Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e Kryetarit te PSSH Edi Rama ne takimin zhvilluar ne Athine

Fjalime

Fjala e Kryetarit te PSSH Edi Rama ne takimin zhvilluar ne Athine

01 Dec 2008    
28 Nëntorin e kalova në Prishtinë, kurse 29 Nëntorin në Tiranë.
Dua t'ju uroj të gjithëve 28 dhe 29 Nëntorin!

Historia e flamurit tonë, është historia e atdhetarëve shqiptarë kudo, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërisë. Është historia e bijve e bijave të atdheut tonë që asnjëherë nuk e ndanë vështrimin nga e ardhmja e vendit të tyre, nga e ardhmja e Shqipërisë.
Ju që të gjithë e nisët nga hiçi, duke përballur në fillim fare një nëpërkëmbje dhe përbuzje të pashembullt dhe tërësisht të pamerituar. Një mospërfillje dhe mosbesim të pa shoq, të pa merituar dhe mbi të gjitha që do të kishte paralizuar këdo. Por, ju nuk u paralizuat. Përkundrazi, ju dha më tepër arsye për të punuar me mish e me shpirt për t'ia dalë mbanë. Ju ia arritët t'ia dilnit mbanë, jo vetëm të ushqeni familjet tuaj, jo vetëm t'ju jepni të ardhme fëmijëve tuaj, por edhe të mbani në këmbë Shqipërinë, duke i dhënë ekonomisë shqiptare, jo pak, por 1.8 miliard euro.

Sot shqiptarët nuk janë punëtorët e krahut, që bëjnë gjithçka për të jetuar, por janë përditë e më shumë qytetarë të denjë. Vetëm në Athinë janë 3 mijë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme të shqiptarëve. Biznesi në Athinë, që është i bërë nga emigrantët, përbëhet nga sipërmarrës e sipërmarrëse shqiptarë. Do të doja t'ju shprehja sot të gjithë respektin dhe mirënjohjen time për të gjithë ata që sot kanë arritur të jenë sipërmarrës, pasi e kanë nisur nga hiçi dhe kanë kaluar një rrugë plot vështirësi e sakrifica, pasi kanë përballuar sfida të jashtëzakonshme në një tokë të huaj dhe sot gjenden në kushtet kur nuk janë më punëmarrës, por punëdhënës. Kjo u bën nder atyre, por na bën nder të gjithëve ne, sepse është një shembull se çfarë janë në gjendje të bëjnë njerëzit me punë të ndershme, me sakrifica, me talent.

Do të doja të merrja këtu shembullin e shkëlqyer të sipërmarrësit Lorenc Koka, i cili financon një shkollë shqipe. Ju e dini se janë të panumërt shembujt e studentëve dhe nxënësve shqiptarë që shkëlqejnë në shkollat greke. Unë dua sot t'ju them se është koha që të gjithë bashkë, të mendojmë dhe të punojmë që këto përpjekje të jashtëzakonshme të kthehen në një forcë të re, në një forcë e cila është shprehje e vullnetit të përbashkët shoqëror dhe demokratik, për të bërë që emigrantët në Greqi e kudo, të mos jenë thjesht ata që mbajnë në këmbë ekonominë shqiptare, apo që vijnë në Shqipëri si turist, por të jenë pjesë e atdheut në të gjithë hallkat e vendit. Sot është koha që ne të bëjmë të mundur lëvizjen e lirë të gjithë shqiptarëve. Është koha për sfidën atdhetare dhe shoqërore, që çdo shqiptar e shqiptare të lëvizë lirisht dhe të ketë një pasaportë, e cila është njësoj si pasaportat e tjera të Bashkimit Evropian.

Unë jam këtu për t'ju thënë se atë premtim të pambajtur ndër shumë premtimet e pambajtura që Sali Berisha ju bëri shqiptarëve për lëvizjen e lirë, ne do ta bëjmë realitet brenda mandatit tonë të parë.

Ne na duhet politika e re e shqiptarëve, të jetë shprehje e njerëzve, që së bashku të zgjdhim probleme, që vetëm nuk i zgjidhim dot. Askush nuk e zgjidh dot i vetëm çështjen e certifikatave, të kalimit të lirë të kufirit, të lëvizjes së lirë, të shkollimit të fëmijëve në gjuhën shqipe. Por, së bashku ne mund t'i zgjidhim këto probleme dhe të japim mundësi të reja, shanse të reja, që të shkojmë më larg, dhe që fëmijëve t'ju garantojmë një jetë më të mirë se sa sot. E pra, për këtë ka lindur politika dhe për këtë arsye na duhet një politikë e re, përmes një bashkimi të ri qytetarësh, i cili buron nga nevoja për njerëzit dhe për njerëzit.

Politika e re është fuqia e bashkimit, jo në emër të së shkuarës, por në emër të së ardhmes, sepse të gjithë fëmijët e sotëm duhet të jenë së bashku në një Shqipëri të të gjithëve, në një Shqipëri njësoj të barabartë, për fëmijët e socialistëve dhe të demokratëve, një Shqipëri që shkon përpara, siç kanë shkuar përpara vendet ku ju punoni dhe që realizoni ëndrra, jo se Shqipëria ka më pak pasuri natyrore, por i mungon ajo që na duhet, politika e njerëzve, për njerëzit dhe për njerëzit. E pra, ne nuk jemi as më pak të mençur, as më pak të vullnetshëm për sakrifica siç kanë bërë fqinjët tanë. Pse të mos ta bëjmë Shqipërinë siç e kanë bërë fqinjët tanë, ashtu si grekët kanë bërë grekët Greqinë, apo italianët Italinë.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm