Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Tirana zyrtare garanton siguri, stabilitet, bashkëpunim dhe zhvillim

Fjalime

Tirana zyrtare garanton siguri, stabilitet, bashkëpunim dhe zhvillim

19 Mar 2016    
Motra dhe vëllezër,

është gjithnjë një emocion i veçantë të gjendesh përballë socialistëve dhe progresistëve, njerëzve të një ideali, njerëz me të cilët kemi pasur dhe do të kemi një rrugëtim të gjatë të mbushur me momente të rëndësishme.

Argumenti i fjalës sime sot nuk është qeverisja, por pushteti në shërbim të njerëzve. Nuk është Kongresi, por bashkimi i interesave dhe ideve tona për një të ardhme ndryshe, më të begatë dhe më shpresëdhënëse. Argumenti i fjalës sime sot nuk është qeveria, por janë kolegët e mi, këta njerëz të devotshëm që prej 30 muajsh bashkë me të gjithë ata që drejtojnë punët në këtë vend, mundohen të vënë nëpër fije të gjithë gjërat e çuara për dreq në Shqipërinë e margjinalizuar nga politika e shtrembër dhe pa fantazi e viteve të mëparshme.
Argumenti i fjalës sime sot nuk është statuti, por mbi çdo argument është fjala ime mbi të gjithë ju këtu të pranishëm dhe për të gjithë ata që përfaqësoni.
Ju që jeni shpirti, rrahjet e zemrës, venat dhe gjaku që rrjedh në gjithë trupin e Shqipërisë në përpjekjen tonë të përbashkët.

U zgjodhëm për të ndrequr dhe drejtuar Shqipërinë nga të gjithë ata që punojnë ndershmërisht në familjet e tyre dhe për familjet e tyre. Paguajnë taksa dhe fatura, rrisin fëmijët e tyre si qytetarë të ndershëm dhe veprojnë sipas rregullave të një shoqërie evropiane.

Zgjedhja jonë ia ktheu pushtetin njerëzve dhe e vendosi qeverinë në anën e popullit. Prej 30 muajsh ne socialistët dhe progresistët po punojmë ndershmërisht për një Shqipëri larg ndasive politike, por dhe për sheshimin e të gjitha diferencave sociale.

Ditë pas dite ne po e heqim Shqipërinë nga duart interesave personale të të privilegjuarve. Ndryshimi është ndjerë që në javët e para të qeverisjes sonë miq të dashur.

Vendosëm ligjin në funksion të qytetarëve dhe jo të pushtetarëve. Rendi publik nuk është më politik dhe oficeri i policisë kërkon dokumenta dhe jo kartmonedha.
Kemi një arsim për të gjithë me nxënës dhe mësues të çliruar nga vargonjtë e politikës, me programe të mirëfillta, plane të studiuara dhe sukses bazuar thjesht dhe vetëm në meritë. Kemi një sistem shëndetësor që mendon për qytetarin dhe jo për tregtarin.
E kush tha se e kemi përfunduar këtë rrugë të nisur?! Përpjekja jonë të dashur miq socialistë vazhdon.
Kemi treguar gjithnjë se punojmë për të forcuar shtetin ligjor, kemi bërë ligje për të respektuar kërkesat dhe nevojat e qytetarëve dhe jo për t’i bërë qytetarët t’i përulen dëshirave të pushtetarëve.

Po realizojmë një reformë historike në drejtësi, për të dërrmuar korrupsionin e keqfunksionimin dhe për të rritur profesionalizmin dhe transparencën.
Po ndërtojmë vepra publike dhe po pastrojmë vendin nga kaosi i injorancës dhe pisllëkut, për ta bërë Shqipërinë një vend të vizitueshëm normalisht dhe jo të kjoskëzuar barbarisht.
Po tregojmë dita ditës se rruga mund të ketë edhe vijëzim, edhe tabela sinjalistike edhe asfalt që u qëndron shirave post elektoralë.
Menaxhojmë pjesën dërrmuese të pushtetit lokal, por edhe në atë pjesë që politikisht nuk e drejtojmë, e kemi qendër të prioriteteve tona, sepse ne drejtojmë Shqipërinë.
E kemi bërë atë një destinacion normal për çdo politikan perëndimoë, të cilët nuk tremben më se u grisen xhaketat për një foto.

Tirana zyrtare garanton siguri, stabilitet, bashkëpunim dhe zhvillim. Tirana nuk blen më favore të dyshimta me fondet e taksapaguesve të saj. Dhe mbi të gjitha ne jo vetëm punojmë, jo vetëm kthejmë në normalitet, por dhe shikojmë drejt së ardhmes, duke dëgjuar dhe menduar e reflektuar më së pari zërin e arsyes qytetare.

Në qershor të 2013 ne të gjithë patëm një ëndërr, ëndrrën e Shqipërisë që duhej rilindur. Këtu qëndroi dhe vazhdon të qëndrojë forca jonë e suksesi. Edhe pse jemi rrëzuar ndonjëherë, kemi ditur të ngrihemi pa harruar arsyen që na bëri të rrëzohemi.
E vetmja gjë që na bën të shohim përpara është dëshira për t’i bërë punët më mirë sesa të tjerët dhe besimi tek vetja. Pra tek të gjithë ju, burrat dhe gratë socialiste dhe tek të gjithë ata që nuk kanë nevojë të kenë një dokument anëtarësimi, por që na kanë lënë në duar të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Ne do të bëjmë më të mirën, sepse ne të gjithë këtu prezent e meritojmë këtë, por më shumë se ne, Shqipëria jonë e dashur e meriton këtë.

Do ta bëjmë këtë me guxim, optimizëm, fantazi dhe me ndershmëri. Ne nuk duhet dhe nuk do ta tradhëtojmë të ardhmen tonë.

Rroftë Partia Socialiste, Zoti e bekoftë Shqipërinë!

*Fjala e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli,në Kongres
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm