Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Falë qeverisjes së socialistëve janë realizuar punë të shumta, të mira dhe larg-pamëse.

Fjalime

Falë qeverisjes së socialistëve janë realizuar punë të shumta, të mira dhe larg-pamëse.

29 Feb 2020    

Arritjet e deritanishme për Pakti për Universitetin dhe vizioni i mazhorancës qeverisëse për arsimin e lartë ishin pjesë e diskutimeve të Kongresit Zgjedhor të Partisë Socialiste. 

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj.Besa Shahini, në fjalën e saj përpara delegatëve të Kongresit shpalosi projektin e qeverisë shqiptare për rritjen e cilësisë së sistemit arsimor dhe reformën e thellë që po pëson ky sektor kyç për të ardhmen e gjeneratave të reja. 

“Prindërit tanë kanë kryer studimet për një profesion, janë punësuar në atë profesion dhe janë pensionuar në atë profesion. Sot nuk ndodh më kështu. Mundësitë  e reja që jep tregu i punës sot mbërthejnë në vetvete edhe shumë pasiguri për të rinjtë. Pyetja të cilës ne duhej t’i jepnim përgjigje gjatë vitit 2018 ishte kjo: cilat janë ato aftësi bazë që duhet të ketë çdo student, çdo i ri dhe e re në mënyrë që të përballojë sfidat që sjell e ardhmja?  Natyrisht, të njohë shumë mirë gjuhën e parë, të njohë një gjuhë të dytë, të ketë aftësi digjitale etj, këto janë kërkesat e reja që kemi ne si Ministri e Sportit dhe Rinisë ndaj universiteteve. Sot, kur Universiteti aplikon për të hapur një program të ri studimi apo për të akredituar një program studimi, këto janë gjërat që ne i kërkojmë t’i plotësojë. Kjo është puna e padukshme që kemi bërë gjatë vitit 2019, të cilat do japin rezultate më vonë”, u shpreh ministrja Shahini. 

Ndërsa ministrja e Kulturës, znj Elva Margariti, në fjalën e saj theksoi se tashmë Qeveria ka miratuar skemën mbështetëse buxhetore për t’i dhënë jetë Kampusit Universitar të Arteve, që do u shërbejë 1300 studentëve dhe qindra artistëve e qytetarëve.

“Ishte një kauz që vinte si jehonë e të gjithë kërkesave të artistëve të viteve 90’ të cilët protestuan atëherë brenda mureve të asaj godine për të gjetur lirinë e shprehjes së artit të tyre, por edhe që fëmijët e tyre pas 3 dekadash të mos ndërmerrnin të njëjtat sfida si ata. Janë marrë hapa konkretë në projektimin e 28 mijë metrave katrorë që do u shërbejë 1300 studentëve dhe qindra artistëve e qytetarëve. Jam e bindur që ky projekt ashtu siç lindi nëpërmjet dialogut ashtu do shprehet edhe në formën e arkitekturës ku do shembet çdo kufizim midis mureve, ku akademikja dhe publikja do jenë bashkë në një. Arsyeja themelore që na shtyu për të mbajtur këtë premtim ka qenë jo vetëm kërkesa e studentëve në dhjetor, jo vetëm jehona e artistëve të viteve 90’ por edhe vizioni largpamës i kësaj qeverie”, tha ajo.

Fjala e zv.ministres së Brendshme, Romina Kuko në Kongresin Zgjedhor të Partisë Socialiste:

Shokë dhe shoqe,

Të nderuar miq,

Në fillim të mandatit të parë qeverisës kryeministri, teksa shpaloste vizionin për Policinë e Shtetit, përdorte pak a shumë togfjalëshin një Polici me standarde mesatare europiane.

Që një një Polici të jetë me standarde mesatare europiane duhet të jetë një Polici e mirëtrajnuar dhe e mirëshkolluar.

Në vitin 2013 Akademia e Sigurisë nuk ekzistonte. Gjetëm aty një institucion trajnimi të abandonuar, të braktisur i cili në fakt punën e vet dukej sikur e kishte vetëm për të lënë policët pa shkollë.

Me rihapjen e Akademisë së Sigurisë sot trajnimi policer ka marrë një tjetër kuptim.

Pas pesë vitesh mbi dy mijë efektivë janë trajnuar dhe certifikuar në Akademinë e Sigurisë.

Të gjitha sukseset spektakolare të Policisë së Shtetit janë rezultat i drejtpërdrejtë i trajnimit policor. Këtë e thonë dhe qytetarët e Shqipërisë.

Në vitin 2013 Policia kishte vetëm 30 % të besimit të qytetarëve kurse sot është thuajse në 70% besimi i qytetarëve në Policinë e Shetit.

Fuqizuar nga Pakti për Universitetin, Akademia e Sigurisë tani ka hyrë në projekte që ishin të paimagjinueshme më parë.

Nëse Partia Socialiste ka një talent në vijë të pandërprerë që nga e shkuara është talenti i ndërtimit të institucioneve. Akademia e Sigurisë është shembull i qenësishëm i rindërtimit dhe ringritjes së institucioneve për ti krijuar profilin europian të Policisë së Shtetit në tablonë e përgjithshme europiane të Shqipërisë.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm