Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Vijimi i reformave në çdo fushë

Fjalime

Vijimi i reformave në çdo fushë

19 Mar 2016    
Të nderuar delegate e delegatë to Kongresit
Të nderuar pjesëmarrës

Ky Kongres mblidhet në një kohë të rëndësishme jo vetem për socialistët por edhe për Shqipërinë. Qeverisja e vendit ka një sërë sfidash të rëndësishme përpara të cilat e bëjnë diskutimin e sotëm në Kongres edhe më përgjegjës përballë publikut.
Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e 2013-s dhe u ribesua nga qytetarët shqiptarë në zgjedhjet vendore të 2015. Koha na ka mësuar se Reformat votohen. Cdo stanjacion apo diskutim për iluzione për atë që shkoi apo mund të bëhej më mirë do të na kthejë në një parti fjalësh. Nuk janë fjalët arsyeja pse po qeverisim. Njerëzit duan të shohin vendimet tona dhe jo fjalët. Sot si deputete e Tiranës jam në krah të qeverisjes dhe reformave. Reformat janë kryefjala jonë.Kjo është arsyeja pse fituam dhe do të fitojmë sërish.

Shqipëria po përgatitet për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian i cili është edhe një hap i mëtejshëm në rrugën që vendi ka përpara. Unë i përkas brezit që studjuan jashtë vëndit dhe di e ndjej diferencën e cila mbushet vetëm duke punuar për të arritur objektivat tona. Ato janë të Shqipërisë jo vec të Partisë. Padyshim, sot Partia Socialiste është mekanizmi më i fortë që populli shqiptar zotëron për integrimin europian.

Tre vite më parë, në këtë vend ekonomia nuk kishte shpresë. Ajo ishte një ekonomi e zhytur në borxhe dhe në prag humnere, që rrezikonte që nga pensionistët, buxhetorët e deri tek piramida e borxheve që qeverisja e kaluar kishte ndaj biznesit privat.
Buxhetet e tre viteve të mëparshëm shumë mirë mund të etiketohen edhe si buxhetet e daljes nga ngrehina ekonomike që ishte hapur. Dhjetëra kompani të cilat nuk ishin paguar nga vetë shteti, dhe për pasojë, nuk kishin se me çfarë të paguanin punëtorët duke futur në varfëri me dhjetëra familje, një sistem të ndihmës sociale kryekëput abuziv, ku të varfrit sorollateshin për të kërkuar të drejtën e tyre, ndërsa ata me vila dhe makina luksoze merrnin ndihmë sociale vetëm e vetëm se kishin meritë të tundin flamujt e fushatës. Një skemë pensionesh e cila rrezikonte që të na përballte me pamundësinë për të paguar. Për të mos folur më pas për sistemin arsimor ku me 2-4 mijë euro merrje një diplomë për ta varë në mur, pasi nuk mund të të siguronte një punë. Si pa të keq, hapeshin me dhjetëra shkolla të mesme e të larta shtetërore pa asnjë kriter, duke prishur edhe strukturën e fuqisë punëtore.
Reforma në energji si një nga reformat me te rëndësishme të ndërrmarra nga kjo qeveri po bën të mundur më shumë investime në shkolles e kopshte, në qëndra shëndetësore e infrastrukturë. Lufta kundër trafiqeve të lëndëve narkotike e korrupsionit bëri të mundur që Shqipëria të dali nga listat e zeza të ndërkombëtarëve.
Jemi të vetëdijshëm se nuk kemi sjellë ndryshimin e menjëhershëm.
Nuk më pëlqejnë “vjershat” me suksese por mendoj se qeverisja jonë larg detajeve ka treguar përgjegjshmëri ndaj interesave të qytetarëve. Edhe kemi rrezikuar por ndaj edhe jemi votuar.
Gabimet që kemi bërë në të shkuarën, duhet të na shërbejnë për rritjen dhe përmirësimin tonë të mëtejshëm.
Nuk duhet që të vetëkaqemi nga puna që kemi bërë gjer më tani. Përkundrazi, duhet të meritojmë edhe më shumë besimin qytetarëve. Reforma në drejtësi, vijimi i investimeve në arsim, shëndetësi, hapja e vendeve të reja të punës, duhet të jenë në fokus të punës sonë të përditshshme.
Ringritja e ngrehinës së ekonomisë do ende pune. Reformat ekonomike janë të rrezikuara për shkak të krizës ekonomike që ka rajoni, e agravuar edhe nga kriza humanitare e emigrantëve që gjendet në kufijtë e vendit tonë. Por rezultatet e reformave na tregojnë që edhe pse ende larg jemi në drejtimin e duhur.

Të dashur miq,

Do të dëshiroja që në fjalën time të nënvizoj forcimin e strukturës së Partisë Socialiste sidomos edhe pas pranimeve të reja më të fundit në rradhët e saj të mijëra grave e burrave, të rejave e të rinjve. Vini re studentët më të mirë po vinë drejt nesh. A nuk është një provë kjo për të kuptuar se sa vlen besimi i njerëzve më të mirë që shoqëria prodhon aktualisht?
Ata presin të mësojnë nga më të mirët dhe të gjejnë veten në Partinë tonë. Kjo më nxit të nënvizoj se sa e rëndësishme është të ndjejmë atë që vjen në emër të së ardhmes në rradhët tona.
Përshëndes ndryshimet e fundit statutore të cilat u diskutuan në mbledhjen e fundit të Asamblesë. Fakti që do të kemi një organizim të ri të lidhur me reformën e fundit territoriale do të na ndihmojë për forcimin e strukturave tona. Vec na duhet punë pasi nga ajo që kam parë jo vetëm unë ka ende mjaft formalizëm në punën me anëtarësinë socialiste.
Anëtarët nuk janë vetëm për mitingje apo veprimtari por edhe për tju gjendur në krah kur kanë nevojë. Zgjedhja e kryetarëve të Partisë me kohë të “plotë” në këtë drejtim mendoj se do të na ndihmojë mjaft në këtë drejtim ndaj e përshëndes këtë ndryshim të rëndësishëm statutor. Gjithashtu si cdo kolege grua dëshiroj të përshëndes barazimin real gjinor që po bën partia jonë.
Siç thoshte presidenti amerikan Kenedi, “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk do të na ndihmojnë dot”.
Ju faleminderit dhe punime të mbara!

*Fjala e deputetes, Blerina Gjylameti, në Kongres

Lini një Përgjigje
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm