Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Demokratët e Shqipërisë si demokratët Kavajës; do i kthejnë kurrizin politikës së urrejtjes

Fjalime

Demokratët e Shqipërisë si demokratët Kavajës; do i kthejnë kurrizin politikës së urrejtjes

19 Jun 2013    
Përshëndetje!

Përshëndetje të gjithëve dhe mirënjohje të thellë në radhë të parë për çunat e Kavajës që na bënë një pritje madhështore që tek Shkëmbi i Kavajës. Pastaj, për të gjitha vajzat dhe gratë këtu në këtë shesh, në sheshin e qytetit të çliruar në 8 Maj të dy viteve më parë nga pushtimi i çetës së vogël të rrënimit të Kavajës, që 20 vjet me radhë e mbajti Kavajën në kthetrat e korrupsionit dhe të harresës.

E, sot shikojeni të dashur motra dhe vëllezër, qytetare dhe qytetarë të Kavajës, se çfarë ka ndodhur. Sekretari i Partisë së Punës, Sali Berisha është bashkuar me punistin Kastriot Islami, kurse unë jam bashkuar me djalin tuaj, një nga protagonistët e lëvizjes së dhjetorit, Parid Carën.

Pra, gjërat kanë shkuar në vendin e tyre, ata të të shkuarës janë së bashku. Ne të së ardhmes jemi së bashku. Saliu vjen me Kaçin këtu në Kavajë dhe ju thotë hajde të shkojmë përpara, përpara me Saliun dhe me Kaçin është t’i biesh nga prapa dhe të mos ta gjesh më kurrë rrugën. Ndërkohë që, unë kam ardhur këtu me Paridin për t’ju thënë që së bashku është ora që t’i japim Shqipërisë mundësinë të rilindë.

Jam i bindur se Rilindja do të fryjë si një erë e stuhishme në Kavajë dhe do ta marrë përpara dhe do ta çojë prapa diellit katragjyshin me antiplumb, atë që 20 vjet erdhi këtu duke ngritur dy gishtat, por jo për të mbajtur lart dinjitetin e lëvizjes së madhe kundër regjimit, jo për të mbajtur lart shpresat dhe ëndrrat, por për t’i përdorur ato dy gishta si një sfurk në sytë e njëri-tjetrit.

Ndërsa ne, sot vijmë këtu krenarë, sepse prej dy vjetësh po i japim Kavajës provën e prekshme, që të votosh për socialistët do të thotë të votosh për vetveten; provën e prekshme se të votosh për përfaqësuesit tanë do të thotë të votosh për një vend më të pastër dhe sot Kavaja është më e pastër se dy vjet më parë; Të votosh për socialistët do të thotë të votosh për një vend të lirë. Sot Kavaja është e lirë e jo si dy vjet më parë; Të votosh për socialistët do të thotë të votosh për shërbim ndaj njerëzve dhe sot njerëzit në Kavajë prej dy vitesh shërbehen si njerëz dhe si qytetarë të denjë të këtij qyteti.

Para dy vjetësh, ne morëm nga Kavaja një besim të madh, sot pas dy vjetësh unë jam këtu për t’u zotuar që me besimin që do na jepni në 23 Qershor, ne do të bëjmë për Kavajën sa nuk është bërë në 20 vjet të marra së bashku. Saliu me paturpësinë më të madhe erdhi këtu para disa javësh dhe i tha Kavajës se nuk do t’u japë asnjë mbështetje për sa kohë ju do mbështesni Edvinin e vogël, prandaj Kavaja në 23 Qershor do të mbështesë Edvinin e madh njësoj si të voglin dhe unë bashkë me kryetarin e Bashkisë tuaj do të ju mbështes ju duke jua kthyer 100-fish besimin tuaj.

Kam një apel për të gjithë demokratët e Kavajës:

Besoj që mes Elvis Roshit dhe Sali Berishës demokratët e Kavajës e kanë fare të lehtë të zgjedhin. Ashtu sikundër jam i bindur se demokratët e Kavajës e kanë fare të lehtë të zgjedhin mes Kastiot Islamit dhe Parid Carës.

Duke zgjedhur të mbështesin Elvis Roshin, duke i dhënë mundësinë që të ketë pranë qeverinë në Tiranë dhe të votojnë Parid Carën duke i dhënë vetes mundësinë që të përfaqësohen denjësisht në Kuvendin e Shqipërisë, demokratët e Kavajës do të zgjedhin vlerat dhe parimet e asaj demokracie për të cilën Kavaja doli në shesh në vitin 1990.

Por, Kavaja nuk është vetëm vendi ku zgjedhin qytetarët e Kavajës, Kavaja është edhe vendi ku gjithë Shqipëria shikon për të bërë zgjedhjen e vet. E pra, të gjithë demokratët e zakonshëm të Shqipërisë le të shikojnë demokratët e zakonshëm të Kavajës, të gjithë demokratët e ndershëm të Shqipërisë le të marrin shembull nga demokratët e ndershëm të Kavajës. E kështu, së bashku, njësoj siç ndodh në Kavajë le ta ndërtojmë një Shqipëri të bashkëjetesës qytetare mes socialistëve dhe demokratëve, një Shqipëri që t’i kthejë përfundimisht kurrizin politikës së vjetër të mllefit e urrejtjes, një Shqipëri që ndahet përfundimisht nga katragjyshi dhe antiplumbi i tij, një Shqipëri e njerëzve dhe për njerëzit, e familjeve të zakonshme dhe për familjet e zakonshme, një Shqipëri e punës së ndershme dhe për punën e ndershme.

Rroftë populli i Kavajës!

Rrofshin të gjithë demokratët e Kavajës!

Rrofshin socialistët dhe progresistët e Kavajës!

Rrofshin kavajasit pa dallim bindjesh politike e përkatësish partiake!

Respekt për Elvis Roshin, për Parid Carën, për Gent Dajën dhe gjithë çunat e mrekullueshëm dhe vajzat e gratë e paepura që po e transformojnë Partinë Socialiste në Kavajë në fuqinë e shpresës për gjithë qytetarët e Kavajës.

Rroftë Shqipëria!

Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!

Rilindje! Rilindje! Rilindje!

* Fjala në mitingun përmbyllës në Kavajë e Kryetarit të PS, Edi Rama.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm