Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e Kryetarit te PSSH, Edi Rama ne Asamblene Kombetare te PSSH.

Fjalime

Fjala e Kryetarit te PSSH, Edi Rama ne Asamblene Kombetare te PSSH.

09 Apr 2007    
Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste!

Si kundër e vuri theksin qysh në hapje, Kryetari i Asamblesë, ne këtu nuk jemi rastësisht dhe as sepse nuk kishim një hapësirë tjetër, ku të bënim këtë mbledhje të Asamblesë, por për të nënvizuar publikisht me praninë tonë këtu, qoftë solidaritetin me banorët e zonës, qoftë angazhimin për t'i shkuar deri në fund zbardhjes së një ngjarjeje tragjike për shkaqe jo natyrore dhe nga ana tjetër për të mbështetur deri në fund të gjithë të mbijetuarit e asaj tragjedie së bashku me banorët dhe sipërmarrësit e zonës së dëmtuar nga bombardimi i beftë, që erdhi si rezultat i shpërthimit të vullkanit të korrupsionit në Gërdec. Duke theksuar nevojën që banorët e kësaj zone, familjet të cilave u janë shkatërruar shtëpitë apo u është dëmtuar banesa ose pasuria, duhet të marrin deri në fund dëmshpërblimin.

Unë dëshiroj që kjo Asamable Kombëtare të angazhohet duke ngarkuar një grup deputetësh për të përgatitur një nisëm ligjore pasi e gjithë periudha pas tragjedisë dhe administrimi nga ana e qeverisë i këtij procesi na lë të kuptojmë fare qartë, se qeveria dhe kryeministri nuk kanë asnjë plan, nuk kanë asnjë ide dhe nuk kanë asnjë gjasë që të plotësojnë detyrimet e tyre karshi këtyre njerëzve, por kanë vetëm një shqetësim si të mbulojnë mediatikisht vullkanin dhe nga ana tjetër si të kapërcejnë një orë e më parë me demagogji, me premtime, me shifra e gënjeshtra një moment tragjik, të cilin ne nuk mund ta konsiderojmë të kapërcyer pa u zbardhur e tërë e vërteta. Vetëm e vërteta dhe asgjë tjetër, përveç të vërtetës! Nga ana tjetër pa u dëmshpërblyer deri edhe banori i fundit i zonës apo sipërmarrësi i fundit për të gjitha dëmet e shkaktuara. Nisma ligjore është e vetmja përgjigje, që mund t'i jepet kësaj pikëpyetje, që është duke u rritur mbi kokat e gjithë atyre njerëzve që sot janë pa shtëpi, që sot janë të strehuar në godina të vëna në dispozicion të tyre, apo tek të afërm dhe miq dhe që sot, ashtu si kundër e theksoi dje edhe ambasadori i SHBA-së, nuk mund të kthehen në këtë zonë që vazhdon të paraqesë rrezikshmëri të lartë për një sërë arsyesh. Kuvendi i Shqipërisë do duhet të marrë përgjegjësinë të miratojë nismën dhe të angazhojë ligjërisht Qeverinë për t'ju përgjigjur deri në një të gjitha nevojave financiare dhe materiale që kanë ata që u bombarduan nga qeveria. Nga ana tjetër, më lejoni që t'ju falenderoj të gjithëve dhe që të shpreh konsideratën dhe krenarinë për atë çka ne bëmë në kryerje të detyrës dhe të misionit tone, duke nxitur dhe mbështetur procesin e marrjes së ftesës për Shqipërinë në NATO. Nga ana tjetër le të vendosim së bashku një tjetër objektiv, që të luajmë me po këtë vendosmëri dhe po me po këtë largpamësi një rol po kaq aktiv për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO vitin e ardhshëm. Ashtu sikundër të rrisim pjesëmarrjen dhe aktivitetin tonë në funksion të afrimit të ditës, kur shqiptarët do të duhet të lëvizin lirisht në Bashkimin Evropian. Për këtë na duhet të dalim sigurisht përpara publikut dhe përpara partnerëve tanë me propozime dhe plane konkrete. Sigurisht, që Asambleja Kombëtare, sot, do të duhet të bëjë një vlerësim dhe do të duhet të marrë angazhime të tjera lidhur me procesin e "Dialogut me Shqipërinë", i cili është një aksion politik i ndërmarrë prej nesh këtu e 8 muaj më parë dhe që kërkon një rritje të mëtejshme të pjesëmarrjes dhe të intensitetit nga të gjithë anëtarët e Asamblesë Kombëtare dhe nga gjithë përfaqësuesit tanë në nivel vendor.

Dua të them se sot, ne mund të themi me plot gojë se ky është një proces i cili po na jep rezultate mjaft pozitive, posaçërisht në fushat ku ne dëshirojmë që të fokusohet programi ynë i ri dhe ku alternativa jonë duhet të përbëjë rrugëdaljen dhe futjen e Shqipërisë në një rrugë të re, përkatësisht në arsim dhe në bujqësi, ku pas procesit të dialogut publik me të gjithë kemi hyrë në një fazë të dytë, të tryezave për arsimin dhe bujqësinë, në të gjitha bashkitë e vendit. Këto tryeza janë ngritur dhe kanë funksionuar duke na dhënë një material shumë të pasur, i cili do të jetë objekt i 12 konferencave rajonale të arsimit të cilat ne do të zhvillojmë gjatë periudhës maj-qershor e që kjo Asamble do t'i miratojë në bazë një kalendari së bashku me konferencat rajonale të bujqësisë, blegtorisë dhe zhvillimit të fshatit, të cilat po ashtu do të zhvillohen gjatë periudhës maj-qershor dhe do të mbështeten tek materiali i pasur, që po mblidhet nga tryezat e bujqësisë, që po zhvillohen në çdo komunë. Sigurisht, ka pasur tryeza më cilësore, më pak cilësore, por në tërësi më duhet të them se materiali i mbledhur është jashtëzakonisht i bollshëm dhe interesant, duke na vërtetuar domosdoshmërinë e një procesi ku qytetare dhe qytetarë, njerëz të sistemit, apo njerëz të intetresuar për mirëfunksionimin e sistemit, qoftë për arsimin apo bujqësinë, mësuese dhe mësues apo pedagogë në aktivitet apo në pension, studente e studentë në Tiranë apo në të gjithta qytetet e vendit, apo fermerë e bujq që kanë pasur mundësinë dhe e kanë shfrytëzuar këtë mundësi, për të na dhënë opinione, sygjerime lidhur me rrugën, se si mund të të dalim nga gjendja aktuale e këtyre sistemeve tërësisht në kolaps.

Po ashtu, përveç këtyre dy shtyllave kryesore të "Dialogut me Shqipërinë", besoj se kanë qenë shumë të vlefshme dialogjet e zhvilluara për mjedisin, ku kemi menduar të ndërtojmë tryezat në rang rajonesh, me ekspertë dhe njerëz të interesuar. Nga këto tryeza ka ardhur një material i rëndësishëm. Dialogjet për energjinë dhe ujin në muajin dhjetor, për çëshjet sociale, të cilat janë dialogje që do të vijojnë në tryeza më të ngushta ekspertësh, pasi janë çështje që kërkojnë një fokus më të ngushtë, në funksion të një analize të 17 vjetëve dhe me patjetër në funksion të ambicies tonë për të ardhmen. Një punë shumë të rëndësishme për të plotësuar kuadrin e punës me programin po bën Fondacioni "Qemal Stafa". Unë dua t'i falenderoj gjithë deputetët, gjithë anëtarët e Asamblesë Kombëtare dhe të gjithë të tjerët, që kanë marrë pjesë në tryezat e organizuara nga Fondacioni "Qemal Stafa" dhe që janë tryeza të konceptuara si komplementare me tryezat e dialogut, dhe që sigurisht, për natyrën e tyre kërkojnë grupe të ngushta eksepertësh apo njerëzish me eksperiencë në politikën e jashtme, në fushën e reformave ekonomike dhe fiskale, në fushën e reformave të territorit e kështu me radhë.

I gjithë ky kantier do të fillojë dalëngadalë të japë rezultatet e para. Do të na japë mundësinë që duke filluar nga muaji shtator, ne të hyjmë në fazën e dytë të "Dialogut me Shqipërinë" ku do të rikthehemi tek publiku, jo më për të dëgjuar dhe mbajtur shënim, por për të hapur debatin, duke filluar të shfletojmë alternativën dhe projektin e programit tonë të ri qeverisës. Kjo gjë do të na japë mundësinë të konfrontohemi me qytetare dhe qytetarë të të gjitha fushave në tryeza të madhësive dhe natyrave të ndryshme, duke diskutuar konkretisht mbi gjetjet dhe propozimet tona në bazë të githë këtij procesi, që po zhvillojmë në këtë periudhë. Nga ana tjetër, do të diskutohet, sot, në këtë asamble dhe për procesin tjetër, që ecën paralelisht me procesin e tryezave, formësimit të alternativës, që është procesi i ripërtëritjes së plotë të organizmit të PSSH-së me zgjedhjet në të gjitha organizatat e PS-së , të cilat janë përcaktuar në një kalendar ku për të siguruar pjesëmarrjen e gjithë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare dhe për të siguruar një bashkëpunim të efektshëm mes strukturat në qendër dhe gjithë organizatat e partisë në gjithë territorin janë zhvilluar të ndara në pjesë sipas qarqeve.

Unë këtu, sinqerisht, dua të falenderoj gjithë anëtarët e Asamblesë Kombëtare. Ka pasur një angazhim të jashtëzakonshëm. Ka pasur një prani shumë të kënaqshme të të gjithëve ju në organizatat ku keni qenë të deleguar. Ka pasur një marrëdhënie e cila është vendosur mbi baza të reja mes anëtarësisë dhe përfaqësisë më të lartë të partisë, që është Asambleja Kombëtare gjë që uroj dhe kam besim të plotë që do të vazhdojë deri në fund, duke na dhënë mundësinë nga njëra anë që të ndjekim nga afër procesin e zgjedhjes dhe të ripërtëritjes në të gjitha organizatat socialiste në të gjithë Shqipërinë dhe të marrim një pamje të qartë të ecurisë dhe të metave dhe dobësive. Gjithashtu, duke i dhënë mundësi të gjithë anëtarësisë që në bashkëpunim me të deleguarit nga kryesia e nga Asambleja të bëjë korrigjimet e nevojshme në procesin e zgjedhjeve. Sigurisht, që pjesa tjetër e aktivitetit tonë e cila është e fokusuar në Kuvendin e Shqipërisë ka sot një fokus të veçantë, që ka të bëjë me reformën zgjedhore. Unë dua ta them qartë dhe në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë për të gjithë. Kjo është një reformë e domosdoshme. Kjo është një reformë të cilën ne e kemi kërkuar qysh në krye të herës. Kjo është një reformë në të cilën ne kemi marrë një rol udhëheqës duke u përpjekur që të garantojmë zhvillimin e procesit dhe realizimin e saj në kohë dhe të mos lejojmë si në 17 vjet që kjo të jetë reforma e minutës së fundit. Në mënyrë që t'i japim mundësi të gjithëve, çdo shqiptareje dhe shqiptari që të njihet me sistemin zgjedhor. T'i japim mundësi të gjithëve, çdo individi që kërkon dhe synon të zgjidhet në çfarëdo partie, që të punojë në funksion të një sistemi zgjedhor të qartë. T'i japi mundësi njëkohësisht të gjitha forcave politike që të fokusohen tek problematika që ka të bëjë, jo vetëm me sistemin dhe me rregullat e procesit elektoral, por dhe me infrastrukturën zgjedhore ku sëbashku nëpërmjet Kuvendit të Shqipërisë do të ushtrojmë trysninë maksimale që qeveria shqiptare të garantojë një infrastrukturë zgjedhore të shëndetshme dhe pa të gjitha ato cene që kemi vënë re në të gjitha proceset zgjedhore. Ne kemi bërë një propozim dhe këtë propozim e kemi bërë në dritën e diellit, në bazë të Kushtetutës dhe duke mbrojtur idenë tonë, se Shqipëria duhet të kalojë nga një sistem zgjedhor me zona njëemërore në një sistem zgjedhor me zona shumëemërore, në një proporcional rajonal, ku ne mbrojmë bindjen se të gjithë do të kenë një sërë avantazhesh. Kur them të gjithë, kam parasysh, shqiptaret dhe shqiptarët, vota e të cilëve nuk mund të lejohet që të vazhdojë të deformohet për shkak të deformimeve, që lejon sistemi aktual dhe për shkak të abuzimeve, që me këtë sistem bëjnë prej 17 vjetësh forca të ndryshme politike. Abuzime të cilat vit pas viti kanë ardhur duke u bërë më prezente. Abuzime të cilat vit pas viti kanë sjellë, jo vetëm deformime gjithnjë e më serioze, por çka është më e keqja një neveritje të zgjedhësve shqiptarë me proceset politike. Kjo është një çështje që është diskutuar në kryesinë e PS dhe bazuar në këto diskutime Partia Socialiste, kryesia e saj mbrojnë bindjen se ne duhet të kalojmë në një proporcional rajonal me referencë sistemin spanjoll. Kush janë arsyet që ne mbrojmë këtë bindje dhe që kemi depozituar në Kuvendin e Shqipërisë këtë nisëm?

Së pari, na duhet një sistem i thjeshtë, gjë që përbën edhe një nga rekomandimet kryesore të OSBE, ODIHRIT, si institucione të specializuara për proceset zgjedhore dhe si institucione që kanë kredibilitetin e mjaftueshëm në aspektin e monitorimit dhe dhënies së rekomandimeve. Një sistem i thjeshtë do të thotë një votë e garantuar nga çdo deformim dhe nga ana tjetër një votim, i garantuar nga çdo devijim. Ky sistem që ne propozojmë është një sistem i thjeshtë.

Së dyti, ky sistem na jep një përfaqësim më në fund të balancuar në të gjithë territorin e Shqipërisë nga Veriu në Jug dhe i jep fund ndarjes në blu e në të kuqe të hartës së Shqipërisë, duke e lënë për vite me radhë territore të tëra ku pjesa që është në opozitë qoftë e njërës palë, qoftë e palës tjetër, mbetet e pa përfaqësuar. Pra, do të kemi me këtë sistem deputetë përfaqësues të shumicës dhe të pakicës, në të gjithë territorin Shqipërisë. Kjo i jep këtij sistemi një përparësi themelore, pasi na jep mundësi që në të gjithë territorin e Shqipërisë të kemi një pjesë që e përfaqëson zgjedhësin në qeverisje, dhe të kemi një pjesë që e përfaqëson opozitën në Kuvend.
Së treti, ne besojmë që ka ardhur koha që të kalojmë nga një periudhë kur deputeti apo kandidatët për deputetë për shkak të sistemit, për shkak të mënyrës sesi ky sistem u deformua në vijimësi, u kthyen në garant punësh komunale në një sistem, ku deputeti është ndërmjetësues dhe katalizator mes një territori dhe Kuvendit e qeverisë. Pa shkuar në skajin tjetër, në një proporcional të pastër ku do të kishim një grup deputetësh tërësisht të shkëputur nga territori.

Së katërti, ky është një sistem i cili, na ndihmon në procesin e domosdoshëm të rajonalizimit të politikave, të rajonalizimit të përfaqësimit, të rajonalizimit të administrimit të territorit në funksion të së ardhmes sonë në BE dhe të domosdoshmërisë që këtë të ardhme ta shohim si pikëmbërritjen e një rruge ku na duhet me patjetër të modernizojmë shtetin. Një nga aspektet e modernizimit është rikonceptimi territorial, i cili, sigurisht, do të vijë në vijimësi por, padyshim favorizohet nga ky sistem zgjedhjeje dhe përfaqësimi. Ky sistem na jep mundësinë që t'u japim shqiptarëve një program, një ekip dhe një lider, dhe këtë ta bëjnë të gjitha forcat politike, në mënyrë që të kemi një raport të drejtë mes zgjedhseve dhe zgjedhësve dhe të zgjedhurve. Raport i drejtë që do të thotë mbështetje në një program, mbështetje në një ekip, mbështetje në një lider, për çdo forcë politike. Nga ana tjetër thënë kjo, na duhet ky sistem, pikërisht se, forcat politike duhet të peshohen në elektorat dhe jo në kandaret parazgjedhore, e as të dalin me pesha të deformuara për shkak të një sistemi si ky i sotmi që duke lejuar gjithë ato deformime e ka kthyer demokracinë shqiptare në një demokraci me një deformacion të brendshëm, që buron nga një sistem politik tërësisht i kalbur. Së fundi, dua të theksoj që, pikërisht, ky sistem na jep mundësinë që të përcjellim tek njerëzit, ne si forcë politike, idetë dhe programin tonë dhe të angazhohemi përpara njerëzve për atë program me një ekip, i cili përfaqëson ambiciet dhe njëkohësisht garancinë për realizimin e programit. Kjo do të thotë që, me këtë sistem korsitë janë në dispozicion të çdo force politike që, synon të mbledhë konsensus në popull për alternativën dhe që për këtë alternativë ka një ofertë të qartë dhe transparente të një ekipi dhe të liderit. Është e nevojshme të shtoj se në këtë proces ne kemi ushtruar vullnetin e forcës më të madhe politike në vend, e cila nuk i dikton askujt asgjë, por mbron të drejtën e saj për të udhëhequr një reformë që ka të bëjë me rritjen e domosdoshme të cilësisë së demokracisë dhe me kalimin nga një sistem i kalbur politik në një sistem politik funksional, përfaqësues dhe të qëndrueshëm. E këtu më vjen keq që, këtë sjellje krejt legjitime politike të PSSH shumëkush brenda qerthullit të forcave politike e komenton si marrëveshje të fshehtë, si përpjekje për të bërë diçka të padrejtë apo si atavizëm të të shkuarës. Më vjen keq, sepse këto reagime janë shprehje e mllefit, e një mllefi të vjetër, në një politikë të vjetër, që nuk na çon asgjëkund, sepse mllefi nuk është filozofi dhe me mllef nuk ndërtohet e ardhmja. Më shumë se sa keqardhje ne nuk kemi asgjë më shumë në adresë të defraktorëve të këtij procesi, që për ne është një proces i hapur, është një proces transparent. Është një proces që ne e udhëheqim dhe e argumentojmë ashtu siç ne e gjykojmë se është në të drejtën tonë dhe në të mirën e shqiptarëve, që duan një sistem politik që të garantojë votën, që të garantojë përfaqësimin, që të garantojë qeverisjen, që të garantojë rezultatin.

Me këtë sistem që kemi sot nuk garantohet vota, nuk garantohet përfaqësimi, nuk garantohet qeverisja, nuk garantohet rezultati. Dua ta mbyll këtë fjalë timen përsa i takon lidhjes së shkurtër që pikërisht për shkak të këtij mllefi të vjetër dhe pikërisht për shkak të mungesës së largpamësisë dhe të mungesës së një vetëdije të re, që është vetëdija jonë, sot, në këtë proces ku vendi gjendet, na ngatërrojnë çështje që nuk ngatërrohen me njëra tjetrën.

Reforma zgjedhore është një reformë që bëhet mes palëve dhe këtu nuk hyn pëlqimi ose mospëlqimi për palën tjetër. Të ngatërrosh këto do të thotë të duash ta mbash gjendjen në këtë situatë dhe t'i lësh edhe për 4 apo për 14 vjet të tjera shqiptarët pa garanci të votës, të përfaqësimit, të qeverisjes dhe të rezultatit dhe sigurisht pa garanci të asnjë programi. Ne në këtë pikë jemi shumë të qartë na ndan gjithçka me qeverinë aktuale dhe me Kryeministrin përsa i takon qeverisjes dhe rrugëve për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të vendit. Kemi kërkuar shprehimisht që Kryeministri të marrë përsipër përgjegjësinë politike dhe morale për atë tragjedi ku qeveria e tij ka barrën e fajit dhe ku ai është kryefajtori, qoftë edhe për faktin se nuk dinte asgjë, edhe pse jo më larg se dje, një dokument i bërë publik tregoi që zoti kryeministër ka marrë informacion të qartë për Gërdecin, para se të ndodhte tragjedia e ky dokument i bërë publik dje, na bën që sot ne të përsërisim në adresë të Prokurores së Përgjithshme që drejtësia duhet të bëhet e plotë, e vërteta duhet të dalë e plotë e që për të bërë drejtësinë. Duke nxjerrë të vërtetën është e domosdoshme që kryeministri Sali Berisha të sqarojë para Prokurores së Përgjithshme këtë fakt, informacionin shkresor që ka marrë para tragjedisë për Gërdecin dhe heshtjen e plotë që ka pasuar. Mosveprimin e plotë që ka pasuar me pasojë vetë tragjedinë. Po ne jemi gjithashtu shumë të qartë dhe të kthjellët që fitorja jonë dhe ardhja jonë në krye të vendit për të realizuar vullnetin e shqiptarëve dhe programin tonë do të bëhet me votë dhe vetëm me votë, përmes zgjedhjesh të lira dhe të ndershme, me një sistem që ne synojmë të jetë sistemi i propozuar prej nesh, që do të thotë që është në barrën politike dhe morale të Kryeministrit që të marrë në konsideratë ose jo kërkesën tonë për dorëheqje. Është në turpin e tij të vazhdojë të qëndrojë duke u kapur pas karriges, sipas nesh, jo thjesht për të ruajtur pushtetin, por për t'ju ruajtur së vërtetës që fsheh krateri i Gërdecit.

Ju falënderoj për kontributin dhe pjesëmarrjen në të gjitha këto procese të rëndësishme duke qenë i bindur se ne përfaqësojmë një forcë që është shprehja e vetëdijes së re shqiptareve dhe shqiptarëve për tu ndarë nga një sistem politik i kalbur, nga një proces politik i ndërtuar me mllef dhe me synimin e vetëm gjunjëzimin e kundërshtarit si armik e jo jetësimin e një alternative të re dhe për të hapur një rrugë të re të së ardhmes ku falë gjithë këtyre procese do na jepet mundësia për t'ju ofruar shqiptarëve një program, do na jepet mundësia të garantojmë votën e tyre të garantojmë përfaqësimin e tyre, të garantojmë programin dhe rezultatin përmes një qeverisjeje të garantuar nga të gjitha deformimet e sistemit aktual që e kanë kthyer qeverisjen e Shqipërisë në një procedurë të zbehtë të flashkët e qesharake dhe që kanë bërë që Shqipëria të kalojë dorë pas dore në qeveri gjithnjë e më problematike për të arritur në këtë të sotmen që është shëmbëlltyra e papërgjegjshmërisë, shëmbëlltyra e paaftësisë shëmbëlltyra e korrupsionit.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm