Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e Edi Ramës mbajtur në Konferencën për bashkëjetesën e feve në rajonin e Mesdheut

Fjalime

Fjala e Edi Ramës mbajtur në Konferencën për bashkëjetesën e feve në rajonin e Mesdheut

27 Oct 2009    

Të nderuar Klerikë të lartë,

I nderuar zoti President i Republikës,

Miq të ardhur nga jashtë Shqipërisë,

Shkëlqesi ambasadorë,

I nderuar zoti Besnik Mustafaj,

Zonja Zotërinj,  

Të diskutosh për sfida dhe zgjidhje në lidhje me bashkëjetesën ndërfetare në rajonin e Mesdheut, në këtë kohë kur ka filluar të marrë jetë, dhe ende më tej të mbizotërojë qytetërimi teknologjik që i bën gjithnjë e më hije anës shpirtërore në këtë pjesë të botës ku dielli përqafohet pandalshëm me detin, do të thotë të diskutosh për vetë Mesdheun. I cili ka qenë zona e përpunimit dhe e përhapjes së qytetërimeve, djep i pothuajse të gjitha besimeve fetare, potenciali i një kontributi shumë të çmuar në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor.

Fetë, si tipar  thelbësor i shpirtit të këtyre qytetërimeve, janë njëherazi  e shkuara dhe e tashmja e tyre. Ngjizur fillimisht në Lindjen e Afërt, ato erdhën para mijëra vjetësh të bazuara mbi Tokën e Detin, Diellin e Dashurinë, duke sjellë rregullsi në jetën e njerëzve që jetonin në këtë mes-dheu të begatë. Erdhën në këtë qendër tërheqjeje dhe përshtatjeje duke mos pushuar së mbledhuri, deri vonë, njerëz të cilët fillimisht duket se i ngritën qytetërimet e tyre diku midis kulturave të thatësirës dhe mundësive që sjellin mbi këtë tokë mençuria e ujit dhe ngrohtësia e diellit, sollën vlerat e tyre, i përpunuan dhe i zhvilluan ato, shkruan një histori sa të ashpër aq edhe shpresëdhënëse, historinë nga ku erdhi qytetërimi nëpërmjet të cilit merr frymë ajo pjesë e Europës që i themi perëndim. Mesdheu nuk e ka humbur magjinë e tij në përplasjet e dallgëve të kohërave, ato madje i’a kanë shtuar atë. Ai mbetet hyjnor, i dashur e marramendës, i aftë të ndërtojë e rindërtojë bashkëjetesën dhe vijimësisht t`i ofrojë pjesës tjetër të botës pavdekësinë e shpirtit krijues.

Në vendin  tonë bashkëjetojnë katër besime historikisht kryesore. I konsideruar si “Rasti Shqipëri”,  realiteti ndërfetar i këtij vendi është një vlerë e posacme në debatin e sotëm  mbi nevojën e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërfetare në rajonin e Mesdheut.

Në rrugën e gjatë të historisë, fetë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbijetesën e kombit tonë. Krishtërimi ishte apostolik dhe si i tillë i dha një identitet të fuqishëm popullit shqiptar në kohën e dyndjeve barbare dhe osmane, duke e kthyer atdheun tonë në një vend të shenjtë gjatë periudhës së lavdishme të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Feja Islame dhe Bektashizmi bënë të mundur diferencimin e shqiptarëve në kohëra kur mbi këtë vend përplaseshin politika helenizuese e sllavizuese që synonin asimilimin dhe përfitimin e territoreve shqiptare. Kleri shqiptar i të gjitha besimeve, arriti që me punë e përkushtim të gërshetojë zellin apostolik me një ndjenjë të fuqishme patriotike dhe kombëtare. Shqiptarët ndjenë, kuptuan, besuan se çdo konflikt dhe luftë në emër të fesë jo vetëm që është një akt në dëm të vetvetes e të atdheut, por edhe një ofendim kundrejt vetë fesë, cilado qoftë ajo.

“Ne jemi këtu në Shqipëri prej dy mijë vjetësh, shqiptarë atëhere, shqiptarë sot e gjithmonë”. Kështu shkruhej në dy revistat  e viteve `30-të, “Drita” dhe “Leka”. Ndërsa shoqnia “Vllaznia” vendosi asokohe si detyrë kryesore të programit të saj të harmonizojë doktrinat fetare me kontekstin shqiptar, dhe të propagandojë tolerancën fetare me mundësinë e bashkëjetesës midis feve. Ideologët e Rilindjes sonë Kombëtare evidentuan me forcë identitetin europian te shqiptarëve, megjithëse në kuptimin filozofik e politik mbetet unikal në botë fakti që përfaqësues të kësaj rilindjeje u shprehën në mënyrë lakonike se, “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Duke përmendur vitet `30-të nuk kam aspak qëllimin ta konsideroj tolerancën fetare si një cilësi të zhvilluar në kohët moderne apo të lidhur me shkollimin. Jam i prirur të mendoj se ajo e ka zanafillën e saj në thellësinë e shekujve dhe është zhvilluar prej andej në rrugën e mbijetesës.

Historia nuk u soll aq mirë me Ballkanin, ndoshta as Ballkani me historinë, gjithsesi popujt e tij i dhuruan asaj faqe intensive të mbushura me ngjarje e zhvillime.

Dikush e quajti “urë”, dikush tjetër e quajti “gropë të thellë” në brigjet e së cilës njerëzit e kësaj treve hidheshin herë në njërën anë e herë në anën tjetër, duke u vetëkonsiderur e konsideruar reciprokisht si popuj edhe të kulturuar dhe të prapambetur, edhe trima e luftëtarë edhe konformistë e mercenarë, edhe të varfër edhe primitivë, edhe besimtarë edhe të pafe. Ky vend u kthye në arenë luftrash e përplasjesh të qytetërimeve.  Ndoshta me cilësi edhe më tipike është Shqipëria, të cilën perëndimi e konsideronte si një portë të Ballkanit drejt lindjes, ndërsa lindja si portë të perëndimit, madje mundësi për të vërshuar e pushtuar krejt perëndimin. Të gjendur në pikëpërplasjen e dy botëve, shqiptarët e ndjenë të nevojshme që në rradhë të parë të mendojnë për të ruajtur vijimësinë e mbijetesën. Kështu në këtë vend mori jetë e u ngulit bindja se ndryshimet dhe dallimet e çfarëdo forme qofshin ato, më shumë se rrezik, janë mundësi. Më duket se nisur nga një bindje e tillë ka marrë jetë edhe toleranca ndërfetare.

Periudha komuniste i luftoi me fuqinë e verbër të një mallkimi qytetërimet e besimet fetare në Shqipëri, përmes qëllimit sa gjakatar aq edhe utopik të  zëvendësimit të tyre me të ashtuquajturin “qytetërim komunist”,  dhe synoi zëvendësimin e dhunshëm të rrënjëve të besimit fetar me idealet komuniste.

Mbas viteve `90 gjithçka filloi të ndryshojë. Për gati një gjysëm shekulli Shqipëria i kishte ikur perëndimit pa e kthyer kokën. Ndryshimi u shoqërua natyrshëm edhe me emigrime e etje të jashtëzakonshme për gjithçka që konsiderohej e ndaluar e që provokoi rëndom akte eksesive. Europa dhe Shqipëria ishin larguar aq shumë sa thuajse nuk e njihnin më njëra-tjetrën. Dukej se në sytë e Europës një Shqipëri me fytyrë europiane vihej në diskutim. Madje ka ende në Europë sy që e vënë në dyshim fytyrën tonë europiane.

Ne fakt ne deshëm e duam të integrohemi në Europë duke u konsideruar a priori pjesë e saj. Pa dyshim jo thjesht me e për të drejtën që të kemi mundësi të gjezdisim nëpër të, por me të drejtën që ta ndjejmë veten tonë, këtë herë realisht, siç e kemi ndjerë gjithnjë, pavarësisht distancës, brenda saj.

Mendoj se sot, në këtë takim e për cështjen që na ka mbledhur, ne kemi çfarë t`i tregojmë Europës. Më lejoni që këtë ta konsideroj si modeli shqiptar i harmonisë mes feve dhe të mos përdor pra fjalën “tolerancë”, por harmoni - e cila në fakt do të funksiononte plotësisht në një vend të shtetit të së drejtës - duke u kthyer në një vlerë të madhe në debatin global mbi nevojën e mirëkuptimit  dhe

bashkëjetesës së kulturave e qytetërimeve, në afrimin e në forcimin e lidhjeve mes njerëzve pavarësisht kulturave, popujve, feve dhe qytetërimeve.

Pyetjes se c`është Mesdheu, Braudel i përgjigjet, “Një mijë gjëra njëherësh”. Në këtë të çarë të dheut ku qytetërimet rrinë ngjeshur njëri pas tjetrit, ku është trazuar dhe pasuruar historia e njerëzimit, përsëri ndjehet nevoja, jo vetëm të mos rreshtim së treguari, por të sigurojmë vazhdimësinë e tregimit.   Ne jemi pjesë e Mesdheut dhe kjo gjë na rri mirë në shpirt e në trup. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë gjithçka të mirë që kemi, sepse kështu ne mund të jetojmë vetveten.

Një fjalë e urtë e vendit tim thotë, “Nëqoftëse ke qenë dikushi, ke një kusht të madh për të qenë akoma”. Dhe ne e dimë se Mesdheu ka qenë dhe është shumëkushi. Kushti për të qenë akoma nuk është një, kjo është edhe garancia e tij.

Në mbyllje të  kësaj fjale dua të shpreh nderimin tim për drejtuesit e besimeve fetare në vend, personifikim i harmonisë që kërkojmë, të cilët me praninë e tyre pranë njëri-tjetrit si gjithmonë në kësi rastesh, dëshmojnë vullnetin e plotë dhe frymën e clirët të mundësive të mëdha të bashkëjetesës e të bashkëpunimit,  

Hirësitë

Selim Muça

Anastas Janullatos

Rrok Mirdita

Baba Reshati

pa harruar të ndjerin Hafiz Sabri Koçi, që të gjithë jo rastësisht Qytetarë Nderi të këtij qyteti që meritojnë në fakt të gjitha duartrokitjet e pas kësaj fjale.

 

Ju faleminderit!

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm