Alket Hyseni

Alket Hyseni

Alket Hyseni ka lindur më 12 maj 1974 në Levan, Tepelenë. Studimet e mesme i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera në ​gjimnazin “A. Alushi”, Krahës, Tepelenë. Është diplomuar Jurist në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës me rezultate të shkëlqyera, si dhe është diplomuar në Fakultetin Ekonomik, dega Kontabilitet–Financë, Univesiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër.

Mban gradën shkencore “Doktor”, dhënë nga Universiteti i Tiranës dhe Master Shkencor në Shkenca Penale, në Fakultetin e Drejtësisë, UT. Ka kryer gjithashtu studimet Master për “International Law” dhe “Doktor i Shkencave Juridike” në “International Business Law” në Leibniz University, New Mexiko, dega Milano (Distance education). Dr. Alket Hyseni ka një karrierë të gjatë e të larmishme akademike, administrative dhe politike. Ka ushtruar funksione të larta drejtuese në administratën shtetërore, duke filluar në ​Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, për të vazhduar më tej me themelimin dhe drejtimin e Studios Ligjore “ Hyseni & Associates”, për ta bërë atë një nga studiot më prestigjoze në vend; Kryetar i Task Forcës së Kryeministrit “Për pronat e paluajtshme shtetëror”; Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Aktualisht është Këshilltar i Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë. Dr. Alket Hyseni ka qenë i zgjedhur Kryetar i Këshillit të Administrimit në Universitetin “Aleksander Moisiu”, Durrës; ​Kryetar i Këshillit Mbikqyrës i shoqërisë “Rezidenca Studentore Universitare Numër 1”, Tiranë, si dhe ​Kryetar i Këshillit Mbikqyrës të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime”, Fushë Krujë. Në fushën akademike ka qenë: Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike​, Universiteti “Aleksander Moisiu”, Durrës, dhe Lektor i së Drejtës Financiare, së Drejtës Doganore, së Drejtës Kushtetuese​ dhe së Drejtës së Punës; ​Lektor​ në ​universitetin jopublik “Justiniani I”, Tiranë dhe në Universitetin “Biznesi”, Prishtinë. Është autor i disa botimeve, si “Të Drejtat e Njeriut në Kushtetutën Shqiptare”; “Roman civil law as a foundation for family law”; “Foreing Investments and Human Rights”; “Ligji Doganor dhe Praktika Gjyqësore”; “E Drejta Doganore”, botim i Shkollës së Magjistraturës. Njëkohësisht është autor dhe bashkëautor i shumë artikujve shkencorë të botuar në revista prestigjoze, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Aktiviteti politik ka filluar si anëtar i Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar, që nga themelimi i tij, dhe anëtar i Partisë Socialiste të Shqipërisë që nga viti 1997. Në vitin 2007 dhe aktualisht është ​Kryetar i Komisionit të Garancive Statutore dhe të Etikës të PSSH. Zotëron shumë mirë gjuhën angleze, italiane dhe greke.

Ndaje me miqtë: