Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › E majta e re - ekonomi për shoqërinë, jo shoqëri për ekonominë

Fjalime

E majta e re - ekonomi për shoqërinë, jo shoqëri për ekonominë

19 Mar 2016    
Në kohë krize, e dizavantazhuara e madhe është “e Majta”.

Ideologjia mbaron dhe dalin në dritë shkurtimet e mëdha në shpenzime, llogari sociale. Më së pari shkurtohen rroga, bonuse, pensione, pagesa solidariteti, vende pune, posaçërisht në llogarinë kapitale, investimet në arsim, shëndetësi, bujqësi më së pari; më tej në infrastruktura jetike, rrugë, impiante të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike; shkurtohen buxhetet e shërbimeve, edhe pse të domosdoshme; nisin privatizimet masive të pronës publike dhe rriten taksat për qytetarët e bizneset. Është shumë e djathtë si recetë dhe ndaj “e Majta” vihet nën presion dhe akuzë.

Prej disa muajsh, të gjithë bashkë jemi shtyrë padrejtësisht drejt dilemës: Jemi apo nuk jemi të majtë ne socialistët shqiptarë?! S’ka ndonjë provë të qartë për dilemën-akuzë, por radhiten hidhur koncesionet, shtresa e pambrojtur e supermenaxherëve, borxhi publik, deri vaksinat e fëmijëve. Padija, padija funksionale dhe, pak më ndryshe, refuzimi për të pranuar faktet janë problem edhe mes nesh.

Po çfarë kemi bërë ne deri tani, dhe a është “e Majtë” kjo?!

Kemi mbrojtur shtresën me të ardhura të vogla nga puna dhe shtresën e mesme të shoqërisë, duke ulur tatimin mbi të ardhurat e tyre, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi mbrojtur shtresën e sipërmarrësve të vegjël e të mesëm duke zeruar dhe ulur tatimin mbi të ardhurat e tyre, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi tatuar më fort, në tre dhe katër shkallë progresive (0-5-15-50%) të ardhurat e larta nga puna, kapitali, dividentët, aksionet, qiratë, depozitat e larta, pasurinë gjithashtu, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi zeruar TVSH për ilaçet, shërbimet mjekësore, paisjet mjekësore të inplantueshme me funksione jetike brenda trupit të njeriut, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi ulur çmimet e ilaçeve edhe me 30% të tjera për çdokënd, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi zeruar pagesën 10 mijë lekëshe për çdo vizitë tek mjeku i familjes për 600 mijë shqiptarë të pasiguruar - si pika e nisjes në një sistem referimi për një sërë ekzaminimesh mjekësore tek mjeku specialist dhe më tej, pagesa e të cilave është ulur me disa fish, duke arritur pranë zeros, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi ofruar shërbimin parandalues përmes kontrollit bazë shëndetësor pa pagesë për çdo burrë e grua mes moshës 40-65 vjeç, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi mbitaksuar duhanin, pijet alkoolike, pijet energjike për të mbrojtur shëndetin, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi shpëtuar nga falimentimi skemën e madhe të pensioneve të disa brezave: burra, gra, djem e vajza kontribues. Dhe kjo ishte e drejtë së pari, por dhe “e Majtë”;

Kemi vendosur pensionin social për burra e gra të moshuar, pa asnjë të ardhur për vite të tëra me radhë, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi ulur moshën e pensionit për minatorët dhe kemi rritur pensionin për ta, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi ndërtuar një korrelacion të qartë mes kontributit në sigurime shoqërore dhe përfitimit, duke hequr tavanin diskriminues në përfitime, me pasojë rritjen e pensioneve nga 4-40%, dhe kjo është e drejtë;

Kemi rritur pensionin patriotik të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe kjo është e drejtë së pari, dhe “e Majtë”;

Kemi çliruar pensionistët që punojnë ende, nga detyrimi për të paguar sigurime shoqërore e shëndetësore; dhe kjo është e drejtë dhe “e Majtë”;

Kemi rritur me 60% pagesën e papunësisë, duke mbrojtur punëtorët në rastin e humbjes së vendit të punës, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi shuar borxhet e padrejta dhe do kthejmë pas deri në qindarkën e fundit të marrë padrejtësisht nga ish-ushtarakët, dhe kjo është e drejtë;

Kemi zgjidhur krizën në sektorin elektroenergjitik duke nisur nga rishtetëzimi i kompanisë së furnizimit masiv me energji elektrike, po vijojmë shndërrimin e saj në një shoqëri publike të menaxhuar në bazë të rregullave dhe standardeve, dhe kjo është e drejtë dhe “e Majtë”;

Kemi ristrukturuar në ulje çmimin mesatar të energjisë elektrike për familjet, dhe kjo është e drejtë dhe shpëtuese;

Kemi mbrojtur çdo familje nën këtë mesatare - familje në nevojë me ndihmë ekonomike, invaliditet, papunësi, pensionistë - duke kompesuar çdo qindarkë efekt, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi shuar borxhe të padrejta, kemi shuar kamatvonesa duke nxitur dhe lehtësuar kulturën e pagesës së faturave të energjisë elektrike në përputhje të qartë dhe me kushtet sociale, dhe kjo është e drejtë dhe “e Majtë”;

Kemi mbikqyrur tregun - edhe pse në mënyrë të pamjaftueshme, më qëllim përcjelljen e mirë të uljes së çmimeve të mallrave e shërbimeve në energji, ushqime, transport, shëndetësi, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi hapur dhe formalizuar 170 mijë vende pune, duke rritur punësimin e ndershëm e të mbrojtur me pagë reale, sigurime shoqërore e shëndetësore, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi subvencionuar prodhimin e mijëra bujqve në fshat, prodhimin bujqësor e blegtoral, grumbullimin dhe përpunimin e tij, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi zeruar tatimin mbi transaksionet e tokës bujqësore brenda familjes e më gjerë, me qëllim lehtësimin e bashkimit të fermave në sipërfaqë më të mëdha, krijimin e një tregu formal të tokës bujqësore, dhe kjo është e drejtë dhe “e Majtë”;

Kemi subvencionuar investimin në teknologji duke zeruar TVSH për makineri e pajisje në bujqësi, manifakturë, industri, energji, shëndetësi, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi subvencionuar përpunimin në vend të mineraleve duke zbutur rentën minerare të produktit këtu, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi vendosur një regjim ligjor kontrolli mbi territorin, mjedisin, pyjet, parqet, florën dhe faunën, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi rritur, duke e çuar në një nivel të ri, taksën e betonit, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi nisur e po zhvillojmë, duke ndërtuar nje model të ri urban, me qindra mijëra katror sheshe urbane, shëtitore, trotuare, rrugë, parqe, fusha sportive, palestra për çdokënd e pa kosto për ta, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi legalizuar në shumëfish mijëra banesa, struktura shërbimi e prodhimi pa pagesë, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi sanksionuar ligjërisht një zgjidhje të drejtë, të ndershme dhe proporcionale për çështjen e kthimit dhe kompesimit të pronave të konfiskuara, bazuar në titullin kadastral të pronës së konfiskuar dhe çmimin e sotëm të tregut, dhe kjo është e drejtë;

Po shndërrojmë shkollat në qendra komunitare duke i dhënë prioritet dijes përtej klasës së ngurtë, dijes profesionale për punë, pjesëmarrjes në marrëdhënie komunitare, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi trefishuar numrin e familjeve që përfitojnë librat falas për fëmijë jetimë, fëmijë të tretë, fëmijë të familjeve të marxhinalizuara, dhe kjo është “e Majtë”;

Kemi mbyllur përfundimisht fabrikat arsimore të diplomave pa vlerë, kemi nisur një proces vlerësimi dhe akreditimi të çdo shkolle të lartë duke garantuar cilësinë, investimin e çdo prindi e të riu për edukim, duke mbrojtur edhe këtu të pamundurit, të tjerë të rinj të familjeve të zakonshme, ekselentët, dhe kjo është e drejtë dhe “e Majtë”.

Nuk po shtoj më në listë. Ka edhe më, masa të majta që në tërësinë e tyrë fiskale e buxhetore kanë formësuar e financuar reforma të thella strukturore, shtetndërtuese, zhvilluese, lehtësuese, mbrojtëse dhe garantuese për qindra mijëra familje shqiptarësh, të cilat kanë fituar akses e mbështetje, shërbime e garanci në tregun e lirë, tregun e punës, tregun e mallrave, shërbime në shëndetësi, arsim, pensione e të drejta themelore të lidhura me statusin e tyre shoqëror, ekonomik, social e pronësor.

Janë 155 miliardë lekë të reja në llogarinë e shërbimeve, në dy vite dhe këtë vit; 204 miliardë lekë të reja në llogarinë kapitale të investimeve publike, në dy vite e këtë vit; 507 miliardë lekë në llogarinë sociale të pensioneve, ndihmës ekonomike, pagesës së papunësisë, pagesës së aftësisë së kufizuar; të cilat kanë mbështetur gjithë sa më sipër me shpenzime, pa të cilat do ishte e pamundur.

Janë 17-19 miliardë lekë të reja në vit, që i kanë shkuar drejtpërdrejt çdo familjeje të punëtorëve, nëpunësve, edukatorëve, mësuesve e pedagogëve, infermierëve, mjekëve dhe punonjësve të tjerë të shërbimit shëndetësor, punonjësve të sigurisë etj, si tatime e taksa të ulura ndaj të ardhurave të tyre, mallrave e shërbimeve; shërbime publike gjithashtu - të marra me çmime të ulura edhe për shkak të tatimeve të zeruara mbi to, apo të mbuluara drejtpërdrejt me para publike - posaçërisht familjeve të shtresës së mesme, sipërmarrësve të vegjël e të mesëm;

Janë 170 mijë punëtorë më shumë sot, që kanë një vend pune të ligjshëm dhe marrin një pagë reale, për herë të parë që nga viti 2010, kur numri i të punësuarve nisi të bjerë në mënyrë të frikshme.

5 miliardë lekë më shumë janë të ardhurat nga pagat bruto.

Por më ë rëndësishmja: 70 mijë punëtorë të rinj janë në fashën e rrogave 30-130 mijë lekë, duke zgjeruar shtresën e mesme në këtë kategori - një shtresë amortizuese mes asaj me të ardhura të ulëta dhe asaj më të ardhura të larta nga puna.

Unë besoj se i njëjti fenomen do të ndodhë edhe tek sipërmarrja, pas ndryshimeve të forta në politikën fiskale ndaj biznesit të vogël, që edhe mund të thellohen me synim zgjerimin e shtresës në mes biznesit të vogël e atij të madh; shenjat po duken.

Dua të pyes: A është e mjaftueshme kjo? Natyrisht që “jo”! A është më mirë sesa ishim në qeverisjen e Sali Berishës kjo? Natyrisht që “po”! A duhet ne të mbështesim ambicien për rrëzimin e kësaj Qeverie - jo aksionit të Berishës, por ambicies këtu brenda nesh? Unë jam i vendosur të them “jo”!

Kam jetuar për 23 vite gjithcka ka ndodhur në PS. Ju them me qetësi se e kam jetuar PS-në nën ethet e ambicies, me 4 kryeministra që ikën e erdhën - i linin vendin njëri tjetrit duke përmbushur ambicie personale, por duke destabilizuar qeverisjen derisa e dërguan PS në opozitë.
E kam parë një gjë të tilë edhe në Britani, ku ambicia e Braun e largoi Blerin, por duke dërguar laburistët në opozitë të gjatë; është më i dhimbshëm rasti grek, ku ambicia e Venizellos u përmbush, por PASOK nuk ekziston më.

Kjo Parti sot, tani e në vijim ka një përgjegjësi: Qeverisjen në të mirë të shqiptarëve!! Ky është viti vendimtar për qeverisjen; reformat e kryera plot kosto dhe sakrificë sociale e politike, prej të cilave shqiptarët duhet të marrin frutet në familjet e tyre, përmirësimin e cilësisë së jetës së pari, ndërsa ne duhet të marrim frutet politike.

Çdo destabilizim i qeverisjes tani, do të ketë kosto të madhe për këdo në këtë vend, natyrisht edhe për ne si parti. Thënë këtë, unë sfidoj cilindo të më dëshmojë me fakte se Sali Berisha, vetë apo në formën e replikuar të tij, si Lulzim Basha, analfabët Ristani, Rimerr Bode, Haber Imami, Fatlum Noka, Liberalizim Pollo, Genc Rruli, Myqerem Tafali, Aldo Bumi, Jozefina Topalli, Gang Strazimiri, Prona Tabaku, Edi Paloka, të gjithë bashkë si qeveria e tyre, qeverisin më mirë se po ata të njëjtët; karahasimi me ne as që vlen.

A mund të vlejë ambicia e gjithkujt për të shkatërruar apo rrëzuar këtë qeveri, me koston e rikthimit të këtyre? Përgjegjësia jonë është qeverisja në shërbim të shqiptarëve; përgjegjësia jonë është të bëjmë drejtësi. Rrëzimi i qeverisë nuk është shërbim ndaj shqiptarëve; rrëzimi i qeverisë tani nuk do të ofrojë kurrë drejtësi. Në anë tjetër, unë do vijoj të pyes: A duhet ne të thellojmë të Majtën në qeverisjen tonë? Unë me të njëjtën vendosmëri them “po”! Por, cilën të Majtë duhet të thellojmë? Atë të shekullit të shkuar; atë që në këtë kapitalizëm u konformua në një betejë mes shtetit dhe tregut; atë që ushqeu veç rrugën e besimit vetëm tek shteti; atë që propozohet sot këtu me vëmendjen e shtuar tek paratë dhe konsumi?

E Majta gjallon, është e sulmuar fort nga populizmi, por qëndron për të ofruar zgjidhje të realizueshme dhe të qëndrueshme. Për çfarë diskutohet sot në të Majtë?

E para: për PABARAZINË.
Jo vetëm mbi pabarazinë në të ardhura, por më shumë për pabarazinë në mundësi, për shkak të sistemit fiskal favorizues për të ardhurat e larta, fitimet po të tilla nga kapitali, dividentët, aksionet, qiratë, depozitat e mëdha, pasuria; privatizimeve, evazionit të lartë dhe korrupsionit, monopoleve me norma të larta fitimi në treg; për shkak të rënies së fortë të rritjes ekonomike pas 2009-tës, duke fikur mundësinë e ekuilibrimit deri diku të normës së fortë të rritjes së fitimeve nga kapitali i akumuluar në këtë mënyrë. Pabarazia në të ardhura, por edhe më fort, pabarazia në mundësi është problemi më i madh që ne duhet të adresojmë.

Duhet ta fillojmë me mundësitë për të lehtësuar hyrjen në treg, marrjen pjesë lirisht në transaksione, zhvilluar e rritur, konkuruar e fituar nga aksesi në përdorimin e pasurisë, burimeve natyrore; aksesi në financime; aksesi në tregun e punës gjithashtu; aksesi në sistemin e drejtësisë posaçërisht - ai garanton gjithë më sipër;

Duhet të vijojmë me tatimin e fortë të të ardhuravë nga kapitali. Ka nga ata që dëgjojnë tani e pyesin: Po më? Po ku?
Tek monopolet! Të ardhurat e tyre janë rritur shumë, janë të mëdha në mënyrë të pandalshme; dhe një shkallë e re tatimore në sistemin tonë progresiv për to duhet tani:
Tek përjashtimet ligjore e kontraktuale, të cilat po bëjnë të mundur që kompani të shfrytëzimit të të mirave tona publike, kombëtare, të paguajnë tatim fitimi si biznesi i vogël apo pak më shumë, por shumë më poshtë se shkalla tatimore që vlen për ta.

Tek fitimet që transferohen jashtë vendit në një masë të konsiderueshme e që vijnë nga norma shumë të larta fitimi. Unë nuk e pranoj dot, dhe në vitin e tretë, që të humbim kohë duke dëgjuar ministrin që prej vitesh të thotë se po hartojmë një kontratë të re; të trashëguara e të padrejta janë, ne duhet t’i kishim ndryshuar.

Së dyti: për VARFËRINË.
Jo vetëm si varfëri prej të ardhurave të pamjaftueshme, por më shumë si varfëri të aftësive të pamjaftueshme. Duhet të ndryshojmë edhe më fort tani për më shumë akses dhe cilësi në arsim për të gjithë, madje të detyrueshëm si arsim profesional dhe të kushtëzuar për fëmijët e familjeve në nevojë; është arsimi i punës; akses të pakushtëzuar nga sigurimet në shërbimin shëndetësor apo paratë për tarifa, duke rritur aftësitë e gjithkujt për të rritur rendimentin dhe mundësinë për të përfituar nga aftësitë e tij; ndaj duhet të vijojmë përpara me shërbimin shëndetësor për të gjithë.

Së treti: për RRITJEN EKONOMIKE.
Jo si qëllim në vetvete, por të fokusuar tek shpërndarja dhe punësimi. Thuajse për një 10 vjeçar rritja ekonomike po përthithet e gjitha nga sektorë të ngushtë, pa punësim masiv dhe me fitime të larta; më ngushtë akoma nga 10-15 kompani që ndërrojnë vendet në renditjen e më të mëdhenjve me njëra tjetrën. Edhe kjo po përqëndron pasurinë e po thellon pabarazinë, kur duhet të ishte ndryshe: të amortizonte normën e lartë të fitimeve nga kapitali. Po ndodh edhe më keq: paratë e fitimeve jo vetëm që nuk po mbeten këtu, por po transferohen jashtë duke i munguar këtij vendi, shoqëruar me falimente të qëllimta, duke goditur rritjen e ekonomisë të kushtëzuar edhe prej tyre; Belle Air, Armo, Çez, tani Kurum, janë shembuj të ndëshkueshëm. Ndaj rritja ekonomike në sektorë me punësim masiv duhet financuar në një aksion publik kundër pabarazisë e varfërisë, duke ulur gjithashtu varësinë nga goditje të sektorëve ku kriza po shfaqet në mënyrë ciklike.

Së katërti: për BORXHIN.
Jo si argument politik në një betejë të stërzgjatur elektorale dhe brenda partisë, por në funksion të shpenzimeve. Sa i madh do të jetë sektori publik - kjo është dilema në të majtën sot, fokusuar jo aq tek rrogat e sektorit publik sesa tek shpenzimet e mira, ato që duhet të financojnë aksionin publik kundër varfërisë së mundësive, posaçërisht në arsim, shëndetësi, infrastructure - që ndryshon e përmirëson cilësinë e jetës. Edhe për një arsye më shumë: sepse ulja e varfërisë në të ardhura nuk duhet ta kufizojë aksionin publik kundër varfërisë. Një urdhëresë ka sot: shpenzoni, shpenzoni me ndërshmëri e pa korrupsion para publike, duke krijuar mundësi e aftësi ndër njerëz.

Së pesti: për PUNËSIMIN.
Jo si statistikë fituese politike, por si produkt i lehtësive ekonomike: mundësi tej barrierave burokratike e fiskale, pjesëmarrje në tregti e prodhim duke siguruar të ardhura për vete, në një përpjekje të dyfishtë për të luftuar varfërinë e pabarazinë; mbrojte e garantim i punës me një pagë reale, tatim i ulët, rregulla të reja për orët e punës, kualifikim i vazhdueshëm dhe mbrojtje nga pushimet arbitrare, mbrojtje e mëtejshme nga humbja e punës. Duhet të ndodhin tani!

Së gjashti: për FINANCIMIN.
Jo duke u dorëzuar para biznesit superfitues të bankave, pushtetit e arrogancës së menaxherëve të shumëpaguar të tyre, por për aksesin në financim të lirë, pak të kushtueshëm, të ndershëm e afatgjatë të gjithkujt. Mbi 140 milionë euro ishte fitimi i bankave në vitin që u mbyll - pranuar botërisht, ardhur si reflektim i politikës monetare, si diferencë e fortë mes interesave dhe favoreve ligjore.
Fola për interesat për të theksuar se ato të kredive të shtrënguara për qytetarët e sipërmarrësit, mbeten të larta; në rastin më pak të keq për shkak të riskut të shtuar nga një sistem që nuk funksionon e nuk jep të drejtë dhe në rastin edhe më të keq për shkak të babëzisë për të fituar gjithnjë e më shumë. Duhet të bëjmë konkurues sistemin bankar, më transparent gjithashtu, veçanërisht për kostot e fshehura që vijojnë habisin e grabisin qytetarët e sipërmarrësit.

Së shtati: për KONCESIONET dhe PPP-të.
Jo si argument politik i sikletshëm për të majtën, as për të shtuar fitimet e një klientele të ngushtë përfituesish gjithnjë rreth e rrotull qeverive, por si mundësi për të angazhuar fonde investimesh përtej buxhetit, më qëllimin e vetëm për të zhvilluar sektorë të ekonomisë, më tej për të përmirësuar shërbime ndaj qytetarit, pa kosto për të. Ky është sot dallimi mes asaj që kemi trashëguar nga qeveria e Sali Berishës në dhjetra kontrata dhe asaj që ne po zhvillojmë sot. Ai vendosi taksa të fshehta, por të drejtpërdrejta për qytetarin, për shërbime që i përfitonte shteti dhe fitime që i merrte konçesionari. Ne po detyrojmë konçesionarin të investojë nga paratë e tij në infrastruktura që i shërbejnë qytetarit me kosto zero, të shlyera në kohë nga shteti. Kosto zero për qytetarin: duhet të jetë kushti ynë tani e në vijim.

Së teti: për ARSIMIN dhe SHËNDETËSINË.
Jo për të vijuar përplasjen në kurthin historik e banal tashmë të përqindjeve të shpenzimeve në buxhet apo me rritjen ekonomike, por për gjithçka që ju shpjegova më lart, për të luftuar varfërinë e mundësive dhe aftësive. Aksesi i lirë e pa kosto i gjithkujt në arsim e shëndetësi duhet financuar edhe më shumë, tani e gjithmonë.

Së nënti: për URBANIZIMIN/HAPËSIRËN PUBLIKE.
Jo si përmbushje të një shijeje estetike, dëshire për të bukurën gjithashtu, por për të ndërtuar qytete ku gjithkush ka lirinë e tij në hapësirën publike, sheshe, trotuare, shëtitore, parqe, kënde lojrash, trafik; aksesin e lirë në të mira të patregtueshme, që ndryshojnë jetën dhe cilësinë e saj.

Së dhjeti: për KONSUMIN.
Jo si rendje pas “kamjes” që matet, krahasohet, kthehet në status social prej konsumit, por duke krijuar mundësinë për të konsumuar të mira që nuk tregtohen, por që ndikojnë e ndryshojnë cilësisht jetën e çdo qytetari. Një ekonomi për shoqërinë dhe jo një shoqëri për ekonominë mund t’i japë fund përpjekjes së konsoliduar të gjithkujt, ardhur prej përqëndrimit të pasurisë, për të kthyer çdo gjë publike; nga të mira të pa tregtueshme në përfitim për vete, duke detyruar kosto për cilindo qytetar që i humb ato. Ka jetë përtej parasë, ndaj mirëqënia, dhe jo kamja, duhet të jetë synimi ynë.

Së njëmbëdhjeti: për DEMOKRACINË.
Jo për demokracinë e brendshme të një organizate - as që e vë më njeri në diskutim atë, ndaj dhe nuk mund të relativizohet nga cilado ambicie personale, qoftë edhe legjitime - por për demokracinë si vendimmarrje. Kam folur edhe herë të tjera për këtë këtu, i shqetësuar nga fenomeni i përbotshëm i momentit, por edhe nga rastet e qarta të shfaqura edhe këtu; ndikimi i vendimarrjes nga një kastë ekonomike që kërkon me çdo kusht favore, që herë lobon, herë preson, siç shihni medemek protesta parimore gjithnjë e më shpesh, herë bli politikën dhe herë hyn vetë në politikë për të vendosur. Kam mbetur thellësisht i tronditur se si në fundvit lobi i industrisë së birrës dhe lobi i industrisë së lojrave të fatit ja doli të ndryshojë vendimmarrjen në favor të tij, ruajtjes së një statuskuoje të fitimeve të mëdha edhe për një vit apo më shumë. Kjo nuk është vendimmarrja që i shërben qytetarëve, por një grushti tregtarësh me akses të plotë në vendimmarrje për vete. Duhen rregulla të reja për të mbrojtur demokracinë nga presioni i kësaj kaste, që shtohet sa më shumë që përqëndrohet pasuria.

Shokë,

Mendova të ndaj me ju disa prej ideve të nobelistëve: Amartia Sen, Pol Krugman, studimet, fantastike për mua, të Tomas Piketi e Stefano Bartolini, ide të cilat i përpij me dëshirë jo për të sfiduar dikë këtu, sfiduar padijen gjithashtu, por për të shërbyer më mirë për qytetarët, shërbyer si i majtë me të majtën si zgjidhje. Nuk është faji im që dikush mund të ndihet i tejkaluar prej të majtës së re. Elinor Ostrom është i treti në radhë, një nga nobelistët e shekullit të ri. Ai dëshmoi se komunistët lokalë mund të funksionojnë mirë në administrimin e burimeve të përbashkëta, pa patur nevojë për shtetin, po aq sa dhe për privatizimet. Gjëja më e mirë është të nisemi nga baza - ishte ideja e tij. Të nisesh nga baza është një shtysë e fortë, ashtu siç ideja e tij e administrimit është sfiduese: synon ndërtimin e një ekonomie për shoqërinë. Të nisësh nga baza vlen për ekonominë, por vlen dhe për ne. Të nisem nga baza më ka sjellë këtu, më mban me këmbë në tokë për të bërë punën time, shërbyer për komunitetin si i majtë.

*Fjala e nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe, në Kongres
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm