Mimi Kodheli

Mimi Kodheli

Mimi Kodheli ka lindur në Tiranë, në shtator 1964. Prej shtatorit 2013 mban funksionin e Ministres së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë. Ajo është e martuar me Lekën, me të cilin kanë një djalë, Mikelin. Znj. Kodheli është një nga politikanet shqiptare me arsim të pasur, kulturë të spikatur dhe të trashëguar nga familja e saj. Arsimimi i saj është i fokusuar në fusha të ndryshme, si ato të tregjeve ndërkombëtare dhe të letrave me vlerë, tregjeve të punës dhe të investimeve, trajnimeve për ndërmarrjet të vogla e të mesme, ekzaminit dhe menaxhimit bankar. Ajo ka punuar si pedagoge pranë disa universiteteve shqiptare, si Universiteti Evropian i Tiranës, Laurasi dhe Marlin Baleti, ku ka dhënë lëndët në fushën e Ekonomisë dhe Financës pranë Fakultetit Ekonomik për një periudhë të gjatë, nga viti 2007 deri 2010.

Gjithashtu, ajo ka marrë pjesë në një program të Departamentit Amerikan të Shtetit të titulluar “Gratë në Politikë”, si dhe atë të titulluar “Politikat e Sigurisë Kombëtare” - Qendra Europiane e Sigurisë, Marshall. Për sa i përket studimeve që ka kryer Znj. Kodheli: është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë, në vitin 1986. Më pas, në vitin 2000 është diplomuar nga Universiteti i Lincoln, Nebraska, SHBA, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës në Master Administrim Biznesi, si dhe në vitin 2014 ka marrë titullin shkencor Doktor i Shkencave Ekonomike nga Universiteti i Veronës, Itali, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik.

Përfshirja e saj në politikë ka nisur në vitin 2002, kur edhe u bë nënkryetare e Bashkisë së Tiranës. Pasioni, dashuria dhe njohuritë e saj për artin dhe kulturën, të kombinuara me punën e saj të palodhur, ishin një vlerë e shtuar në kontributin e saj për transformimin e kryeqytetit të vendit. Në vitin 2005 ajo u emërua Prefekte e Qarkut të Tiranës dhe në vitin 2009 u zgjodh deputete e Kuvendit të Shqipërisë, duke mbajtur pozicionin e nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financës përgjatë gjithë legjislaturës. Që prej vitit 2007 e në vazhdim është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Znj. Kodheli është një grua me eksperienca të ndryshme brenda forcës politike që ajo përfaqëson, në politikë në përgjithësi dhe në nivelin drejtues dhe ekzekutiv lokal, por edhe në nivelin akademik, derisa ajo u caktua në poste veçanërisht të larta dhe të rëndësishme, të mbuluara deri më tani vetëm nga burra. Znj. Kodheli zotëron gjuhën angleze dhe italiane, si dhe njeh mjaftueshëm gjuhën frënge dhe spanjolle.

Ndaje me miqtë: