Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Anëtarësimet e reja, ka gjithnjë e më shumë arsye për t’u bashkuar me Partinë Socialiste

Fjalime

Anëtarësimet e reja, ka gjithnjë e më shumë arsye për t’u bashkuar me Partinë Socialiste

05 Feb 2016    
Mirdita të gjithëve!

Është kënaqësi që këtë fazë të fundit përpara kongresit të partisë, e kemi planifikuar si një fazë ku do të kombinohen zgjedhjet në të gjithë territorin, të delegatëve të kongresit, së bashku me zgjedhjet e drejtuesve të strukturave në 61 njësitë administrative të Shqipërisë, paralelisht me intensifikimin e procesit të anëtarësimeve të reja.

Kemi tanimë që nga muaji shtator që jemi të organizuar në këtë proces. Është bërë një punë e jashtëzakonshme për të riorganizuar nga themeli, të gjithë ngrehinën organizative të Partisë Socialiste. Ne jemi një forcë politike që është krijuar për të reformuar dhe që ka domosdoshmërinë që në këtë fazë historike për vendin, reformash të mëdha, të rireformojë edhe vetveten.

Më vjen mirë që këtu sot, janë një numër përfaqësues i anëtareve dhe anëtarëve më të rinj të Partisë Socialiste. Këtu nuk kam parasysh vetëm moshën, por kam parasysh faktin se  mosha të ndryshme, profesione të ndryshme, arsye të ndryshme, bashkohen për një qëllim të madh, për qëllimin e madh të Partisë Socialiste për të udhëhequr më tutje një proces historik reformash për vendin.

Jam i bindur se me këtë intensitet dhe me këtë përgjigje që marrim në gjithë territorin, në formën e dëshirës dhe të kërkesës për tu anëtarësuar në PS, tanimë prej muajsh të tërë, do të arrijmë dhe objektivin që në 25 vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste, në qershorin e këtij viti, ne faktikisht të kemi dyfishuar numrin tonë të anëtarësisë.

Por, nuk është numri një qëllim në vetvete, ashtu sikundër edhe hapja e partisë nuk është një qëllim në vetvete, por një shtysë e rëndësishme për të përafruar sa më shumë partinë me shoqërinë dhe për ta bërë sa më shumë çdo organizatë partie një pasqyrë të strukturës së shoqërisë, një shoqërie të larmishme dhe jo njësoj në çdo komunitet.

Në këtë proces kemi parë edhe shumë probleme të trashëguara që i kemi adresuar me kurajë dhe i kemi futur në rrugën e zgjidhjes. Problemin e organizatave me fiktivitet të lartë. Problemi i organizatave të bazuara tek një familje apo fis. Problemin e organizatave të mbyllura dhe të marra peng me vite e vite të tëra, në emër të së kaluarës. Probleme të organizatave që nuk reflektojnë politikën tonë të qartë të barazisë gjinore. Organizata pa gra, pa vajza, nuk mund të jenë organizatat e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Kjo është një parti që betejën për barazi gjinore e ka pjesë të mënyrës së vet të të qenit dhe të kuptimit të pozicionit të vet në një shoqëri që duhet të jetë gjithmonë dhe më e barabartë në këtë drejtim. Por edhe organizata me një numër të vogël anëtarësh të rinj, flas për moshën, nuk mund të jenë.

Të gjitha këto dhe të tjera që janë rreshtuar si probleme, janë adresuar në këtë proces dhe do të vazhdojnë të adresohen. Për ne është shumë e rëndësishme që organizata të jetë hapësira reale e përfaqësimit të interesave dhe shqetësimeve të komunitetit ku ajo organizatë vepron. E pra, aty të jenë të përfaqësuar sa më shumë ndjeshmëri, mundësisht të gjithë ndjeshmëritë e një komuniteti.

Kemi hasur herë pas here dhe problemin e ngushtimit të hapësirës së diskutimeve në një organizatë vetëm tek “kush u fut në punë në shtet, kush nuk u fut në punë në shtet”. Nuk mund të jetë kjo organizata socialiste. Nuk mund të jetë ky debati në organizatën e PS. Ndërkohë që duhet zgjeruar me kurajë dhe këmbëngulje hapësira për njerëzit  e punës, për ata që punojnë jo vetëm në shtet, për ata që punojnë në sipërmarrjen private, për ata që punojnë tokën në fshat dhe që jetojnë me punën e tyre dhe që kanë nevojë për një shtet që mbështet punën dhe rrugën e prodhimit të tyre, për një shtet që u siguron atyre dhe fëmijëve të tyre kushtet për të jetuar normalisht. Biznesi i vogël, njerëzit që merren me biznesin e vogël, njerëzit  e vetëpunësuar duhet të kenë vendin e tyre ne organizatën e Partisë Socialiste. Padyshim edhe plot të tjerë, në PS duhet të gjejnë vendin e tyre. Sepse sot, pas dy vjetësh e gjysmë në qeverisje, ne kemi plot arsye për t’ju drejtuar njerëzve thirrjen për tu bërë pjesë e PS, që ta fuqizojnë Partisë Socialiste dhe të rrisin kapacitetin reformues dhe transformues të qeverisjes dhe të shoqërisë sonë përmes PS. Kemi shumë arsye në çdo sektor. Kemi shumë arsye tu themi të gjithë atyre që sot meritojnë check-up-in falas, – ndërkohë që deri sot nuk kanë mundur kurrë të bëjnë një analizë, pasi kanë qenë të pasiguruar dhe analiza ka kushtuar 51 mijë lekë, – që ejani dhe bëhuni pjesë e PS, sepse PS si forca udhëheqëse e këtij koalicioni dhe si fuqia reformuese në këtë vend, do të bëjë realitet angazhimin e vet për mbulimin universal në shëndetësi, pra që gjithkush të marrë shërbimin ka apo nuk ka lekë. E nëse sot ne kemi siguruar – dhe është viti i parë-  që shërbimi tek mjeku i familjes të jetë falas, jo më me pagesë, ky është një tjetër hap dhe kjo është një tjetër arsye për tu thënë njerëzve, kjo është Partia Socialiste, por PS ka nevoje edhe për ju, sepse puna jonë, beteja jonë është larg të qeni e përfunduar, ka ende shumë për të bërë.

Ashtu sikundër të gjithë atyre që deri më sot janë stërmunduar për të bërë hemodializën në Tiranë, duke marrë rrugët, duke përballuar një stres të madh psikologjik, fizik dhe financiar dhe që ndërkohë nga sot do të mund ta marrin këtë shërbim, shumë pranë vendbanimit të tyre, duhet tu themi, kjo është Partia Socialiste. Ja një arsye më shumë për të besuar më shumë te Partia Socialiste dhe për tu bërë pjesë e saj.

Kapa disa aspekte që kanë të bëjnë me shëndetësinë, jo rastësisht dhe jo pa qëllim, sepse është një nga reformat më të vështira dhe një nga reformat më  të sulmuara. Është një reformë që ka sjellë uljen 30 % të ilaçeve. Është një reformë që ka sjellë heqjen e taksës së ilaçeve. Të gjithë qytetarët paguanin 10 % taksë për çdo kokërr aspirinë dhe për çdo tablete që blenin. Nuk e paguajnë më. E kjo si rezultat i politikës së PS dhe të qeverisjes sonë.

Nga ana tjetër, sot kemi rritur në mënyrë shumë të ndjeshme listën e ilaçeve të rimbursueshme, duke kursyer 70 milion dollarë, të cilat qytetarët i kanë në xhepat e tyre, jo më për të blerë ilaçe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sektorët e tjerë. Parafytyroni se sa e rëndësishme është që; gjerat që bëhen, gjërat që duhet të bëhen, gjërat që mund të bëhen më mirë, gjërat që mund të bëhen ndryshe, të jenë të gjitha pjesë e diskutimit në një hapësirë, si hapësira e PS, ku pikërisht për këtë arsye duhet të ketë përfaqësues nga e gjithë shoqëria. Strukturat tona do të jenë në ekuilibër të plotë me shoqërinë si fuqi përfaqësimi.

Dua ta ritheksoj edhe njëherë atë që thashë në fillim. Jemi në një proces historik reformash të munguara dhe të vonuara për 20 e kusur vite. Nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk kemi asnjë të drejtë që të ngurojmë në çuarjen përpara të reformave dhe ti trembemi kostove apo dhimbjeve të tyre. Pasi nëse Shqipëria do ti kishte ndërmarr këto reforma 20 vjet, 15 vjet, 10 apo 5 vite më parë, sot do të ishim duke bërë diskutime të tjera. Por, parafytyroni që ne të vazhdonim të bënim atë që bënë paraardhësit tanë, do të kishim humbur edhe 20 vjet të tjera dhe sot të ishim ende më keq se ç’ishim dy vjet e gjysmë më parë.

Jo se sot kemi arritur në pikën ku mund të themi që jemi jashtëzakonisht mirë, por padyshim jemi në drejtimin e duhur dhe në çdo aspekt po avancojmë, diku më shpejt, diku më ngadalë, diku me rezultate më të dukshme, diku me rezultate që ende nuk janë të prekshme për të ndërtuar të gjithë atë bazë që i duhet Shqipërisë për të patur shtet. Nuk ka dyshim se PS edhe njëherë tjetër në historinë e këtyre 20 e kusur viteve, po provon dhe këtë herë, po e provon me forcën e madhe të argumenteve të çdo reforme, se është fuqia  e vetme që mund të bëjë shtet në këtë vend.

Prandaj, ju uroj mirëseardhjen të gjithë vajzave dhe djemve, grave dhe burrave që sot i janë bashkuar PS dhe me shumë kënaqësi, bashkë me miqtë dhe kolegët e tjerë do t’ju japim simbolikisht disa nga dokumentet e pranimit.

 

*Fjala e Kryeministrit dhe njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në takimin me anëtarët e rinj të Partisë Socialiste në Berat:
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm