Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › PS koherente në angazhimin e saj konkret për reformimin e sistemit të drjetësisë

Fjalime

PS koherente në angazhimin e saj konkret për reformimin e sistemit të drjetësisë

19 Mar 2016    
Të nderuar miq,

Sikurse shumë mirë e dini, prej më shumë se dy vjetësh Partia Socialiste është bërë kontributori dhe mbështetësi politik i parë dhe më kryesori i reformës në drejtësi.

Koherente me angazhimet e veta elektorale dhe me programin e vet politik Partia Socialiste nxiti seriozisht mekanizmat institucional për të ndërmarrë një proces të plotë dhe të gjithanshëm, të reformimit të sistemit të drejtësisë.

Kjo iniciativë dhe më tej ky angazhim i Partisë sonë dhe maxhorancës qeverisëse ka qenë dhe vazhdon të jetë në koherencë të plotë me dëshirat dhe interesat e qytetarëve të këtij vendi.

Deri tani opinioni publik ka parë qartë se angazhimi politik dhe institucional i Partisë Socialiste në këtë reformë ka qenë serioz dhe dukshëm jashtë interesit politik edhe të vetë asaj si parti.

Ndaj ne si socialistë duhet të ndihemi krenar sepse ajo çfarë kemi bërë deri më tani në lidhje me reformën në drejtësi ka justifikuar plotësisht pritshmëritë e opinionit publik dhe ka krijuar kushtet e gjithanshme që situata në sistemin e drejtësisë të ndryshoj rrënjësisht.

Ne si Parti po bëjmë të gjitha përpjekjet që ky proces të finalizohet në interes të qytetarit, në interes të pasjes së një sistemi drejtësie ku realisht të gjithë të ndjehen të barabartë përpara ligjit.

Të dashur miq,

Është rasti ta themi se çfarë ne jemi duke bërë sot në lidhje me reformën në drejtësi është në koherencë të plotë me filozofinë e kësaj partie, përsa i përket zhvillimit dhe konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Në vitin 1998, ne i dhamë Republikës Kushtetutën e re, të miratuar me konsensus popullor.

Gjatë mandatit tonë të dytë, 2003-2005, ne miratuam të parat paketa ligjore antitrafik, për luftën kundër krimit të organizuar (antimafia) dhe masat kundër terrorizmit.

Në vitin 2008, edhe pse në opozitë, ne propozuam Paktin Kombëtar për Reformën në Drejtësi. Por as Pakti nuk funksionoi, as komisioni i krijuar nga Kuvendi nuk u mblodh asnjë ditë, për shkak të mungesës së vullnetit të qeverisë së Partisë Demokratike në atë kohë.

Në vitin 2012 propozuam Projektin për ndryshimet kushtetuese, të cilat u rrëzuan po nga ajo qeveri jo reformatore.

Në vitin 2013 me fitoren e Partisë Socialiste u krijuan kushtet që ne të fillonim të realizonim gjithë sa kishim iniciuar më parë në opozitë. Ne ishim e vetmja forcë politike që shpalosëm vizionin tonë të qartë duke i prezantuar publikut një program elektoral të plotë për reformën në drejtësi.

Tashmë kjo reformë është një imperativ politik, një sipërmarrje reformuese historike për sistemin e drejtësisë, një ndryshim rrënjësor i sistemit me impakt të drejtpërdrejtë në forcimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës në vendin tonë. Reforma synon të ndryshojë cilësisht situatën në sistemin e drejtësisë.

Duhet të pranojmë me keqardhje që në këto 25 vjet, korrupsioni ka prekur gjerësisht edhe segmente të tjera shtetërore. Por nëse do të kishim një drejtësi jo të korruptuar të gjithë ata që janë dhe kanë korruptuar do të duhej të ndëshkoheshin. Por drejtësia, shtylla bazë në luftën kundër korrupsionit, vuan vetë nga kjo sëmundje.

Sistemi jo vetëm që është i kapur politikisht, i korruptuar si dhe i karakterizuar nga koorporatizmi, por edhe i karakterizuar nga paaftësia profesionale, mungesa e llogaridhënies dhe e transparencës.

Drejtësia e munguar e bën lirinë një privilegj të një pakice të padenjë dhe privon prej saj shumicën e qytetarëve që denjësisht e meritojnë atë.

Ne luftojmë që të gjithë shqiptarët të jenë dhe të ndjehen të lirë dhe të barabartë, pavarësisht nëse janë të varfër apo të pasur, të shkolluar apo të pashkolluar, gra apo burra, punonjës publikë apo privatë, në pushtet apo në opozitë. Drejtësia e munguar pengon ta realizojmë këtë mision.

Ne kemi përgjegjësinë të kërkojmë edhe kontribuojmë për drejtësi për të vrarët e 21 Janarit, të vrarët e Gërdecit apo për çështje të tjera me sensibilitet të lartë publik.

Ne kërkojmë drejtësi për qytetarët që në mënyrë të heshtur ju vritet përditë shpresa nga padrejtësitë, nga mungesa dhe mohimi i drejtësisë që shitet e blihet si mall tregu.

Ne kërkojmë drejtësi për gjyqtarin e vrarë në dritë të diellit, vrasësit e të cilit ende nuk janë zbuluar, pale më dënuar.

Ne kërkojmë drejtësi dhe për gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm dhe të drejtë, dinjitetin e të cilëve e ka mbytur sistemi i korruptuar.

Ne duam drejtësi dhe ndëshkim sipas ligjit për atë që vjedh energjinë, pret pyllin pa leje, ndërton pa leje etj, por ne kemi detyrimin të kërkojmë më shumë drejtësi dhe zbatim të ligjit për ata zyrtar publik që nëpërmjet korrupsionit cënojmë interesin publik për të administruar energjinë, mjedisin, territorin dhe taksat tona.

Të nderuar delegatë,

Dua të them që jam i nderuar që së bashku me kolegët e mi të respektuar Vasilikën e Pandin, Ulsin e Vexhiun kam patur privilegjin që të përfaqësojë Partinë Socialiste në sipërmarrjen historike të reformimit të sistemit të drejtësisë.

Ndaj jam edhe i obliguar për të informuar Kongresin për sa dhe si është bërë deri më tani në lidhje me këtë reformë.

Reforma u konceptua në tre faza, 1) vlerësimi i situatës në sistemin e drejtësisë; 2) ndërtimi i strategjisë dhe përcaktimi i objektivave; 3) përgatitja e ndryshimeve përkatëse kushtetuese dhe ligjore.

Reforma ka, ndër të tjera, dy pritshmëri kryesore: 1) pastrimi i gjyqësorit dhe prokurorisë dhe 2) pastrimi i politikës dhe qeverisjes nga të korruptuarit.

Procesi është ndërtuar duke u bazuar në parime që garantojnë mosafektimin e tij nga element të natyrës politike, parime si gjithpërfshirja, transparenca dhe konsultimi publik, ekspertiza dhe profesionalizmi si dhe përputhshmëria me standardet ndërkombëtare.

Gjatë një viti janë realizuar 42 tryeza pune debati konstruktiv me 2800 pjesëmarrës dhe kanë kontribuar 400 debatues, në radhët e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, pedagogëve, shoqërisë civile, profesionistëve të tjerë, njohës të ligjit dhe sistemit. Portali online i reformës ka thithur kontributet e qindra të rinjve dhe profesionistëve të fushës, duke i dhënë transparencë maksimale.

Reforma në drejtësi që nga fillimi i saj është konceptuar si një proces teknik në të cilin kontribuuesi i ekspertëve të paangazhuar vendas, si dhe i ekspertëve të huaj ka qenë përcaktues dhe gati i vetëm.

Procesi është monitoruar, këshilluar, bashkëpunuar dhe mbështetur pa rezerva, në mënyrë permanente, nga përfaqësues të organizatave dhe institucioneve të ndryshme ndërkombëtare e veçanërisht BE dhe SHBA.

Janë shprehur vlerësimet e tyre më të larta për procesin nga pikëpamja e metodologjisë, kontributeve njerëzore dhe atyre institucionale. Ne u shprehim atyre mirënjohjen më të thellë për angazhimin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që na kanë dhënë në këtë proces.

Ne e kemi të qartë se e drejta nuk zbret nga qielli, por atë duhet ta mbjellim dhe kultivojmë ne. Kombet e qytetëruara janë bërë të tilla, sepse janë kombe të themeluara mbi punën dhe drejtësinë. Ne jemi të vendosur ta bëjmë të tillë edhe Shqipërinë.

Bashkimi Europian e ka kushtëzuar integrimin e vendit me kryerjen e kësaj reformë, si nevoja më imediate e vendit nga e cila varen reformat e tjera.

Ne nuk e duam Drejtësinë si një regjistër ku të shënojmë emrin për të hyrë në Europë. Ne punojmë për një sistem drejtësie, i cili do të na bëjë të ndjehemi europianë në Shqipëri dhe të na bëjë të ndjehemi europianë në Shqipëri dhe të na çlirojë nga deformimi që i kemi bërë identitetit tonë europian.

Ora e drejtësisë po troket! Drejtësia në emër të popullit, drejtësia për popullin! Krenarë për Partinë tonë Socialiste, forcën e madhe reformatore që po e mbështet aktivisht këtë proces reformimi, për t’ju kthyer qytetarëve tanë shpresën, besimin te ligji, te shteti, te drejtësia!

Ju faleminderit!

*Fjala e Sekretarit për Koordinimin, Fatmir Xhafaj, në Kongresine e PS
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm