Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në protestën e Vlorës

Fjalime

Fjala e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në protestën e Vlorës

10 Apr 2010    

Të gjithë e kanë marrë vesh që Sali Berisha i vodhi zgjedhjet. Të gjithë po e marrin vesh që pushteti i vjedhur nuk mund të hapë vende pune, por vetëm mbyll rrugët e punësimit dhe flak çdo ditë njerëz në rrugët e papunësisë. Të gjithë po e shohin se me votat e vjedhura Sali Berisha nuk po e nxjerr ekonominë nga kriza, por vetëm po shton borxhet, po rrit çmimet, po zmadhon gënjeshtrat. Pushteti i Sali Berishës nuk fundosi vetëm zgjedhjet, ai po fundos edhe ekonominë shqiptare, duke bërë të humbasin mijëra vende pune çdo muaj dhe duke rritur përditë faturat e ushqimeve, ilaçeve, energjisë dhe ujit.

Protesta jonë për zbardhjen e krimit elektoral është edhe barrikada jonë kundër rrënimit ekonomik. Unë ju jam mirënjohës të gjithëve ju, që keni dalë sot për të hapur kutitë e votimit dhe për të ndalur rrënimin ekonomik. Ju ftoj të gjithëve në 30 prill në bulevardin e Tiranës, për të kërkuar me forcë të drejtën e shkelur, liritë e mohuara, Shqipërinë e merituar, pa vjedhje votash, pa grabitje pronash private dhe pasurish publike, pa nëpërkëmbje njerëzish për shkak bindjesh politike, pa plehra dhe shkatërrim të natyrës kudo ku hedh sytë. Në 30 prill në Tiranë, për të rifituar të drejtën që ta gjykojmë me votë një pushtet që po i detyron të gjithë ta paguajnë përditë e më shtrenjtë faturën e krimit elektoral. Në 30 prill në Tiranë për votën e vjedhur, për dritat dhe ujin e shtrenjtuar, për çmimin e papërballueshëm të bukës së përditshme, për humbjen e vendit të punës, për derën e mbyllur të shpresës. Vlonjatët dhe vlonjatet duhet të vijnë në 30 prill në Tiranë për të mbrojtur veten, për të mbrojtur familjen e tyre, për të mbrojtur Vlorën.

Vlora sot ka vite e lënë pas dore pa fonde zhvillimi dhe punësimi. Edhe më keq akoma, Vlora sot është shënjestra e korrupsionit shtetëror që synon të gllabërojë tokat e banorëve të Orikumit dhe pyllin e qytetit tek Soda.

Vlora sot është në rrezik, siç thotë alarmi i lëshuar nga 70 shoqata qytetare të bashkuara, që i përshëndes thellësisht dhe u them edhe unë jam me ju. Jam me ju për Vlorën e fëmijërisë sime dhe të të gjithë fëmijëve tuaj. Jam me ju në Vlorën që punëson njerëzit e saj në rrugët e një zhvillimi pa krime dhe dëme mbi natyrën dhe mbi shëndetin e vlonjatëve, për Vlorën që ju kishit në mendje dhe në zemër kur na dhatë votën më 28 qershor.

Sot e dinë jo vetëm ata që e kanë kryer atë krim, por e kanë marrë vesh të gjithë se në 28 qershor, Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet dhe nuk u zgjodh dot vetëm sepse zgjedhjet u vodhën duke mbushur kutitë si në Ruzhdie. Sot Shqipëria nuk qeveriset nga ata që ka zgjedhur, por nga ata që nuk e lanë popullin të zgjidhte dhe më keq akoma sot ne pagujamë nga xhepi çmimin e këtij krimi duke humbur vende pune, duke humbur fuqi blerëse, duke humbur pavarësi ekonomike në një tunel borxhesh ku Sali Berisha po shet të ardhmen e Shqipërisë për karriget e tij. Sali Berisha jo vetëm grabiti zgjedhjet, ai po rrënon edhe ekonomnë e çdo zgjedhësi. Sali Berisha thotë se ju po jetoni në një mrekulli ekonomike, ju do të vini në 30 prill në Tiranë për t’i dhënë fund talljes së këtij pushteti të korruptuar me varfërinë, papunësinë, pafuqinë tuaj për të blerë bukën e përditshme të familjes. Sali Berisha thotë se planeti mbarë po çuditet me zhvillimin e paparë të ekonomisë sonë, ju do të vini në 30 prill në Tiranë për t’i dhënë fund poshtërimit që ky pushtet i vjedhur ju bën përditë duke iu çuar sy mbyllur fatura të paligjshme dritash, fatura të papagueshme uji, fatura të paturpshme ilaçesh. Ky është një pushtet pa të ardhme që e mban peng Shqipërinë me armët e të shkuarës. Me zgjedhje si në Ruzhdie, s’ka asnjë mundësi të ketë demokraci, drejtësi si në Europë. Prandaj hapja e kutive të të gjitha Ruzhdieve dhe garancia se ato që ndodhën në 28 qershor nuk do të përsëriten më kurrë përbën një kusht themelor, jo vetëm për të dalë nga kriza politike, por edhe për të filluar shërimin e ekonomisë shqiptare, e ekonomisë së çdo familjeje shqiptare. Një qeverisje që populli nuk e ndryshon dot me votë është një sundim që nuk ndien asnjë përgjegjësi dhe mëshirë për punën dhe pronën, për ekonominë dhe për korrupsionin, për të sotmen dhe të ardhmen e atyre që nuk jetojnë në oborrin e familjarëve dhe klientëve të pushtetit që majmen duke tjetërsuar liritë, të drejtat, pronat e popullit. Të bashkohemi të gjithë në 30 prill në Tiranë për të refuzuar faturat e papërballueshme të kësaj qeverie që zhytet përditë në borxhe, që i paguani ju për përfitime që i marrin ata. Në 30 prill në Tiranë të gjithë ata që duan ta marrin në dorë fatin e familjeve të tyre dhe për të dalë nga kurthi i krizës ekonomike ku zhyten përditë. Në 30 prill në Tiranë të gjithë ata që duan të marrin në duar fatin e mbetur jetim në duart e atyre që pasi grabitën votat në 30 qershor po mbyllin përditë vende pune dhe dyer shpresash. Në 30 prill në Tiranë të gjithë ata që duan të bashkojnë forcat për të dënuar krimin elektoral, për të hapur dyert e shpresës dhe të punësimit përmes protestave pandalim. Në 30 prill në Tiranë të gjithë sipërmarrësit, të rimarrin në dorë fatin e tyre të shkelur me këmbë nga një pushtet që siç shkeli me këmbë kontratën me popullin, duke grabitur votat i ka vënë shkelmin çdo kontrate që garanton liri dhe të drejta për sipërmarrjen. Në 30 prill në Tiranë të gjithë rrogëtarët të keqtrajtuar të shtetit në administratë, spitale, shkolla, agjensi dhe ndërmarrje shtetërore të rrimarrin në dorë fatin e tyre si qytetarë që nuk mund të kthehen në skllevërit e një pushteti të ngritur mbi korrupsionin e votës dhe futjen kudo të frikës së largimit nga puna për një llaf goje. Të bashkuar ne do t’i japim fundin që meriton një pushteti që pasi fundosi zgjedhjet po fundos edhe ekonominë, duke i lënë  njerëzit përditë e më të papunë, përditë e më të pashpresë. Në 30 prill në Tiranë të gjithë bujqit, fermerët dhe peshkatarët, ushtarakët e liruar, minatorët në aktivitet e në pension, komunitetet e prekura nga padrejtësitë mbi pronat, shoqatat dhe gjithë organizmat e shoqërisë civile, të gjithë ata që nuk gjejnë shteg në xhunglën ku shkelen të drejtat dhe liritë kushtetuese për këdo që nuk është pjesë e familjes në pushtet. Të rimarrin në dorë fatin e tyre si njerëz që në mes të Europës nuk mund të vidhen as në lirinë e tyre për të zgjedhur dhe as në të drejtën e tyre për të jetuar në atdheun e tyre si të barabartë mes të barabartësh përpara ligjit. Të dashur miq, zullumit që trashet përditë ne do t’i vëmë forcën e bashkuar të zemrave tona për ballë, ne do t’i japim fundin që meriton këtij pushteti që pasi fundosi zgjedhjet, po fundos dhe ekonominë, sepse Shqipëria meriton më shumë, sepse familjet shqiptare meritojnë më shumë, sepse secili prej jush meriton më shumë dhe nuk ka asnjë arsye dhe asnjë mundësi tjetër përveç arsyes dhe mundësive që ne do t’i japim jetë së bashku duke filluar më 30 prill në Tiranë në një protestë pa ndalim, për të kërkuar një të drejtë që ne nuk e negociojmë dhe një liri që ne nuk e falim  dhe as e shesim.  

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm