Partia Socialiste e Shqipërisë › Eglantina Gjermeni

Eglantina Gjermeni

Eglantina Gjermeni

Eglantina Gjermeni ka lindur më 24 Nëntor të vitit 1968, në qytetin e Krujës. Znj. Gjermeni është diplomuar në Fakultetin e Histori-Filologjisë në vitin 1990, duke vazhduar më pas studimet pasuniversitare në Punë Sociale në vitin 1993–1994. Ajo ka vazhduar studimet e mëtejshme akademike në Universitetin Grand Valley State University në Michigan SHBA, duke marrë titullin Master në Punë Sociale në vitin 1998. Në vitin 2005, znj. Gjermeni mori titullin Doktor i Shkencave në Punë Sociale, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1995 deri në vitin 2008 ka qenë pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamenti i  Punës Sociale, ndërsa në vitet 2009-2013 ka vazhduar mësimdhënien me kohë të pjesëshme në po këtë departament. Prej vitit 1999 deri në vitin 2009, znj.Gjermeni ka drejtuar Qendrën “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, një organizatë jo-fitimprurëse që kontribuonte në çëshjet e barazisë gjinore dhe të drejtat e grave. Znj. Gjermeni është autore dhe bashkëautore e shumë artikujve brenda dhe jashtë vendit, studimeve dhe publikimeve që adresojnë çështje sociale, çështje të integrimit gjinor, si edhe koncepte kryesore të lidhura me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe politik.

Për vitet 2009-2013, znj. Gjermeni është zgjedhur deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë mandatit të saj të parë si deputete, ka qenë anëtare e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, znj. Gjermeni u rizgjodh deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Prej shtatorit të vitit 2013, znj. Gjermeni është pjesë e kabinetit të qeverisë Rama dhe deri në shkurt të vitit 2015 mbajti postin e “Ministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit”. Ndërkohë që nga shkurti i vitit 2015 dhe aktualisht mban postin “Ministër i Zhvillimit Urban”.

Ndaje me miqtë: