Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Vota dhe drejtësia, dy procese që nuk shmangen

Fjalime

Vota dhe drejtësia, dy procese që nuk shmangen

19 Mar 2016    
Të nderuar pjesëmarrës,

Krahasuar me Kongresin e fundit të Partisë Socialiste mjaft gjëra kanë ndryshuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Tanimë rrjedhat e ngjarjeve kanë sjellë arsyetime ku është e vështirë të përkufizosh çështjet e brendshme me ato të jashtme.

Është fakt se politika në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin apo Luginë po lidhet natyrshëm edhe si një cilësi e një bote globale e ndërvarur mes vetes. Shqiptarët bashkëjetojnë me serbët, grekët, malazezët e maqedonët në një histori të përbashkët e cila tenton të quhet “europiane”. Arsyetimet për politikë të jashtme dhe të brendëshme janë implikuar me njëra tjetrën sa e ke të vështirë të bësh diferencën.

Në Perëndim dikur të quajturit “refugjatë” apo emigrantët shqiptarë po ndërtojnë me shpejtësi realitetet e qytetarit perëndimor të brezit të parë e sidomos të brezit të dytë. Ky realitet përbëhet nga një e treta e popullsisë zyrtare të Shqipërisë. Ai po vetëorganizohet dhe po tejkalon formalizmin me të cilën shteti shqiptar i trajton.

Ky komunitet mbi njëmilionësh ka ngritur një strukturë shoqatash si në Greqi, Itali, Britani apo SHBA dhe Kanada të cilat edhe pa vëmendjen shtetërore të Shqipërisë kanë zhvilluar një protagonizëm i cili nderon vendin tonë dhe bën të detyrueshëm trajtimin e tyre.

Në zgjedhjet e vitit 2013 mijëra emigrantë shqiptarë sidomos nga vendet fqinjë si Greqia dhe Italia udhëtuan drejt Shqipërisë për të votuar ndryshimin. Në se në Shqipëri në mjaft raste duhet të trokisje për të nxitur votimin dhe votën, imagjinoni dikë që lë punën apo biznesin dhe niset një apo dy ditë përpara duke udhëtuar drejt atdheut të vet për të votuar. Vetëm për kaq. Pastaj kthehet sërish aty ku ishte pa me bindjen se kështu i ka shërbyer atdheut të vet nga i cili nuk ka marrë dhe as ka kërkuar asgjë.

Ne socialistët, duhet të shmangim pak “rutinën” e pushtetit dhe qeverisjes dhe të mendojmë seriozisht për ata që veç dhanë për këtë vend. Ata janë ajo qytetari perëndimore e cila jeton jashtë vendit tonë aktualisht. Ka ardhur koha që ata të votojnë sipas dëshirës dhe bindjes për të ardhmen politike të vendit që i takojnë aty ku janë. Vota e tyre është perëndim. Kultuara e tyre është perëndim. Trajtimi i tyre na bën më të natyrshëm në procesin e Integrimit Europian.

Të dashur miq,

Ka një rutine kongresuale në politikën tonë që çështjen e shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë e konsideron “politikë të jashtme”. Unë jam kundër këtij përcaktimi. Burokratikisht ajo si çështje do të mbulohet nga Ministria e Jashtme.

Ajo që duhet ti pohojmë vetes sot si një parti patriotike dhe jo konsumues të nacionalizmit është fakti se faktori shqiptar në rajon po përjeton ndryshime thelbësore. Tradita dhe realiteti duken si rrobat e një fëmije në trupin e një të rrituri. Në rajon jashtë vëmendjes së politikës po krijohet një opinion publik mbarë shqiptar. Ai fillon tek rrjetet sociale dhe përfundon në media dhe ambjentet e shkollës.

Ky opinion publik do të prodhojë politikë, nesër. Partia Socialiste është e njohur në të kuptuarit e asaj që po vjen. Kjo që po them është një lajm i dyfishtë. Ai është një lajm shumë i mirë dhe shumë i keq për politikën. Ai është vibrant, sfidues dhe i qartë po ashtu. Përballë tij politika duhet të gjejë përgjigje pasi për shqiptarët e rinj dukemi tepër të “lashtë” në shpjegimin se ka disa të “ardhme” në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të zi.

Ne duhet të ballafaqohemi me këtë arsyetim dhe ta ndërlidhim atë, natyrshëm, me perspektivën europiane të rajonit.

Në këtë arsyetim ka një sfidë me cilësinë e politikës që bëjnë politikanët shqiptarë. Korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar mund të diskreditojnë të kuptuarit e politikës.

Nuk janë të paktë ndër të rinjtë që mendojnë se politika është një profesion keqbërësish apo me moral të dobët. Kjo mund të sjellë forma të radikalizmit nga zonat anësore të shoqërisë shqiptare në një protagonizëm vetëshkatërrues.

Tirana dhe Prishtina janë dy pole të rëndësishme për ekuilibrin e botës shqiptare. Ato duhet të mësohen me veten së pari që të tjerët ti shohin me kuptimin e ri që po merr faktori shqiptar në rajon.

Në elitat politike shqiptare gjithsesi ndihet tradita e vjetër e klanit apo manipulimit zgjedhor e cila po e gërryen politikën shqiptare si cilësi. Në se nuk do të vidhej vota historia e Shqipërisë do të ishte ndryshe.

Vota dhe drejtësia janë dy prioritete që nuk shmangen. Pa votë të lirë nuk ka drejtësi dhe anasjelltas. Kjo ndërlidhje e ka sjellë presionin e natyrshëm edhe të miqve tanë ndërkombëtarë për reformën në drejtësi.

Është një zgjidhje që nuk ka dilema. Jemi në udhëkryqin ku duhet të zgjedhim në se do të zhvillohemi si komb i natyrshëm europian apo si një klan që drejtohet nga “kumbari” i radhës.

Reforma e drejtësisë nuk është zgjedhje politike por zgjidhje për Shqipërinë. Kush na vendos përballë mungesës së përgjigjes duhet të qartësohet se socialistët nuk do drejtohen nga ekranet televizive për të parë sherrin e shëmtuar të radhës në Kuvend. Ata do ti drejtohen kutisë së votimit për t’ju bashkuar vullnetit të publikut në zgjedhjen midis alternativave në referendum.

Po u mohua edhe kjo e fundit, jo për presion apo shantazh cinik, përkundrazi, mendoj se nuk mund të na falet që për disa muaj pushtet më tepër të konsumojmë bashkëfajësinë me një drejtësi si kjo e jona. Ajo ka krijuar dy lloj ligjesh, dy lloj vendimesh, dy lloj sistemesh dhe ku pagesa e korrupsionit bën diferencën e tyre. Brenda këtij sistemi “flenë” edhe problemet tona të qeverisjes.

Ky është një realitet para të cilit çdo shqiptari i dhembin sytë pa dallim bindjesh politike.

Politika dallon aktin nga pushteti. I pari bën dallimin, i dyti është pasojë e të parit. Partinë tonë e ka krijuar akti dhe jo pasoja. Ne jemi ndërtuar nga fibra e aktit në politikë.

Në se na pamundësojnë votimin e reformës së drejtësisë në Kuvend, apo pamundësojnë të drejtën e votës së qytetarëve në referendum atëherë nuk ka Zgjidhje por Zgjedhje.

Ky Kongres është historik sidomos për raportin që Partia Socialiste ka marrë dhe do të marrë për këtë çështje.

Në se ka dyshues në rezultatin e zgjedhjeve i them se këto zgjedhje edhe për këtë arsye do të jenë edhe referendum. Lufta për drejtësinë është një betejë më shumë se politike. Ajo është një betejë për të ardhmen e vendit.

Beteja për të ardhmen bën dallimin. Ajo nuk humbet. Ju ftoj të bëjmë atë për të cilën jemi bashkë. Të fitojmë betejën për Shqipërinë dhe ata që nuk kanë lindur akoma.

Rroftë Shqipëria!

* Fjala e deputetit, Pandeli Majko, në Kongresin e PS

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm