Erion Braçe

Erion Braçe

Zëvendëskryeministër

Z. Erion Braçe është lindur në Tiranë, më 2 prill 1972. Ai është i martuar dhe i lumtur me një vajzë.

Z. Braçe ka përfunduar ciklin e plotë të studimeve në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, dega Ekonomi – Financë, në vitet 1990 – 1994.

Që prej vitit 1992 e deri më sot, z. Braçe ka qenë pjesë aktive e jetës politike dhe legjislative në Shqipëri.

Për një periudhë të gjatë kohore ka ushtruar profesionin e gazetarit dhe redaktorit, duke punuar si reporter në gazetën “24 Ore”, më pas në gazetën “Zëri i Popullit”, në vitet 1993 – 1997 dhe si kryeredaktor i kësaj gazete në vitet 1998 – 2008.

Erjon Braçe ka hyrë në politikë si drejtues i Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar – zëvendës kryetar i tij në vitet 1996 – 2000; drejtues në Partinë Socialiste të Shqipërisë – anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste prej vitit 1995, anëtar i Kryesisë së saj prej vitit 2005.

Z. Braçe ka një përvoje të gjatë legjislative. Ai është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë në 7-të legjislatura që prej vitit 1996, duke kaluar dy cikle të plota nga opozita në mazhorancë; përfaqësues i qytetarëve të Qarkut të Beratit, i zgjedhur prej tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë në katër legjislatura dhe i zgjedhur si drejtues i listës proporcionale të Partisë Socialiste në një legjislaturë të pestë, përfaqësues i banorëve të zonës së Divjakës dhe Lushnjës, Qarku i Fierit, në dy legjislatura që prej vitit 2013.

Z. Braçe ka qenë anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave prej vitit 1996 në pesë legjislatura dhe kryetar i këtij komisioni në dy legjislaturat e fundit, 2013 dhe 2017. Gjate kësaj periudhe, z. Braçe është përfshire në mënyrë aktive dhe konkrete, individualisht dhe përmes komisioneve në Kuvend, në praktika ligjore parlamentare kundër korrupsionit në përdorimin e parave publike, në privatizimin e aseteve publike të një rëndësie strategjike në sektorë kyç të ekonomisë, duke nisur nga ai energjetik dhe i pasurive natyrore, monopoleve dhe cenimit të konkurrencës në tregje.

Si deputet dhe drejtues në Komisionin për Ekonominë dhe Financat në Kuvend, z. Braçe ka një numër të konsiderueshëm amendamentesh të propozuara dhe miratuara në Kuvend, kthyer në politika fiskale kombëtare të tatimit progresiv mbi të ardhurat nga puna e kapitali, përfshirë politikat fiskale të favorizimit të të ardhurave të vogla e të mesme nga puna e biznesi i vogël, agroturizmi, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, apo të tilla që kanë ulur kostot e punës në bujqësi, industrinë e lehtë përpunuese etj.; ligje të plota të propozuara prej tij dhe miratuar në Kuvend kanë ligjëruar politika të qarta të mbrojtjes se konsumatorëve e në veçanti fëmijëve, si dhe zgjidhjes përfundimtare të çështjes së pronësisë së tokës bujqësore.

 
Ndaje me miqtë: