar 170 mijë vende pune. Flasin librat e llogarive të shtetit për sektorin jobujqësor.

Zëvendësimi i taksës së sheshtë me taksimin e ndershëm i kursen mesatarisht çdo qytetari 230 $ në vit. Ulja e taksave për 97% të shqiptarëve rriti pagën mesatare me 7.5%. U përgjysmuan taksat për pagat e mësuesve, policëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë në sferën publike. U bë zero taksa për pagën deri në 30 mijë lekë. U rritën taksat për pagat e zyrtarëve të lartë.

Në vetëm një vit rritëm të ardhurat e mbledhura nga tatimet dhe doganat më shumë se 5 vitet e fundit të qeverisjes Berisha të marra së bashku. Në vlerë absolute, është shënuar një mbledhje e të ardhurave në 9-mujorin e 2015 me 37.5 milionë dollarë më shumë se viti 2014 dhe 266.5 milionë dollarë më shumë se 2012 – viti i tyre më i mirë në mbledhjen e të ardhurave në 8 vite.

Në dy vjet numri bizneseve aktive është shtuar me 33% krahasuar me 2013, ose 45,600 biznese të reja. Përveç lehtësirave fiskale të ofruara çdo vit, u falëm 26 milionë dollarë gjoba elektorale të vitit 2013 dhe u rimbursuan 82 milionë dollarë detyrime TVSH-je ndaj biznesit. U hoq TVSH e makinerive dhe pajisjeve në miniera, industri përpunuese dhe vepra hidrike.

Modeli i ri ekonomik, i orientuar drejt rritjes së prodhimit në vend, bëri të mundur rritjen e eksporteve me 4% në vitin 2014. Eksporti i prodhimeve bujqësore u rrit me 20%. Rritja e eksporteve për prodhimin vendas ka vazhduar edhe gjatë 2015-ës. Në 6-mujorin e parë të këtij viti produktet bujqësore dhe blegtorale janë rritur me 35%, krahasuar me 6-mujorin e parë të 2014.

Investimet e huaja arritën 1.1 miliardë dollarë, duke u rritur me 19% më shumë se në vitin 2013. Fluksi i investimeve të huaja gjatë vitit 2015 ka qenë edhe më i lartë. Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja në gjashtë mujorin e parë të 2015-ës janë 35% më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Raportet e fundit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar i kanë vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për impaktin pozitiv në ekonominë e vendit. Sipas Bankës Botërore, niveli i rritjes ekonomike në vend është ndër më të lartit në rajon; ndërkohë që niveli i papunësisë është më i ulëti në rajon. Parashikimet e këtyre dy institucioneve partnere për rritjen ekonomike të Shqipërisë janë në përputhje me vlerësimet tona: 2.7% këtë vit dhe 3.4% vitin që vjen.