Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e Kryetarit te PS, Edi Rama ne manifestimin qytetar ne pervjetorin e tragjedise se Gerdecit

Fjalime

Fjala e Kryetarit te PS, Edi Rama ne manifestimin qytetar ne pervjetorin e tragjedise se Gerdecit

22 Mar 2009    
Ne jemi sot këtu se disa nga ne nuk janë më!
Ne jemi sot këtu sepse një vit më parë disa si ne humbën jetën, të tjerë u gjymtuan e dëmtuan në trupin e tyre, të tjerë akoma u shkatërruan në pronën e tyre dhe perspektivën e familjeve të tyre. Ne jemi sot këtu sepse në 15 marsin e shkuar Shqipëria mbarë u lëkund prej shpërthimit vullkanik të korrupsionit dhe mbarë bota u trondit nga pamjet dhe flakët e atij shpërthimi.
Ne jemi sot këtu për të mos harruar historinë që historia të mos përsëritet; për të mos harruar të djeshmen, që të sigurojmë të ardhmen, për të mos harruar ata që ikën që të mbrojnë ata që do të vijnë.
Ne jemi sot këtu si një popull nën të njëjtin flamur e mbi të njëjtën tokë të atdheut tonë për të dëshmuar vullnetin tonë për bashkim e ndryshim në një ditë si kjo kur edhe njëherë tjetër politika e vjetër e së shkuarës, me shëmbëlltyrën e saj, në qeveri apo në opozitën e opozitës, na treguan verbërinë e tyre përpara vendit, shurdhërinë e tyre përpara të vërtetave të njerëzve, cinizmin para aspiratës sonë të përbashkët për një Shqipëri si gjithë Europa.
Edhe njëherë tjetër gjuhët e vjetra nuk thanë dot asgjë të re, edhe pse sot nuk ishte dita për baltën dhe mllefin e vjetër. Edhe njëherë tjetër, ne sot jemi këtu për të mos iu përgjigjur baltës me baltë e mllefit me mllef por për t'u hapur krahët e dashurisë e mirëkuptimit të gjithë atyre që njësoj si ne, duan një Shqipëri si gjithë Europa.
Zoti i ka falur Shqipërisë gjithçka u duhet shqiptarëve e shqiptareve për të jetuar në paqe e mirëqenie. Na takon ne të nxjerrim prej vetes gjithë fuqinë e mendjes për të mos lejuar më që kjo dhuratë bujare e zotit që quhet Shqipëri, të vazhdojë të bëhet copë e cipa nga paaftësia, papërgjegjshmëria e korrupsioni i atyre që prej 18 vjetësh premtojnë, harrojnë e shkatërrojnë!
Na takon ne të nxjerrim prej vetes fuqinë e zemrës, për të mos lejuar që e njëjta lojë e 18 vjetëve të vazhdojë të luhet në kurrizin tonë, nga të njëjtët personazhe që prej 18 vjetësh na ndajnë e përçajnë, për të bërë 18 vjet me rradhë, vetëm punët e tyre.
Na takon ne, të nxjerrim më të mirën prej nesh që më e mira të bëhet në këtë vend ku s'ka arsye pse fëmijët të mbeten pa shkollë! S'ka arsye që të rinjtë e të rejat të mbeten pa punë! S'ka arsye që prindërit të enden pa shpresë rrugëve të varfërisë për të nxjerrë bukën e gojës për fëmijët e tyre! S'ka arsye që më të moshuarit të lëngojnë pa paguar dot ilaçet e tyre! S'ka arsye që arratia matanë kufijve të mbetet ilaçi i vetëm për qindra e mijëra familje e që populli i tërë të mbetet si i zënë në kurth, i varfër, i papunë e i pashpresë në shekullin e 21-të, në mes të Europës.
Ne jemi sot këtu, sepse s'ka arsye pse të mos jemi aty ku na takon: në Bashkimin Europian!
Ne jemi sot këtu, sepse duam të jemi qytetarë të Europës pa kufi, me liri e të drejta të barabarta me gjithë të tjerët, pa analfabetizëm, pa plera e plagë mjedisore nga të katërt anët, pa ndërpreje të energjisë elektrike e të ujit të pijshëm, në një Shqipëri pa papunësi në rritje të përditshme, e varfëri në shtrirje të vazhdueshme. Në një Shqipëri pa jetimë të sigurisë së jetës, e pa plagë si kjo e tmerrshmja e 15 Marsit të kaluar.
Jemi këtu se duam t'i japim fuqi ndryshimit që po vjen duke u bashkuar për t'i dhënë zë shpresave tona e për t'i dhënë politikës përm,asën e ëndrrave e të nevojave tona.
Që Shqipëria të ndryshojë, politika duhet të ndryshojë.
Që Shqipëria të jetë vendi i punës dhe shpresës politika duhet të nxisë punën e të ushqejë shpresën.
Që Shqipëria të bëhet si gjithë Evropa, është koha që politika të bëhet europiane.
Është koha që asnjë shqiptar që e do Shqipërinë si gjithë Europa të mos bëjë gabimin naiv që prej 18 vjetësh e bëjnë shumë njerëz të mirë e të ndershëm, të cilët i kthejnë kurrizin politikës e nuk duan t'i dëgjojnë zërin e t'i shohin fytyrën politikës.
Këta njerëz të mirë, harrojnë se në sa më pak duar ta lënë politikën, aq më shumë të këqija mund të na vijnë nga ajo, nga lidhjet e saj të këqija e nga vendimet e saj të padrejta.
Ja pse është koha që çdokush që do ndryshimin e vendit e të jetës së tij në këtë vend, të merret me politikë jo për t'u bërë politikanë, por për ta vënë politikën dhe politikanët në shërbim të tij. Jo duke votuar në fund fare, por duke u angazhuar qysh në fillim fare, përditë, për të mbjellë farën e besimit se shpresat tona nuk janë të pamundura, se idealet nuk janë as të humbura e as të parealizueshme, që ëndrra e Shqipërisë si gjithë Europa që nxorri në rrugë shumicën e papushtetshme, sot është në duart tona e kërkon rrugë për t'u bërë realitet.
Sot Shqipëria është më ë varfër se 4 vjet më parë - 4 vjet të tjera si këto nuk durohen. Sot Shqipëria është më e papunë se 4 vjet më parë - 4 vjet të tjera nuk përballohen. Sot Shqipëria është më e pashkollë se 4 vjet më parë - 4 vjet si këto nuk justifikohen. Sot Shqipëria është më e dhunuar se 4 vjet më pare - 4 vjet si këto nuk tolerohen.
Sot Shqipëria është jo vetëm më e kapur nga korrupsioni se 4 vjet më parë, por e kapur në një formë që askush nuk e imagjinonte 4 vjet më pare!
Ja pse është koha për tu bashkuar përtej kufijve të vjetër të partive dhe ndasive të vjetra të së shkuarës, përtej mërive dhe hasmërive që politikanët kanë ushqyer deri në fshatin më të largët, përtej interesa të oborreve familjare e klanore që e kanë uzurpuar politikën e që sot ndihen të kërcenuar nga fuqia e ndryshimit që po vjen bashkë me ne.
Ndryshimi që ne duam të sjellim nuk është ndërrimi i një Kryeministri me një tjetër, apo i disa ministrave me disa të tjerë për të vazhduar pastaj të njëjtin avaz të këtyre 18 vejtëve gjatë së cilëve pushteti është shndërruar disa herë në emër të së djathtës e të majtës po Shqipëria ka mbetur po njësoj peng i të njëjtave interesa, duke u lëkundur sa majtas e djathtas pa gjetur dot ekulibër në një shtet që sot e gjithë ditën na mungon.
Ndryshimi që ne do të sjellim është ndryshimi i një epoke me një tjetër, përmes një politike të rë që nuk jeton për të përbaltur e shkatërruar kundërshtarin por për të nxjerrë Shqipërinë nga balta që politika prodhon prej 18 vjetësh. Ne do të sjellim ndryshimin që u duhet prindërve që nuk blejnë dot abetaren për fëmijet e tyre, grave që nuk përfitojnë dot nga barrëlindja për shkak të varfërisë, do sjellim ndryshimin që u duhet të rinjve e të rejave që nuk jetojnë dot të pavarur nga prindërit, apo që marrin arratinë nga atdheu për shkak të papunësisë.
Ne do sjellim ndryshimin që u duhet familjarëve që nuk arrijnë dot fundin e muajit, ndryshimi që ne do sjellim është ndryshimi që i duhet Tiranës të bëhet si gjithë Europa dhe qyteteve të tjera shqiptare të behen si Tirana.
Ne nuk jemi këtu për të ulëritur poshtë kundërshtarët tanë, por për të thirrur lart e më lart Shqipëria!
Ne s'jemi këtu për të vazhduar luftën abuzive për pushtet duke keqpërdorur plagët e njerëzve, por për të treguar vullnetin e një bashkimi të ri njerëzish.
Një vit më parë korrupsioni shtetëror vrau 26 ndër motrat e vëllezërit tanë, plagosi qindra të tjerë, rrënoi mijëra shtëpi e pasuri të vëna me gjak e sakrifica të pashoqe.
Ne i kërkuam drejtësisë të bëjë drejtësi e sot i kërkojmë të njëjtën gjë, sepse vetëm kur politika nuk ndërhyn në punët e drejtësisë, drejtësia mund të bëjë punën e saj.
Nga ana tjetër u themi kundërshtarëve tanë në pushtet apo aleatëve të tyre në opozitën e opozitës se mungesën e vizionit të tyre për të ardhmen nuk e mbushin dot me baltën dhe mllefin ndaj nesh.
Sot më shumë se asnjëherë është i qartë dallimi mes koalicionit të vjetër të politikanëve të së shkuarës dhe koalicionit të ri të qytetarëve për të ardhmen, dallimi mes atyre që kanë 18 vjet që na mbajnë peng me politikën e tyre të llafeve të mëdha e interesave të vogla, dhe nesh që të bashkuar mund të shërojmë plagë që duken të pashërueshme.
Barack Obama, një ditë kur pak kush e imagjinonte se do të bëhej President i SHBA, tha: një popull që e do vendin e vet, mund ta ndryshojë atë.
Dita e sotme nuk ishte gjë tjetër, veçse manifestim i dashurisë sonë! Ne me dashuri mund ta ndryshojmë vendin, me dashuri do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa.

Faleminderit dhe natën e mire! Dhe thuajuni të gjithëve, se asgjë nuk është e pamundur nëse jemi të gjithë bashkë.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm