Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Do rikthejmë Policinë e Shtetit në misionin e vet

Fjalime

Do rikthejmë Policinë e Shtetit në misionin e vet

14 Sep 2013    
Përpiqem të kuptoj shqetësimin e kolegut parafolës (Flamur Nokës) lidhur me familjen time. Përpiqem të kuptoj dhe shqetësimin e tij lidhur me shëndetin tim. Fundja parafolësi është i vetmi në këtë parlament që ka studiuar më shumë për shëndetësinë.

I ka filluar studimet në diktaturë dhe i mbaroi me anëtarësimin në NATO. 17 vjet shkollë.

Por besoj që më shumë sesa merak për shëndetin tim, kolegu parafolës donte të shprehte kuadrin e shqetësimeve që unë mendoj se ai ka në tërësi për shëndetin e qytetarëve.

Mund edhe të zgjidhte të shfaqte këtu veprat dhe punët që mund të ketë bërë ai vetë ose maxhoranca e djeshme për të garantuar jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve, si dhe të më jepte mua dhe maxhorancës së re ndonjë kritikë që do e kishim mbajtur parasysh a ndonjë sugjerim që do e kishim mbajtur shënim.

Megjithatë zgjodhi një rrugë tjetër të të shprehurit të shqetësimit.

Unë jam shumë mirë me shëndet. Faleminderit.

Dhe megjithatë kam bindjen që bashkohemi në shqetësimin që sot siguria për jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve është shumë larg standardit që duhet të jetë. Është çështja me më shumë interes që qytetarët presin të dëgjojnë prej nesh. E më konkretisht, si duhet e do përmirësohet.

Shifrat e kriminalitetit janë shumëfishuar disa herë. Unë nuk besoj ky vend ka qenë ndonjëherë më i pasigurt se kaq. Krimi duket që është më trim se shteti, është një hap para. Është më i sofistikuar, me konjukturë të përhapur, shpesh herë me imunitet është financiarisht më i fortë, por dhe më i mbrojtur nga muri i pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit.

Nuk do flas për kronikat e lajmeve. Nuk ka nevojë për shumë koment për të renditur katalogun e vrasjeve, plagosjeve, në rrugë, në shtëpi, në lokal, në punë, në shkollë, ditën, natën, në qytet, në fshat, kudo. Madje krimi ngre dorën dhe kundër shtetit dhe kundër oficerëve të lartë të Policisë së Shtetit. Dhe nuk ka frikë. Prandaj sot lagjet janë vende të pasigurta. Qytetet janë vende të pasigurta. Rrugët po ashtu. E njëjta situatë pasigurie.

Qytetarët kanë frikë ama. Po flas për frikën për të jetuar i lirë nga pasiguria për jetën dhe shëndetin. Për të jetuar i lirë nga kërcënimi që të vjen papritmas direkt pas cepit. Frika për të çuar fëmijët në shkollë, ankthi për të bërë biznes i lirë nga grabitjet.

Qytetarët nuk janë të lirë nga frika. Krimi është i lirë nga frika e shtetit, e Policisë së Shtetit dhe e drejtësisë. Unë besoj që biem dakord se sot është e domosdoshme të bëjmë të pamundurën për të rikthyer lirinë e qytetarëve. Të jetojnë të lirë duke vrarë frikën ndaj krimit, të sigurt e të mbrojtur nga shteti. Nga Policia e Shtetit.

Ne do rikthejmë Policinë e Shtetit në misionin e vet. Do rivendosim rendin dhe qetësinë publike.

Do themelojmë Byronë Kombëtare të Hetimit, ku do të përmbledhim funksionet themelore të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut.

Do i japim një tjetër ritëm luftës kundër krimit të hapur dhe krimit të organizuar. Ashtu siç do të luftojmë pa asnjë kompromis kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe narkotikëve.

Ne synojmë ta nxjerrim përfundimisht Shqipërinë nga niveli i turpshëm i "vendeve në vëzhgim" në renditjen e Departamentit Amerikan të Shtetit, për shkak të dështimit të deritanishëm në luftën kundër trafikut.

Sfida më e vështirë mbetet lufta me mafien ekonomike/financiare. Bëhet fjalë për biznese super të mëdha, për presion financiar spektakolar. Bëhet fjalë për një sistem të organizuar dhe të konsoliduar, me tentakula që rrezikojnë pavarësinë vendimmarrëse të çdo autoriteti publik, përfshirë dhe parlamentin.

Pasuri minerare, ujërat, energjitika, pasuria e paluajtshme, xhiro financiare me miliona euro, investime në turizëm e kudo. Këto janë fushat që po sulmohen, në mos janë nënshtruar ndaj krimit mafioz.

Pa ekzagjeruar, po ju them se luftën kundër krimit dhe mafies, do e konsiderojmë emergjencë kombëtare dhe do investojmë të gjitha resurset për të ndarë një herë e mirë shtetin nga krimi dhe mafia, vendimmarrjen publike nga interesat mafioze, për të shpëtuar ekonominë, pasurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

Jemi të vendosur të rikthejmë besimin e publikut te Policia e Shtetit. Duke filluar me vetë ridimensionimin e filozofisë së marrëdhënies ndërmjet policisë dhe qytetarit.

Sot që flasim, Policia e Shtetit nuk është partner me qytetarët. Duket sikur punonjësin e policisë duhet ta kenë frikë të gjithë. Sepse nga ana tjetër është vetë punonjësi i policisë që gabimisht sillet sikur duhet ta kenë frikë të gjithë.

Kur ndërkohë duhet të jetë tërësisht ndryshe dhe ne do punojmë për ta ndryshuar tërësisht këtë koncept. Punonjësi i policisë do jetë partner, mik në qoftë se do duhet, me qytetarët që as e çojnë nëpër mend të shkelin ligjin. Beteja për siguri është beteja e përbashkët e qytetarëve që ndihmojnë Policinë e Shtetit për të kryer detyrën ndaj atyre që shkelin ligjin.

Frikë duhet të kenë ata që kanë bërë diçka për t'iu trembur ligjit. E në vazhdim, do i tremben dhe Policisë së Shtetit.

Në këtë moment, struktura e policisë është kokëposhtë. Afro 15 % e drejtuesve dhe oficerëve të lartë, është në zyra. Mbi 800 punonjës janë futur brenda Hotel Arbanës, pra Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. As kur ishte hotel nuk mbante kaq shumë njerëz sa mban tani që është njësia qendrore e Policisë së Shtetit.

Ne do zbresim policinë në bazë. Do zbrazim zyrat dhe do çojmë policinë afër qytetarit. Do riformatojmë strukturën për ta rikthyer Policinë e Shtetit në terren, afër njerëzve, afër problemeve dhe cilësisht më mirë në shërbimin ndaj sigurisë së jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve.

Parimi "një shtet - një polici" është filozofi dhe mënyrë organizimi ndryshe. Do sigurojmë që asnjë vepër penale të mos mbetet jashtë vëmendjes së policisë për shkak të anarkisë së kompetencave apo vakumit të përgjegjësive.

Do sigurojmë që të parandalojmë krimin, duke nisur që te sjelljet shoqërisht të rrezikshme. Këto kohë kanë ndodhur dhe krime të paralajmëruara, ose të denoncuara por të neglizhuara.

Të tilla nuk do ndodhin më. Do marrim masa ta vlerësojmë maksimalisht çdo sinjalizim dhe të ndjekim hap pas hapi zhvillimin e çdo konflikti që mund të sjellë pasoja fatale.

Forca parandaluese dhe hetimet proaktive do risjellin në eficencë të plotë Policinë e Shtetit, e bashkë me të, besimin e publikut te institucionet, shteti ligjor dhe drejtësia.

Ne do reformojmë jo vetëm strukturën dhe organikën e Policisë së Shtetit, duke pasur parasysh hartën e tendencave të kriminalitetit, lëvizjet demografike, shtrirjen gjeografike dhe elementët kriminal potencial, por do të përcaktojmë mirë përgjegjësitë për të gjitha nivelet drejtuese të zinxhirit të komandës dhe matjen rigoroze të eficencës në punë.

Do bëjmë të gjitha përpjekjet për të garantuar infrastrukturë, trajtim financiar dhe mbështetje logjistike për punonjësit e Policisë së Shtetit. Duke filluar nga zyrat e godinat deri te infrastruktura e lëvizshme, dhe sigurisht pagat.

E dimë mirë të gjithë se paqja shoqërore mes qytetarëve është e kërcënuar në themel, për sa kohë armët mbeten alternativa gjerësisht e përhapur, në mos e para, për të zgjidhur konfliktet.

Nga fyerjet në rrjetet sociale deri të konfliktet për nderin, për pronën, pasurinë, e në fund përplasjet mafioze, larjet e hesapeve dhe hakmarrja e gjakmarrja si trashëgimia jonë më e keqe në mungesë të shtetit ligjor dhe drejtësisë. Vetëgjyqësia ka zëvendësuar mekanizmat ligjor, ndërkohë që Policia e Shtetit është gjithmonë një hap më pas.

Do marrim masa radikale ndaj armëmbajtjes, duke e konsideruar armikun numër 1 të sigurisë publike. Do rishohim kuadrin ligjor por do e vëmë gjithashtu në prioritetet absolute të punës së Policisë së Shtetit.

Nga ana tjetër, shoqëria sot është ndarë e pabarabartë.

Në njërën anë është shumica dërrmuese e qytetarëve të ndershëm, të cilët shpesh gjenden të braktisur dhe pa mbrojtjen e Policisë së Shtetit, por njëkohësisht më të kërcënuar nga paligjshmëria, nga krimi dhe dështimi i policisë.

Dhe në anën tjetër ata që jemi mësuar ti quajmë "të fortët". "Të fortët" që sot janë të paprekshëm. Për imunitet përdorin paranë, armët, pa lënë mënjanë lidhjet me pushtetarët dhe politikën apo lidhjet me vetë Policinë e Shtetit.

Këta janë të fortët përsa kohë është i dobët shteti dhe vetë Policia e Shtetit. Sepse Policia e Shtetit sillet me arrogancë ndaj më të dobëtëve dhe është e dobët ndaj të fortëve dhe arrogantëve.

Në ka një gjë që vret besimin e qytetarëve të Policia e Shtetit dhe shkatërron imazhin e drejtësisë është shfaqja e të fortëve që nuk pyesin për policinë dhe arroganca e policisë ndaj qytetarëve të bindur ndaj ligjit.

Kjo do marri fund menjëherë.

Do bëjmë gjithçka është e mundur për të rivendosur barazinë para ligjit dhe për të shembur murin e të paprekshmëve. Para ligjit dhe Policisë së Shtetit do jenë të gjithë të barabartë.

Po e deklaroj me përgjegjësi këtu, Policia e Shtetit nuk do njoh më asnjë lloj imuniteti, asnjë lloj të forti apo të paprekshmi. Cilido shkelës ligji, do përgjigjet deri një më një, pavarësisht statusit shoqëror, financiar, familjar apo konjuktural, dhe dëshiroj ta theksoj, qoftë familjar, i afërm, mik, shok, koleg, kontribuues, i cilitdo prej nesh këtu e cilido jashtë kësaj salle, ligji dhe Policia e Shtetit duhet dhe do veprojë për të gjithë njëlloj. Na duhet të arrijmë një objektiv, të mos ketë më të paprekshëm dhe ligji të jetë një për të gjithë.

Rrugët janë kthyer në teatër absurd njerëz që humbasin jetën ose gjymtohen përditë. Ndërkohë që punonjësit e policisë ndalojnë e jo rrallë dhunojnë a zhvasin nga lekët ata që nuk ngrenë zërin, ndërkohë që kategorinë e makinave të paprekshme, e njohin që larg e as marrin mundimin të bëjnë sinjal të ndalojnë.

Ne do bëjmë çmos që të kthejmë siguri dhe rregull në rrugë. Për të garantuar jetën e qytetarëve por edhe për të rivendosur disiplinimin e trafikut, gjë që do të shkurtonte kohë, mund e para për shtetin dhe qytetarët.

Fatkeqësisht, korrupsioni në Policinë e Shtetit është përhapur. Madje jo të pakta kanë qenë sinjalizimet për bashkëpunim të segmenteve të caktuara të Policisë së Shtetit me botën e krimit.

Ka punonjës policie të inkriminuar, siç ka dhe militantë që as dinë ta ndajnë detyrën në emër të ligjit nga dëshira në emër të partisë.

Ne do rishikojmë të gjitha praktikat e punësimit, të karrierës, të efektivitetit në detyrë për çdo punonjës policie. Do ndjekim çdo denoncim dhe hetim të kaluar por edhe në vazhdim për përfshirje të punonjësve të Policisë së Shtetit në veprimtari abuzive dhe kriminale. Të parët do përjashtohen nga Policia e Shtetit dhe do procedohen. Të dytët do shkojnë para drejtësisë dhe në Policinë e Shtetit nuk do shkelin më.

Siç nga ana tjetër është i papranueshëm cënimi i sistemit arsimor policor, por akoma më e papranueshme që punonjësit e Policisë së Shtetit të kenë formim më të ulët se mesatarja e formimit arsimor të shoqërisë.

Në kohët që jetojmë me nivelin arsimor dhe formimin e përgjithshëm të shoqërisë dhe brezit të ri është e rëndësishme që të vendosim si objektiv që punonjësit e policisë të jenë në shumicë me formim universitar.

Vetë Akademia e Policisë do ristrukturohet në kohëzgjatje dhe kurrikula bashkë me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, për ta kthyer në një institucion arsimor universitar, duke synuar akreditimin, me përfshirjen në sistem të diplomimit dhe formimit të vazhdueshëm të punonjësve të policisë, sigurisë publike dhe emergjencave civile. Ndërkohë jemi në studim të krijimit të Akademisë së Sigurisë, por ky projekt do marrë kohën e vet.

Do synojmë ndërtimin e modelit të punonjësit të policisë si shembull për komunitetin, në respektimin e ligjit dhe drejtësisë, filluar nga ushtrimi detyrës e deri të jeta private dhe shoqërore.

Do mbështesim profesionistët, punonjësit e përkushtuar dhe të devotshëm. Do rishikojmë sistemin e karrierës dhe gradave për të garantuar që ti përgjigjet formimit profesional, aftësisë, devotshmërisë dhe suksesit në detyrë.

Do bëjmë maksimumin për të rikthyer dinjitetin e punonjësit të policisë, duke filluar nga uniforma, etika e komunikimit dhe ushtrimit të detyrës deri te promovimi i vlerave më të mira brenda Policisë së Shtetit.

Do zhvillojmë dimensionin human brenda Policisë së Shtetit. Do të garantojmë brenda mandatit të parë strehimin e të gjitha familjeve, punësim për të gjitha gratë dhe përkujdesje për arsimin e të gjithë fëmijëve jetimë të policëve të vrarë në krye të detyrës.

Të nderuar,
Rendi dhe siguria publike janë sfida madhore, ndoshta sfida më e madhe e këtij kabineti. Unë ju sigurojë se kam vullnetin e plotë, kjo qeveri ka vullnetin e plotë për të fituar betejën me krimin. Por kjo duhet të jetë një betejë që duhet ta fitojmë bashkë. Ndaj jepini besimin kësaj qeverie dhe jam i sigurt që do e fitojmë luftën kundër krimit.

Faleminderit!

Fjala në Kuvend e deputetit Saimir Tahiri.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm