Anila Denaj

Anila Denaj

Znj. Anila Denaj ka lindur në Tiranë, më 18 shtator 1973. Ajo ka një djalë, Aleksandër Kume.

Znj. Denaj është diplomuar për Menaxhim Financiar dhe Bankar në vitin 1995 në Universitetin e Tiranës dhe ka më shumë se 22 vjet përvojë pune.

Në shtator 2018, znj. Denaj u emërua Drejtore e Përgjithshme e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FSDKSH) në Shqipëri. Më herët, znj. Denaj ka qenë anëtare e Bordit të Këshillit Administrativ të FSDKSH-së, anëtare e Bordit të Fondit Shqiptar të Sigurimeve Shoqërore dhe anëtare e Bordit Mbikëqyrës së Kompanisë së Sigurimeve INSIG SH.A. Për një periudhë tre vjeçare, znj. Denaj ka qenë Anëtare e Bordit të Autoritetit të Komunikimit Elektronik dhe Postar në Shqipëri (A.K.E.P). Përgjatë periudhës tetor 2013 – janar 2015 ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave, me fokus kryesor mbikëqyrjen e operacioneve në Departamentin e Financave, Legjislacionit dhe Menaxhimit të Pronës Shtetërore, në menaxhimin e teknologjisë së informacionit, Departamentit të Administratës dhe të Burimeve Njerëzore.

Znj. Denaj ka punuar për 12 vjet në ProCredit Holding Gmbh/ IPC Consulting Gmbh, duke mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në bankat e Grupit ProCredit në: Salvador, Bolivi, Ekuador, Rumani dhe Mozambik. Eksperiencën e saj në këtë fushë e ka nisur në bankën FEFAD, më vonë të quajtur ProCredit. Në këtë aktivitet, ajo ka mbajtur pozicionin Zëvendësdrejtore e Përgjithshme e bankës.

Znj. Denaj ka bashkëpunuar me Shkollën e Administratës Publike (ASPA) që nga viti 2014, si lektore me kohë të pjesshme në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore.

 
Ndaje me miqtë: