Mimi Kodheli

Mimi Kodheli

ANËTARE E KRYESISË

Mimi Kodheli ka lindur në Tiranë, në shtator 1964. Prej shtatorit 2013 mban funksionin e ministres së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë.  Ajo është e martuar me Lekën me të cilin kanë një djalë, Mikelin. Znj. Kodheli është një nga politikanet shqiptare me arsim të pasur, kulturë të spikatur dhe të trashëguar nga familja e saj. Arsimimi i saj është i fokusuar në fusha të ndryshme si ato të tregjeve ndërkombëtare dhe të letrave me vlerë, tregjet e punës dhe të investimeve, trajnim për ndërmarrjet të vogla e të mesme, ekzaminim dhe menaxhim bankar. Ajo ka punuar si pedagoge pranë disa universiteteve shqiptare si Universiteti Evropian i Tiranës, Laurasi, dhe Marlin Baleti ku ka dhënë lëndët në fushën e ekonomisë dhe financës pranë Fakultetit Ekonomik për një periudhë të gjatë nga viti 2007 deri 2010.

Gjithashtu, ajo ka marrë pjesë në një program të Departamentit Amerikan të Shtetit të titulluar “Gratë në Politikë” si dhe atë të titulluar “Politikat e Sigurisë Kombëtare” -Qendra Europiane e Sigurisë, Marshall. Për sa i përket studimeve që ka kryer Znj. Kodheli është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, Dega Financë në vitin 1986. Më pas në vitin 2000 është diplomuar nga Universiteti i Lincoln, Nebraska, SHBA në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës në Master në Administrim Biznesi si dhe në vitin 2014 ka marr titullin shkencor Doktor i Shkencave Ekonomike nga Universiteti i Veronës, Itali, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik.

Përfshirja e saj në politikë ka nisur në vitin 2002, kur edhe u bë nënkryetare e Bashkisë së Tiranës. Pasioni, dashuria dhe njohuritë e saj për artin dhe kulturën të kombinuar me punën e saj të pa lodhur ishin një vlerë e shtuar në kontributin e saj për transformimin e kryeqytetit të vendit. Në vitin 2005, ajo u emërua prefekte e Qarkut të Tiranës dhe në vitin 2009 u zgjodh deputete e Kuvendit të Shqipërisë duke mbajtur pozicionin e nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financës përgjatë gjithë legjislaturës. Që prej vitit 2007 e në vazhdim është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Znj. Kodheli është një grua me eksperienca të ndryshme, brenda forcës politike qe ajo përfaqëson, në politikë në përgjithësi dhe në nivelin drejtues dhe ekzekutiv lokal, por edhe në nivelin akademik, derisa ajo u caktua në poste veçanërisht të larta dhe të rëndësishme, të mbuluara deri më tani vetëm nga burra. Znj. Kodheli zotëron gjuhën angleze dhe italiane, si dhe njeh mjaftueshëm gjuhën frënge dhe spanjolle.

Ndaje me miqtë: