Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Çdo formë korrupsioni e funksionarëve publikë, prej sot, konsiderohet një krim i rëndë

Fjalime

Çdo formë korrupsioni e funksionarëve publikë, prej sot, konsiderohet një krim i rëndë

10 Mar 2014    
Të nderuar koleg,

Në fakt ky projektligj është arsyeja përse grupi parlamentar i Partisë Demokratike po largohet dhe nuk pranoi të bëhet pjesë e diskutimit të këtij projektligji në Kuvend, madje edhe të jap votën. Të jap votën për një ligj që sot hedh hapin e parë të rëndësishëm të mazhorancës tonë në luftën kundër korrupsionit në çdo nivel edhe në nivelin më të lartë, atë politik, për ish-ministra, ish-kryeministër dhe të tjerë me radhë.

Korrupsioni për ne përbën një sfidë serioze, që dëmton demokracinë dhe qeverisjen e mirë.

Lufta kundër korrupsionit është angazhimi ynë primar përpara qytetarëve shqiptarë.

Sot përmes këtij projektligji i cili e konsideron korrupsion një krim të rëndë, ne po materializojmë në ligj, detyrën që na dha populli shqiptar më 23 Qershor. Ne po kategorizojmë korrupsionin sot si një krim të rëndë,  për të hetuar dhe dënuar të korruptuarit, për të ndëshkuar korrupsionin si një krim të rëndë ndaj shtetit dhe qytetarëve.

Rregullimi i ri ligjor që propozohet sot për miratim nga Qeveria në  Kuvend në fushën e anti-korrupsionit, nëpërmjet ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, ndër të tjera, e konsideron korrupsionin një ndër krimet e rënda në vend dhe që duhet të gjykohet nga një gjykatë e specializuar dhe të hetohet nga një prokurori e specializuar.

Ndryshimi i propozuar sot kategorizon se veprat penale në fushën e korrupsionit duhet të përfshihen në nenin  75/a, të Kodit të Procedurës Penale, veçanërisht për shkak se korrupsioni është i lidhur ngushtë me veprat penale në fushën e pastrimit të parave.

Sot ky projekt-ligj nuk duhet të ketë fare debat por ata u larguan dhe nuk dhanë votën.

Kush nuk e voton këtë projektligj, është në anën e korrupsionit.

Kush është kundër këtij projekt-ligji është peng i korrupsionit.

Kush nuk pranon të kategorizohet korrupsioni si një krim i rëndë, është një i korruptuar që ka frikë nga dënimi i ashpër, që pason pas miratimit të këtij projektligji.

Votimi i sotëm është një votim historik.

Në nenin 1, të këtij  projektligjit, parashikohet të shtohet një paragraf në nenin 75/a, të ligjit në fuqi, duke i shtuar listës aktuale të veprave penale në kompetencë të Gjykatës së Krimeve të Rënda edhe 4 vepra të tjera penale të cilat thyhen zakonisht nga politikan dhe zyrtarë lartë.

Konsiderohet sot krim i rëndë:

neni 245, “Korrupsioni aktiv ose pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe i të zgjedhurve vendorë”;

Çdo formë korrupsioni e funksionarëve publikë në tokën shqiptare, prej sot, konsiderohet një krim i rëndë.

Zyrtari që merr ryshfet për një tender, kryetari i bashkisë apo komunës që merr përqindje nga një punë publike apo parafikson fituesit e tenderave publikë, prej sot duhet ta dinë se kryejnë një krim tepër të rëndë, dhe do të ndëshkohen ashpër.

Prandaj ju themi sot, këtyre që u larguan, protektorëve politikë të korrupsionit të ish-zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, të ish-zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, të Policisë së Shtetit, të ish-zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë, të ish-zyrtarëve të Ministrisë së Punës, të ish-zyrtarëve të ALUIZNI-t, sepse korrupsioni i tyre prej sot  është një krim i rëndë.

Krim i rëndë është edhe korrupsioni i top-modelit të PD-së për korrupsionin, heroit të tyre Xhelal Mziut. Turp i madh për  një parti politike që ka qenë 13 vjet në pushtet nga këto 20 vjet, merr në mbrojtje korrupsionin. Mirë korrupsion e familjes që e mbroni, sepse për të në fakt kanë punuar të gjithë. Por e vërteta është se familja mbushte sofrën, por edhe copat pa leje apo thërrmijat që binin poshtë nuk ishin keq për ca nga ju, prandaj nuk janë sot në këtë seancë. Por edhe korrupsionin e Xhelalit, që nuk ka Sali-batanije ta mbrojë, edhe atë ta duan ta mbrojnë sot duke mos qenë pjesë e këtij votimi.

Ankohen këtu për rivendosjen e pavarësisë në ILDKP. Ajo që i kthehet sot Shqipërisë është pikërisht pavarësia e ILDKP-së, sepse në rast se aty do të qëndronte një ish-zëvendësministre e qeverisë së Saliut, atëherë a mund të quhej ky një institucion i pavarur?

Ndërkohë që ne thjesht dhe vetëm respektuam Presidentin e Republikës, respektuam dekretet e Presidentit të Republikës duke vendosur në atë institucion një specialistë të fushës që s’ka aspak lidhje me asnjë parti politike.

Ky sistem gjyqësor që kemi sot në Shqipëri është një ndër plagët më të rënda. Prandaj vendosja si një krim të rëndë e korrupsionit aktiv, të gjyqtarit, të prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të një reforme të thellë gjyqësore dhe pavarësisë gjyqësore.

Dua të falënderoj sot edhe njëherë emisionin investigativ “Fiks Fare”, në Top Channel, që për disa muaj me radhë nxori në dritë pazaret që në gjykatat shqiptare ndodhin përditë. Fiks Fare tregoi se në Shqipëri drejtësi ka, por drejtësia është me para për shkak të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, një pjesë e tyre mjaft e madhe e korruptuar.

Që të ketë një reformë reale në sistemin e drejtësisë, duhet mes të tjerash të kesh dëshirë dhe vullnet politik.

Ne, mazhoranca jonë, e kemi vullnetin dhe dëshirën politike, po këta që nuk janë sot pjesë e votimit të këtij projektligji kaq të rëndësishëm, a kanë vallë vullnet politik për të luftuar korrupsionin?

Asnjë ditë deri më sot nuk e kanë treguar vullnetin politik, që në fakt duhet ta kishte një opozitë. Nuk ka liri më të madhe se të jesh në opozitë sepse opozita ka në dorë fjalën, por fjala duhet të jetë në funksion të luftës kundër korrupsionit dhe të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Shumica jonë po godet korrupsionin dhe krimin, por po ndeshemi me murin cinik të garantëve të krimit të pushtetit të djeshëm, që kanë konsoliduar pozitat në sistemin e drejtësisë.  Ndaj reforma reale duhet të nisë pikërisht në sistemin e drejtësisë.

Këshilli i Evropës e ka kapur thelbin e problemit që ka sot drejtësia në Shqipëri. Ky problem është mënyra se si riciklohet krimi gjyqësor përmes sistemit të drejtësisë në KLD, në kushtet e një organi akuze tërësisht të frikësuar nga pushtetarëve e djeshëm.

Korrupsioni në gjyqësor duhet të marrë fund. Sot me këtë projekt-ligj, i themi çdo gjyqtari mjaft bëre pazare me ligjin, sepse ligji po vjen të të godasë ty nëse vazhdon të jesh i korruptuar. Edhe historia e dëshmitarëve të rremë apo ekspertëve të korruptuar nëpër gjykata duhet të marrë fund.

Sot duhet të përshëndesim kërkesën e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, për hetimin e dy mjekëve të Spitalit Ushtarak, të cilët gjoja si ekspertë mjekësorë u përfshinë në përdorimin politik të vrasjeve të 21 Janarit. Sigurisht gënjeshtrat e tyre të turpshme atë ditë vrasjesh, duhen ndëshkuar. Por gënjeshtrat e dy ekspertëve doktorë janë ku e ku më larg para gjëmave që nxori nga goja Sali Berisha atë ditë. Do ishte diskriminim, nëse hapi i ndëshkimit nuk shkon tek ata që gënjyen dhe vranë vërtet atë ditë.

Një çështje tjetër shumë e rëndësishme në Kodin e Procedurës Penale që shoqërohen edhe me ndryshimin e ligjit nr.10192/2009, ku në nenin 3 të tij, parashikohen veprat penale që përfshihen në fushën e veprimit të ligjit, do të shtohen edhe veprat penale në fushën e korrupsionit, duke mundësuar parandalimin e veprimeve korruptive, nëpërmjet sekuestrimit/konfiskimit të pasurive të pajustifikuara.

Këtu e kanë hallin këta që ikën sot sepse përmes këtyre ndryshimeve ligjore që ne bëjmë, të korruptuarve nuk u garantohet burgu, ashtu siç e meritojnë, po u konfiskohet edhe pasuria. E këta që ikin e kanë merakun se mirë po pranojnë të bëjnë ca ditë burg por jo t’u preket dhe pasuria. Prandaj nuk vinë sot të diskutojnë këtë projektligj, këtë paketë ligjore, që gjej rastin në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste ta përshëndes Ministrin e Drejtësisë për një proces gjithëpërfshirës në kuadër të diskutimit të kësaj pakete dhe për një hap shumë të rëndësishëm në materializimin e  angazhimit tonë si mazhorancë, në funksion të luftës kundër korrupsionit. Një propozim i tillë reflekton në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe sugjerimin e Këshillit të Evropës, që i ka kërkuar Shqipërisë sonë prej shumë kohësh specializimin e personave apo të organeve që merren me luftën kundër korrupsionit, si dhe mbështetjen e tyre me burime materiale dhe trajnime për të përmbushur funksionet e tyre, si një mënyrë efikase për të parandaluar korrupsionin.

Edhe Bashkimi Evropian, përmes ekspertëve të misionit EURALIUS në konferencën “Praktikat e mira të drejtësisë penale”, kanë propozuar që veprat penale në fushën e korrupsionit të jenë kompetencë të Gjykatës për Krime të Rënda, që nënkupton edhe hetimin e këtyre veprave nga Prokuroria për Krime të Rënda. Sipas ekspertit të misionit të Bashkimit Evropian, kjo do ta bënte më të frytshme luftën kundër korrupsionit.

Pra, siç e shikoni paketa jonë sot përmbledh në vetvete rekomandimet e dy institucioneve më të rëndësishme në fushën e së Drejtës Evropiane, atë të Këshillit Evropian por edhe në fushën e së Drejtës Evropiane, siç është misioni i EURALIUS në kuadër të Bashkimit Evropian.

Zonja deputete,

Zotërinj deputetë,

Qeveria dhe mazhoranca jonë po e luftojnë korrupsionin në çdo nivel, pa dallim politik, pa ngjyrim politik. Korrupsioni është i zi, nuk është as i kuq, as rozë, as blu dhe ne po e ndëshkojmë atë.

Vetëm gjatë muajit Shkurt 2014, strukturat kundër korrupsionit kanë ndërmarrë një sërë operacionesh të suksesshme ku mund të veçojmë:

U finalizua pas një hetimi disa mujor, operacioni “Azilanti”, zhvilluar në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Task-Forcë pranë Prokurorisë Durrës, ku u arrestuan 3 persona për veprat penale korrupsion aktiv dhe pasiv në sektorin privat e falsifikim dokumentesh. Këto shtetas, kundrejt shpërblimit, u lëshonin vërtetime fallso shtetasve të ndryshëm për ti përdorur për të përfituar azil në vendet e Evropës.

Më datë 19 Shkurt 2014, në Elbasan u finalizua operacioni “PËRMBARUESI” gjatë të cilit u arrestua një përmbarues, i cili u kap në flagrancë duke kryer veprime korruptive për mosekzekutimin e një vendimi gjyqësor në këmbim të parave.

Me datë 18.02.2014, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, u finalizua me sukses operacioni policor “UJESJELLËSI”, me arrestimin për veprat penale ”Falsifikim të dokumentave” dhe “Shpërdorim detyre“ të dy personave, të cilët kishin paguar si punonjës persona që kishin qenë jashtë vendit mbi tre muaj. Persona që ishin në Shqipëri dhe paguheshin me pagë nga funksionar të lartë politik të partisë që la sot Kuvendin.

Më datë 22.02.2014, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Task- Forcë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi disa mujor, u finalizua me sukses Operacioni “MASTER”, me arrestimin e dy pedagogëve dhe të dy studenteve të Universitetit Aleksandër Moisiu, Fakulteti Infermierisë në Durrës. Këta pedagogë, dyshoheshin se në bashkëpunim me studentët e arrestuar u merrnin studentëve të tjerë shuma të caktuara parash në këmbim të notave kaluese në provim.

Më datë 24.02.2014 po në muajin shkurt, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Task- Forcë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua operacioni policor “CALL ME”, me arrestimin e tre punonjësve të Inspektoratit të Punës, Dega Rajonale Tiranë, të cilët u kapën në flagrancë në momentin që i morën administratorit të një subjekti privat, një shumë të konsiderueshme parash, në këmbim të mosushtrimit të kontrollit tek ky subjekt për një periudhë prej 6 muajsh dhe të heqjes së një gjobe që i kishin vënë.

Në total vetëm në muajin Shkurt 2014 janë proceduar penalisht 82 persona për veprën penale të korrupsionit. Ky numër procedimesh për një muaj të vetëm, është sa gjithë numri i procedimeve për korrupsion në vitin 2011.

Vetëm në muajin shkurt të këtij viti kemi procedime penale, për veprën penale të korrupsionit, sa për gjithë vitin 2011.

Kjo është lufta jonë pa kompromis kundër korrupsionit.

Miratimi i këtij projektligji do të sjellë rritje të cilësisë së hetimit dhe gjykimit të veprave penale në fushën e korrupsionit, duke synuar dënimin e çdo individi që kryen veprime korruptive, si dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Kushte këto të domosdoshme që Shqipëria jonë të përparojë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Prej sot, të nderuar kolegë dhe kolege, korrupsioni në Shqipëri konsiderohet një krim i rëndë.

Ky është një hap i madh. Faleminderit!

*Fjala në emër të grupit parlamentar socialist, e nënkryetarit Taulant Balla, në seancën e sotme gjatë diskutimeve për Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”,  të ndryshuar”
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm