Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Kongresin e datës 18 prill 2010

Fjalime

Fjala e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Kongresin e datës 18 prill 2010

19 Apr 2010    

Dje më erdhën shumë mesazhe habie për aktualitetin e fjalëve që citova në mitingun e protestës në Korçë, prej një fjalimi të vitit 1923 të të pavdekshmit Fan Noli. Po përfitoj nga ky rast ideal për ta zgjeruar citimin e Nolit të madh: “Jam i lumtur që vinj sot përsëri përpara jush, që t´ju shpjegoj arsyet për të cilat kundërshtojmë qeverinë e sotme. E kundërshtojmë se dizorganizon shtetin, se shkel liritë, se s’kujdeset as për bukën, as për shëndetin, as për arsimin e popullit. Këto arsye i kemi shpjeguar dhe në parlament, po atje zëri ynë u mbyt prej gishtërinjve të deputetëve pro qeveritarë…Kabineti ynë i sotëm është në kuptimin e plotë të fjalës Kabineti i Pykave. Se ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlera civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë. Ideali i tyre nuk është të organizojnë shtetin, se as ata vetë s´dinë të organizojnë, as organizatorët nuk i lenë të lirë. Ideali i tyre është të mbajnë kolltukët me çfarëdo çmimi. Mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri dhe ryshfeti. Me drurin e me forcën brutale po përpiqen të skllavërojnë racën tonë e të përjetësojnë qeverimin tiranik të tyre. Me ryshfetin në formë të ndryshme, me misione të papemëta (të pafrytshme), me emërime nëpunësish të pazotit dhe duke çkallmuar arkën e shtetit, po përpiqen të fitojnë miq e partizanë më të djathtë e më të mëngjër...”.

87 vjet më vonë këto fjalë  të heroit të madh të mendimit shqiptar ngjajnë  si të thëna sot, për kabinetin e pykave të Saliut, për gishtërinjtë e deputetëve të Jozefinës, për drurin e ryshfetin në të djathtë e në të mëngjër, për shkallmimin e arkës së shtetit dhe të tërë institucioneve të shtetit për të përjetësuar qeverimin e tyre tiranik.

Të dashur delegatë e të  ftuar, lejomëni t’ju them se jam krenar për betejën tonë  dinjitoze, me njerëzit e për njerëzit pa dallim, që zgjedhjet të mos kthehen në një lojë që e bën pushteti dhe e paguan populli, që drejtësia të mos kthehet në një fjalë boshe që e përsërisin papushim politikanët dhe e kërkojnë më kot qytetarët, që arka e shtetit të mos shkallmohet nga kabineti i pykave dhe e ardhmja të mos mbahet peng me drurin e ryshfetin e pushtetit të bërë njësh me shtetin. Kjo nuk është një betejë e thjeshtë interesash të vogla, po një betejë shumë e vështirë aspiratash të mëdha. Ne nuk jemi në këtë betejë për të vajtuar të shkuarën, po për të çliruar të ardhmen. Fatin e kësaj beteje nuk e vendosin dot armët e politikës së vjetër në pushtet, po pushteti i të vërtetave që ne sot mbrojmë me pasion, vendosmëri e kurajo. Dhe në këtë betejë s’jemi vetëm. Me ne është Internacionalja Socialiste. Me ne është presidenti i saj, miku i madh i shqiptarëve dhe sivëllai i socialistëve shqiptarë, George Papandreu, i cili i ka dërguar këtij kongresi një mesazh inkurajues për betejën tonë për transparencë dhe për një politikë të re progresiste për shoqërinë e për ekonominë e vendit.

Me ne dhe sot mes nesh do të  ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste Luis Ajala. I cili njësoj si zëvendëskryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, miku ynë i çmuar Viktor Boshtinaru, dhe disa miq të tjerë të ftuar të veçantë që e kishin konfirmuar praninë e tyre në këtë kongres, janë detyruar të mjaftohen me dërgimin e mesazheve përshëndetëse për shkak të mbylljes së aeroporteve në vendet e nisjes. I falënderojmë të gjithë përzemërsisht.  

Me ne është Partia e Socialistëve Europianë, grupi  socialist dhe demokrat në Parlamentin Europian. I falënderoj Presidentin Rassmusen, kryetarin e grupit Martin Schulz dhe nënkryetarin Hanes Svoboda, së bashku me gjithë miqtë e tjerë të parlamentit të familjes europiane, që na kanë mbështetur pa rezerva në betejën tonë për transparencën e zgjedhjeve të shkuara si garanci për zgjedhjet e ardhshme. Por për domosdoshmërinë e transparencës janë shprehur qartë tanimë edhe të gjitha institucionet ndërkombëtare. Të cilat jo vetëm nuk e konsiderojnë të mbyllur këtë çështje pas votimit të turpshëm në parlament, për të ngritur me firmat e vjedhura të deputetëve të opozitës një komision hetimor sipas orekseve të Saliut e Jozefinës, po përkundrazi, nënvizojnë se kërkohet nga parlamenti një zgjidhje e pranuar edhe nga opozita. Por me ne në këtë betejë është fuqia madhore e të vërtetës. Gënjeshtra zyrtare e zgjedhjeve të 28 qershorit tanimë është provuar edhe pse kutitë nuk janë hapur. Ngulmimi i pushtetit për t’i mbajtur ato të mbyllura me çdo kusht është prova më e mirë se në kuti fshihet jo vetëm fitorja jonë e grabitur, por edhe më keq akoma, në kuti mbahet kyçur me pahir arma e korruptimit të zgjedhjeve. Me atë armë Sali Berisha kërkon të vrasë edhe zgjedhjet e ardhshme pasi vrau ato që shkuan. Pa e nxjerrë që aty dhe çmontuar njëherë e mirë atë armë vrastare për lirinë e zgjedhjeve, në këtë vend nuk ka shanse reale për asnjë liri zgjedhjeje.

Nuk ka shanse reale që qytetari të zgjedhë lirisht mes atyre që kërkojnë ta përfaqësojnë në parlament, në qeveri a në  pushtetin vendor. Nuk ka shanse reale që prokurori a gjykatësi të zgjedhin lirisht krahun e ligjit. Nuk ka shanse reale që  rrogëtari i shtetit të zgjedhë lirisht mes detyrës ligjore dhe urdhrit të paligjshëm. Nuk ka shanse reale që sipërmarrësi të zgjedhë lirisht fushën e konkurrencës, që i sapo diplomuari të zgjedhë lirisht falë meritës vendin e punës, që mësuesi a mjeku të zgjedhin lirisht të shkojnë ose jo në mitingun e partisë shtet. Nuk ka shanse reale që media të zgjedhë lirisht pozicionin e saj në raport me pushtetin. Pa u çliruar zgjedhjet aty ku buron demokracia, ku burojnë liritë e të drejtat në demokraci, tek kutitë e votimit, çdo zgjedhje e lirë në jetën e çdo njeriu do të bëhet përditë e më e vështirë, përditë e më e kushtueshme, përditë e më e pamundur përballë drurit të shtetit parti dhe ryshfetit të partisë shtet.

Ja pse kjo është një betejë  që i bën nder Partisë Socialiste dhe të gjitha forcave e njerëzve të bashkuar në mbrojtje të lirisë  e dinjitetit njerëzor të çdo qytetari, që në 30 prill do t’i japin jetë manifestimit të madh të  protestës në bulevardin e Tiranës për çlirimin e zgjedhjeve dhe 1 majin do ta gdhijnë si një ditë beteje qytetare për ndalimin e rrënimit ekonomik. Ne jemi në këtë betejë sepse nuk e negociojmë lirinë e zgjedhjeve tona për të votuar, për të konkurruar, për të punuar e jetuar sipas idealesh e idesh që nuk i tradhtojmë kurrë prej frikës dhe nuk i lëshojmë kurrë për çfarëdo ryshfeti. Dua të përshëndes ngrohtësisht disa miq të vjetër që janë mes nesh, shembull i fortë i të vërtetës sonë, e cila nuk trembet prej pushtetit e as shitet për pushtet, dhe dëshmi e faktit se jo vetëm ka ende hapësirë për një politikë idealesh e idesh në këtë vend, po këtë hapësirë e gjen sot cilido dëshiron në Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Le t’u urojmë mirëkthimin në shtëpinë e tyre Sabit Brokajt, Pëllumb Xhufit, Ndre Legisit, Fatos Klosit, Mustafa Muçit e plot të tjerëve që e refuzuan përfshirjen në punët e qeverisë së pykave dhe u qëndruan besnikë atyre dhjetëra mijëra socialistëve të gënjyer nga shpresa se do ta nxirrnin pykën Sali me pykën Ilir.

Vëllezër, rrugët tona u ndanë  sepse secili besoi se i përfaqësonte më mirë se tjetri vlerat e parimet që sot na bashkojnë përsëri në  të njëjtën parti, ku dera është edhe më e hapur për të gjithë, sepse të gjithë kemi nxjerrë  mësime të çmuara nga e shkuara dhe e ardhmja na kërkon të  gjithëve të bashkuar për të mirën e përgjithshme, pavarësisht dallimeve në mënyrën e të parit të gjërave të përveçme. Por dua të përshëndes përzemërsisht edhe të tjerë sot të pranishëm, aleatë tradicionalë si Skënder Gjinushi, Vangjel Dulja e Paskal Milo, apo të rinj si Spartak Ngjela, Preç Zogaj e Nard Ndoka. Erion Veliaj na ka mbetur nën renë vullkanike në Bruksel, urojmë kthim të mbarë. Jemi të gjithë bashkë në këtë betejë sepse duam që çdo shqiptar, i majtë ose i djathtë, burrë apo grua, nga jugu a nga veriu, pavarësisht çdo dallimi, të fitojë lirinë e të drejtën e të qenit i barabartë përpara ligjit e shanseve për shkollë, punësim, mirëqenie që jep një demokraci reale.

Kjo betejë nuk është kurrsesi avazi i përsëritur paszgjedhor mes dy palësh që nuk merren vesh si të ndajnë oborrin e vjetër të politikës për pushtet, po është beteja e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit, kundër politikës së vjetër të oborrit të pushtetit. Të cilën kurrë më s’do ta lejojmë të imponojë fuqinë e vet korruptive mbi vullnetin e popullit Sovran, duke i kthyer zgjedhjet në një farsë dhe duke marrë peng Shqipërinë pa e lejuar të zgjedhë. Njerëzit po e kuptojnë dita – ditës se e keqja që u ka hyrë në xhepin e shtëpisë i ka rrënjët në kutitë e mbyllura të votave të tyre të vjedhura. Rrënimi ekonomik që po ngre përditë çmimin e faturave të jetës së përditshme dhe po ul ditë pas dite fuqinë blerëse të njerëzve, vjen nga errësira e atyre kutive ku u mor peng ndryshimi historik që shqiptarët kërkuan në 28 qershor për t’i dhënë jetë një politike të re që sot më shumë se kurrë i duhet Shqipërisë.

Kriza e ekonomisë shqiptare nuk është pjesë e krizës financiare globale, po pjellë  e politikës shkatërruese ekonomike të qeverisë së  pykave që, siç thotë Noli i madh, shoqërohen vetëm me pyka e me dallkaukë, dhe padyshim, në radhën më të parë, e kryeministrit pykë. I cili pasi e bëri rrush e kumbulla arkën e shtetit për të prerë shirita gënjeshtrash elektorale dhe pasi mori peng kutitë e zgjedhjeve të grabitura, po merr tani peng edhe të ardhmen e njerëzve duke u humbur përditë vende pune dhe duke e zhytur vendin në borxhe asfiksuese që i merr ai, po që i paguajnë ata.

Njerëzit duhet ta dinë se në  fund të vitit 2009 borxhi i Shqipërisë kapi 60 % të  prodhimit dhe pasurisë kombëtare të vendit. Në vlerë  të plotë borxhi ynë ka arritur 6.6 miliardë  dollarë. Ndërsa vetëm në vitin 2009 dhe vetëm për hesapet e pushtetit në kurriz të çdo qytetari ky borxh është  shtuar me më shumë se 630 milionë dollarë. Të  gjitha këto para të marra borxh nuk rëndojnë gjetkë, po drejtpërdrejt mbi çdo familje shqiptare.

Dhe shqiptarët duhet ta mësojnë  se 1 janari i vitit 2010 e gjeti çdo familje me një borxh 8,700 dollarë, ndërsa secilin me një borxh 2,060 dollarë. Përfshirë  këtu edhe 38 mijë fëmijët e lindur në vitin 2009, kur për logaritë elektorale të pushtetit borxhi i çdo familje u rrit me 750 dollarë, ndërsa borxhi i çdo shqiptari u shtua me 180 dollarë. Kjo do të thotë me një fjalë të vetme se më shumë lekë që mund të përdoreshin për të rritur rrogat, pensionet e mirëqenien e njerëzve, do të shpenzohen për të larë borxhin e përbashkët që na e rrit përditë një pushtet që mendon e punon vetëm për vete.

Nuk ka ma zi për nji popull se një qeveri që merr borxh për të larë borxhet, thotë Luigj Gurakuqi. Por ka edhe më zi në fakt, sepse sot ne kemi jo vetëm një qeveri që merr çdo vit më shumë borxhe për të larë borxhe që rëndojnë vite tutje më shumë në të ardhmen, por as tregon të vërtetën për katandinë e arkës së shtetit, për thellësinë e gropës së borxhit, për shkallën e rënies së të ardhurave dhe për plot manovra të errëta me pasurinë e përbashkët, të tundshme a të patundshme, e cila është kthyer e tëra peng i interesave të oborrit të një pushteti pykash që ka hyrë si pykë mes Shqipërisë dhe të ardhmes së saj.

Është bërë tanimë burim gajasjeje të hidhur Instituti i Statistikave që fabrikon vazhdimisht shifra të rreme për llogari të pushtetit, por që nuk është në gjendje të fshehë gjurmët e manipulimeve duke dalë zbuluar në papërgjegjshmërinë e vet kur thotë se të ardhurat nga turizmi kanë qenë më të larta në tetor, nëntor, dhjetor sesa gjatë verës apo kur thotë se papunësia në Shqipëri është 12%, dmth nga një hyrje me tetë familje vetëm një kryefamiljar rri në shtëpi në mëngjes se shtatë të tjerët vrapojnë për të shkuar në punë. Ja kështu prodhohen të gjitha shifrat e mrekullisë ekonomike të qeverisjes së pykave ku i pari i qeverisë thotë rritëm rrogat e pensionet, kurse me rrogat e pensionet e rritura njerëzit paguajnë më shumë për të blerë më pak se më parë e nuk kapin dot fundin e muajit. I pari i qeverisë thotë sa të më keni mua nuk do të rritet kurrë çmimi i dritave, kurse fatura e dritave hyn nën derë edhe më e madhe sesa çmimi i rritur për shkak se borxhliu më i madh i OSSH-së, vetë qeveria shqiptare, nuk paguan borxhin e vet po u’a fut atë shqiptarëve mbi rritjen e papërballueshme të çmimit. Pastaj i pari i qeverisë thotë do t’ua kompensojmë rritjen e çmimit të varfërve dhe u shton vetëm 140 lekë në muaj, më pak se kilja e preshit, ndërkohë që të varfëria degradon në mjerim kurse të tjerë bien në nivelin e varfërisë duke humbur vendin e punës. Vijon Instati i Qeverisë duke thënë nuk është shtrenjtuar shërbimi shëndetësor, ndërkohë spitalet deklarojnë rritje të të ardhurave nga pagesat e njerëzve, të cilat fatkeqësisht janë lekë në dorë nga kontingjenti i 800 mijë të pasiguruarve, pra të papunësuar që nuk sigurohen dot dhe sot duhet ta paguajnë vizitën në spital pesë herë më shtrenjtë. Kujdes tek kjo shifër, është thuajse gjysma e fuqisë për punë që ka Shqipëria, ku hyn edhe fuqia e punës në fshat, të cilën qeveria e ka lënë në mëshirë të fatit duke e quajtur të vetëpunësuar. Cilido e merr me mend vetë sesa herë më e lartë sesa ç’thotë i pari i qeverisë dhe sesa ç’tregojnë shifrat e manipuluara si votat në Ruzhdie është papunësia në Shqipëri. Ku punësimi më i madh realizohet jo duke hapur vende të reja pune përmes investimeve prodhuese, po duke shkatërruar administratën e shtetit për të punësuar shërbëtorët e pushtetit. Dhe kulmi arrin në shifrat e rritjes ekonomike, të fabrikuara për të treguar një sukses planetar të Shqipërisë së qeverisur nga pykat që le pas botën mbarë në rrugën e zhvillimit ekonomik. Bombardohet opinioni publik me numra të rremë, ndërkohë që njerëzit shohin rritje në televizor dhe rënie në ekonominë e shtëpisë në një kohë përditë e më të vështirë, ku kush është pensionist dhjetë ditët e fundit të muajit mbetet pa lekë për të ngrënë as bukë. Dhe pas një viti e kusur me rrena mbi rrena një vështrim i kujdesshëm mbi deklaratën e fundit të Bankës së Shqipërisë nxjerr pikërisht atë që kjo parti ka thënë publikisht në fund të 2009-ës, se ekonomia shqiptare në tremujorin e fundit të vitit të shkuar ka hyrë në recesion dhe se rritja e saj në gjithë vitin që lamë pas ishte 0%.   

Ka vetëm një Shqipëri që  rritet realisht përditë në fuqinë e vet ekonomike, kjo është Shqipëria që jeton në oborrin e familjarëve, klientëve dhe shërbëtorëve të Sali Berishës. Përtej atij oborri jeton Shqipëria e njerëzve që qofshin socialistë a demokratë në bindjet e tyre, gdhijnë ditë përditë e më të vështira ekonomikisht. Saliu i Parë luajti me kursimet që çdo shqiptar futi në skemat piramidale. Saliu i Dytë po luan me gjithë Shqipërinë e futur në piramidën e një pushteti që synon të hipotekojë zgjedhjet dhe bashkë me to edhe të drejtën arbitrare mbi pronat publike e private, mbi arkën e shtetit e mbi konkurrencën në treg.

Shpërthimi vrastar i Gërdecit, shembja dramatike e tunelit të Kalimashit, përmbytja e turpshme e Shkodrës, nuk janë vetëm provat monumentale të një korrupsioni shtetëror ku Sali Berisha është i implikuar drejtpërdrejt. Por më zi akoma, këta shembuj ulëritës të kapjes së shtetit për interesat e oborrit të pushtetit janë thjesht maja e një ajzbergu që po mbyt demokracinë, shtetin e së drejtës dhe vetë ekonominë shqiptare në një det padrejtësish e pisllëqesh ku përpëliten çdo ditë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Në këto kushte dramatike degradimi social, ku ka përditë e më shumë njerëz të papunë, të varfër e të pashpresë detyrimi ynë i patjetërsueshëm është të jemi fuqia e madhe e bashkimit që i jep zë popullit të tradhtuar nga qeveria dhe i del zot vendit të mbetur pa shtet për qytetarët. Çdo muaj që shtyhet zvarrësot në këtë rrugë rënieje të demokracisë dhe rrënimit të ekonomisë së vendit rrit koston e rimëkëmbjes së shtetit e të ekonomisë së çdo familjeje shqiptare nesër. Rruga e protestës është e vetmja alternativë e vërtetë në këto çaste kur duhet medoemos ndaluar rrënimi i vazhdueshëm demokratik e ekonomik dhe ne jemi sot në këtë rrugë me njerëzit e për njerëzit. Të cilëve u ofrojmë vullnetin tonë për ta çuar deri në fund këtë betejë, kurajon tonë për të mos u zmbrapsur përpara asnjë presioni e pengese, pasionin tonë për të ndërtuar së bashku një projekt fitues mbi padrejtësinë, varfërinë e papunësinë. Ky projekt kalon përmes protestës dhe zgjedhje vetë lira sot për t’u realizuar nga një koalicion i ri qeverisës nesër.

Në rrugën e sotme të protestës ne shohim një të ardhme të denjë për aspiratat që çuan në rrëzimin e diktaturës komuniste dhe një  të nesërme më të mirë sesa çdo e djeshme që  e pasoi rënien e asaj diktature të urryer. Rruga e protestës  është sot rruga e çdo prindi që nuk shkollon dot fëmijën e vet. E çdo pensionisti që nuk ushqehet dot me të ardhurat nga puna e një jete të tërë. E çdo qytetari që nuk mbron dot pronën e vet nga sekserët e familjes në pushtet. E çdo bujku a fermeri që nuk jeton dot me tokën e tij. E çdo sipërmarrësi që nuk konkurron dot pa qenë klient i pushtetit. E çdo shqiptari që në mëngjes ngrihet i papunë. E çdo familjeje që nuk paguan dot faturat e jetesës në fund të muajit. Por rruga e protestës sot është edhe rruga e pronarëve që enden rrugëve prej njëzet vjetësh duke besuar qorrazi tek një e djathtë e kapur peng nga një komunist i dikurshëm, siç është edhe rruga e të përndjekurve të komunizmit, që vetëm lot krokodili kanë parë nën qeverisjen e pykës së prodhuar në shkollën e diktaturës së Enverit. Lejomëni të bëj këtu një parantezë, duke u shprehur besimplotë se koalicioni ynë i ri që përfshin sot edhe liberalë të djathtë do t’i japë me kurajo, urtësi e drejtësi zgjidhje problemit të pronës, duke çliruar më në fund tregun e tokës dhe energjitë e pafundme që mbahen të ndrydhura prej njëzet vjetësh në këtë vend ku po jetojmë falimentimin e një modeli ekonomik të ngritur mbi rritjen ekonomike pa punësim. Qasja e re ndaj kësaj çështjeje, në kuadrin e ndryshimeve në programin e Partisë Socialiste që do të paraqiten sot, është shprehja kuptimplotë e ndjeshmërisë sonë të rritur ndaj këtij problemi madhor, të cilin nuk e shohim si një problem të ish-pronarëve, po si një çështje me rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit. Le t’i diskutojmë në vijim këtë dhe të tjerat me partinë, me aleatët, me të gjithë qytetarët, për të qenë gati për gjykimin e lirë të popullit me votë kur protestat t’i kenë hapur rrugën forcës së arsyes duke mundur arsyen e forcës që mban peng kutitë e një fitoreje që kurrë më nuk duhet të mbetet në kuti. Sepse kur vendi qeveriset jo nga ata që zgjedh, po nga ata që nuk e lënë të zgjedhë, atëherë qeveria nuk varet më nga populli, po çdo liri dhe e drejtë e kujtdo varet nga qeveria. Ja pse për këtë soj qeverie që s’ka sy për të parë njerëzit, s’ka veshë për të dëgjuar hallet e problemet e tyre dhe s’ka asnjë skrupull në shkeljen e lirive e të drejtave të cilitdo, rruga e protestës është e vetmja që mbetet për të rifituar të drejtën për t’u mirëqeverisur dhe lirinë për të jetuar e punuar pa mbajtur në kurriz qeverinë.  

Rruga e protestës është  sot rruga e Shqipërisë së mbetur në mes të  rrugës, pa liri për të lëvizur pa vizë në Europë dhe pa liri për të zgjedhur me votë brenda kufijve të vet, ku një pushtet i korruptuar ka shpallur opozitën armik të integrimit. S’ka turp më të madh sesa turpi që e ka zënë këtë vend që të qeveriset në vitin 2010 nga pyka që gënjejnë e shpifin papushim për të mbuluar zullumet, budallallëqet e dështimet e tyre. E garantuan popullin me bujë se më në fund do hiqeshin vizat edhe për Shqipërinë e mbetur në fund për faj të tyre e të askujt tjetër dhe tani, që po shohin se prapë nuk kanë bërë tërë punën që duhej, kanë rinisur të justifikojnë dështimin e radhës me gënjeshtrat e shpifjet e radhës për opozitën. Janë dëshmitarë të gjithë se ne kemi kërkuar papushim, në Tiranë, Strasburg e Bruksel mbështetje për heqjen e vizave pavarësisht kusureve të pambulueshme të kësaj qeverie pykash. Lëvizja e lirë e shqiptarëve nuk duhet të varet në asnjë mënyrë nga çfarëdo problemi që Shqipëria sot ka për shkak të keqqeverisjes dhe Europa nuk duhet t’i lerë shqiptarët përsëri pas derës për faj të Sali Berishës. Kurse atyre që thonë mos protestoni se do na lini pa viza ose mbyllni sytë përpara krimit elektoral dhe pranojeni pa kushte parlamentin e Ruzhdies që Europa të na heqë vizat, u them se jo vetëm heqja e vizave nuk ka pikë lidhje me këto sajesa të pushtetit fajtor për të justifikuar dështimin e turpshëm të radhës, por edhe se pa protestuar, pa çliruar zgjedhjet, pa ndalur rrënimin ekonomik, ne nuk do të integrohemi dot kurrë në Europë sepse kurrë nuk do të kemi një shtet si në Europë, një administratë si në Europë, një polici si në Europë, gjykata, shkolla e spitale si në Europë, treg dhe ekonomi si në Europë.  

Prandaj ne jo vetëm do të protestojmë  çdo ditë, jo vetëm do të mblidhemi më të shumtë  se asnjëherë më parë në 30 prill në Tiranë  për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të shkuara që të shpëtojmë zgjedhjet e ardhshme, jo vetëm do ta kthejmë 1 majin në ditën e një beteje demokratike në rrugë kundër pushtetit të papunësisë e të varfërimit të përditshëm të shqiptarëve, por nuk do të ndalemi deri në largimin e qeverisë në  rast se qeveria nuk do të largojë publikisht duart nga kutitë  ku mban mbyllur zgjedhjet dhe zgjidhjet për demokracinë, drejtësinë, ekonominë e këtij vendi. Ka cinikë që thonë  se gjërat vërtet janë keq po as rruga e protestës nuk është  zgjidhje. Ka edhe dashamirës që thonë s’jemi kundër protestave po duam ta kemi të qartë kur, ku dhe si përfundon rruga e protestës. Cinikët janë ata që vetë jetojnë  megjithatë mirë dhe nuk e ndjejnë dhimbjen e atyre që jetojnë keq siç e ndjejmë ne, ndaj kur flasim u duket sikur bëjmë politikën e ditës e deklarimin e radhës. Të tillë do të ketë gjithmonë dhe kështu do të jenë gjithnjë më të shumtët edhe ndër komentatorët e ekraneve televizive a faqeve të gazetave. Ndërsa dashamirësve u them mos kërkoni t’jua themi ne kur e ku mbaron kjo betejë në rrugën e protestës, sepse po të dinim këtë atëherë kjo nuk do të qe betejë po fushë për t’u mbjellë me lule. Prandaj nëse e ndjeni dhimbjen e njerëzve, nëse ju dhemb ku vend sic na dhemb neve, ejani në rrugën e protestës për ta përshpejtuar fundin e betejës. E cila s’dihet kur e s’dihet ku, po dihet me siguri si mbaron: Me fitoren e njerëzve që nuk kërkojnë privilegje, po vetëm lirinë për të zgjedhur dhe të drejtën për të jetuar e punuar si të barabartë përpara ligjit e mundësive që ofron demokracia, pavarësisht ngjyrës së qeverisë. Nëse ne i fituam zgjedhjet e 28 qershorit, por nuk u zgjodhëm sepse kutitë u mbushën me vota të prodhuara nga korrupsioni nëpër qindra Ruzhdiet e Shqipërisë dhe u mbyllën me dhunën e pushtetit të dalë kundër vullnetit të popullit, kjo është ora për të luftuar që kështu të mos ndodhë më kurrë. Sepse nëse nuk ndodh më kështu atëherë jo thjesht ne do të fitojmë e do të zgjidhemi në zgjedhjet e reja, por më e rëndësishme akoma, zgjidhje të reja do të vinë për njerëzit, për ekonominë, edukimin, shëndetin e tyre.  

Lejomëni të dashur delegatë  e të ftuar kënaqësinë që ta mbyll aty ku e nisa, tek fjala e thënë 87 vjet më parë nga Fan Noli, për ta thënë sot më qartë sesa ç’jam i zoti atë që duam ne të gjithë: Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, të përbërë prej njerëzve më të ditur, më patriotë, më të zotërit e më të ndershmit. Në të emëruar nëpunësit duam të merret parasysh dituria, patriotizma, zotësia e nderi. Nuk duam të përjashtojmë asnjë qytetar i cili ka dituri, zotësi e vullnet të mirë, vetëm e vetëm se hyri pak a shumë vonë në sheshin e Shqipërisë së lirë. Duam ta lartësojmë racën tonë, jo ta skllavërojmë. Duam të respektohet nderi, liria dhe kryelartësia tradicionale e popullit shqiptar. Duam t´i japim popullit liri e jo tirani. Duam ta shtrojmë vendin tonë jo me dru, po me kanun e me drejtësi. Duam t´i rregullojmë financat e shtetit me kursim e jo ta shkatërrojmë shtetin me ryshfete e me taksa. Duam të ndërtojmë e jo të prishim. Organizatorët e huaj nuk i duam vetëm për bukuri e për të gënjyer popullin, po për të punuar e për të organizuar me të vërtetë. Duam t´u japim rëndësi kryesore degëve të bujqësisë, të shëndetësisë dhe të arsimit. Problemet e sipërme e veçanërisht atë të arsimit s’mund ta zgjidhë një kabinet prej të paditurish dhe mediokrish si i sotmi. Shërimi, pra, është në ndërrimin e kësaj guverne. Këtë e ka populli në dorë në zgjedhjet e afërme. Po që të mundin zgjedhjet të japin përfundimin e dëshiruar duhet siguruar vota direkte dhe e fshehtë drejt për drejt prej tërë popullit...  

Populli ynë vojti mjaft prej kësaj guverne sa të mos gënjehet t´ia japë votën përsëri. Se janë dhe do të mbeten të vërteta fjalët e presidentit martir të Shteteve të Bashkuara i cili ka thënë: " Mund të gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë, mund të gënjesh tërë popullin për ca kohë, po kurrë s´mund ta gënjesh tërë popullin për tërë kohën".

Motra dhe vëllezër, në 30 prill në bulevardin e Tiranës me njerëzit dhe për njerëzit që gënjeshtra e bërë mal në rrugën që na ndan nga Europa të bjerë dhe horizonti i mundësive të pafundme të hapet për Shqipërinë e për çdo shqiptar që do të jetojë në atdheun e tij i lirë, me dinjitetin e një pune të ndershme.  

Faleminderit.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm