Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e Kryetarit te PSSH, Edi Rama ne tryezen e organizuar nga Fondacioni Qemal Stafa

Fjalime

Fjala e Kryetarit te PSSH, Edi Rama ne tryezen e organizuar nga Fondacioni Qemal Stafa

03 Apr 2007    
Rama: Rikonceptim i rolit te sherbimit diplomatik

Ju falenderoj, të gjithë ju për praninë tuaj, posaçërisht zotërinjtë ambasadorë, si edhe të gjithë ata që kanë ardhur në këtë tryezë nga hapësira e gjerë shoqërore dhe jo drejtpërdrejtë nga aktiviteti në Partinë Socialiste, sepse në këtë mënyrë ne krijojmë kushtet, për të pasur një dialog të frytshëm dhe për të kuptuar drejt, më shumë sesa çdo të arrinim të kuptonim në një tryezë me dyer të mbyllura, mes ekspertësh, sado të mirë dhe sado me experience, në partinë tonë. Në këtë hyrje, unë dua të fokusohem thjesht në disa aspekte, që janë pjesë e përpjekjes për të kuptuar sesi do të jetë arkitektura e Programit tonë të ri, në aspektin e politikës së jashtme, ku pa asnjë dyshim ka një traditë pozitive e cila, mishëroi më së miri, në një proces mjaft të admirueshëm të pjesëmarrjes aktive të politikës shqiptare, në tërësi dhe të institucioneve përkatëse të politikës së jashtme në vite, lidhur me çështjen e Kosovës, apo e njëjta gjë mund të thuhet edhe për të gjitha ato çështje të karakterit rajonal ose ndërkombëtar, në të cilat Shqipëria, ka luajtur një rol të admirueshëm, për nga sensi i realizmit dhe i asaj modestie, të domosdoshme për një vend të përmasave të vendit tonë.

Diplomacia jonë e re duhet të shohë me një vëmendje të re, me një sy të ri, me një përkushtim dhe vullnet të ri, të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi, që vazhdojnë të mbeten të izoluar, ashtu siç vazhdon të mbetet e izoluar Shqipëria dhe rajoni në kontekstin e Bashkimi Europian, prej 450 milion njerëzish, që qarkullojnë lirisht dhe që në zemrën e vet, ka një komunitet prej 22 milion njerëzish, që nuk kanë mundësi që të qarkullojnë lirisht. Këtu kam parasysh gjithë pellgun e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, diplomacia jonë e re nuk mund ta pranojnë më këtë realitet, si një realitet i cili bashkëjeton me procese burokratike, me procese të cilat padyshim janë procese të domosdoshme të integrimit tonë europian, por njëkohësisht janë procese, që rrezikojnë të lënë jashtë mureve të Europës, jo thjesht vendet tona, por të rejat dhe të rinjtë. Rrezikojnë të lenë jashtë formësimit të ri shpirtëror, intelektual, moral, jashtë koshiencës së re evropiane, kalamajtë shqiptarë, që lindin sot në realitetet e vështira të qyteteve dhe për më tepër të fshatrave të Shqipërisë, ashtu si kalamajtë e Kosovës, ashtu si kalamajtë e Serbisë, ashtu si kalamajtë e gjithë këtyre vendeve, që po vazhdojnë të paguajnë, koston e një historie aspak bujare me ta, ndërkohë që janë pjesë e një komuniteti njerëzish të barabartë me popullin rumun, i cili sot është i integruar në BE, 22 milion njerëz. Këtë fakt, ne duhet ata shohim, si një fakt që është domosdoshmërish një fakt për t'u ekspozuar dhe për t'u kthyer në një argument në të gjitha tryezat e bashkëbisedimit tonë me partnerët tanë. Mendojmë për proceset e integrimit, në të gjitha aspektet, por sa mendojmë për disintegrimin e përditshëm, që ndodh midis kalamajve të këtij komuniteti prej 22 milion njerëzish dhe kalamajve të Europës së sotme. Një e re apo i ri, që sot jeton në Europën e bashkuar, mund të lëvizë lirisht në mbi 100 shtete. Një e re apo i ri që sot jeton, në këtë pjesë të Europës, që është jashtë Europës, mund të lëvizi lirisht në pesë gjashtë shtete. Kjo është e patolerueshme. Politika e re shqiptare, diplomacia e re shqiptare, këtë duhet ta ketë në vëmendjen e vetë, sepse është detyrimi ynë, i të gjithëve ne sot, i të gjithë klasës politike, i të gjithë klasës intelektuale, i të gjithë shoqërisë së vetëdijshme shqiptare, për të bërë avokatin e të drejtës, së të gjithë kalamajve të këtij vendi dhe të këtij rajoni që nesër të mos jenë proletarët e një Europe, që do të jetë kaq larg, përsa i përket formimit kulturor, arsimor, teknologjik, sa do ta bëjë tërësisht të pamundur integrimin e atyre, që po rriten në kushtet e një sistemi arsimor skandaloz, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë këtë pjesë të Europës, që po rriten në kushtet e një izolimi skandaloz, që po rriten tërësisht jashtë rrugëve të reja të zhvillimit teknologjik. Këtë ne do ta themi dhe jam i bindur se kjo ka mirëkuptimin e plotë njerëzor, moral, intelektual, të të gjithë miqve dhe partnerëve tanë, sesi kjo mund dhe duhet të kthehet në një mekanizëm për të bërë të mundur që së paku të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi, të rejat dhe të rinjtë e këtij rajoni, të mos vazhdojnë të paguajnë koston e një historie të pamëshirshme, të mos vazhdojnë të paguajnë kostot, që kanë hijet e së shkuarës, të mos vazhdojnë të paguajnë kostot, që kanë balancat e brendshme gjeo politike. Kjo është një çështje diskutimi dhe kjo është një çështje bashkëbisedimi, jo vetëm mes nesh, por edhe me partnerët tanë, edhe me Europën e Bashkuar, ku ne duam dhe duhet të jemi pjesë, sepse jemi europianë, sepse jemi në zemër të këtij kontinenti të zhvillimit dhe të mirëqenies, sepse jemi çështje e Europës. Sot mbas zhvillimit më të fundit dhe disintegrimit të plotë të ish-Jugosllavisë me pavarësinë e Kosovës, jemi në kushtet kur duhet të përgatiten dhe njëkohësisht duhet të vetëdijësojmë komunitetin ndërkombëtar, duhet të vetëdijësojmë Bashkimin Europian, se tanimë ky rajon nuk mund të administrohet dhe nuk mund të trajtohet me burokracinë dhe normalitetin burokratik të proceseve që kanë integruar të tjera, sepse për këtë pjesë të Europës, për këtë rajon ka një sfidë, e cila është kaq e madhe dhe njëkohësisht kaq e vështirë, sa ngjan e papërmbushëshme, në kohën që ju duhet kalamajve tanë, në rast se ne nuk jemi brenda BE-së. Ne duhet të bëhemi zëdhënësit e këtij paradoksi, që për të hyrë duhet të përmbushim x kushte, por që një pjesë e këtyre x kushteve nuk përmbushen dot pa qenë brenda. Ne nuk duhet të lejojmë që problemet e mprehta të papunësisë, të mungesës së plotë të një sistemi arsimor dhe shëndetësor, jo të nivelit të BE-së, por të një niveli etikisht të pranueshëm, për sistemin e parimeve dhe vlerave Europiane, të kthehen në bumerang, për të ardhmen e kalamajve të këtij vendi dhe të këtij rajoni. Padyshim që përveç këtij fakti, ka edhe të tjera gjëra që kanë të bëjnë me ato çka ne duhet të bëjmë, në rikonceptimin e shërbimit diplomatik si një shërbim, i cili nuk duhet thjesht të kryejë procesin e përfaqësimit të Shqipërisë, por duhet njëkohësisht të kryejë detyrimet, që ka ndaj qytetareve dhe qytetarëve të këtij vendi, qofshin këtu në Shqipëri, qofshin edhe jashtë Shqipërisë, ashtu sikundër duhet të kryejë edhe misionin e eksportimit të një imazhi të ri dhe njëkohësisht misionin e importimit të prurjeve të reja financiare, kulturore në vendin tonë. Këto janë gjëra të thëna dhe unë nuk po them asgjë te re, këto janë përpjekje të bëra, po mendoj unë pa sukses në 17 vjet dhe është koha për t'i vënë në rendin e ditës duke marrë njëkohësisht edhe angazhimin, që shërbimi ynë diplomatik të jetë përfundimisht dhe radikalisht i ndarë nga politika, nga partitë nga historitë e ndryshimeve të pushteteve, të cilat jo pak e kanë cënuar këtë shërbim në procesin e kryerjes së detyrimeve të veta. Nuk dua të zgjatem më shumë, besoj që është e mjaftueshme edhe për të provokuar diskutimin ajo që thashë, por dua të vë pikën në këtë hyrje të shkurtër duke thënë se duhet të gjithë sëbashku të jemi të vetëdijshëm se nuk mund t'i lëmë të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi dhe të këtij rajoni, pengje të proceseve natyrshme burokratike dhe duhet me patjetër të evokojmë të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht në Europë. Ashtu sikundër, do të mendojmë për të krijuar kushtet që arsimimi i tyre, i të gjithëve në këtë komunitet 22 milionësh të ndryshojë cilësisht në mënyrë, që rënia përfundimtare e të fundmit mure, që ka mbetur në mes të kontinentin tonë dhe që ndan 22 milion njerëz nga 450 milion të tjerë, të mos i gjejë fëmijët tanë, përpara një hendeku të pakapërcyeshëm, për shkak të diferencës të skëterrshme në cilësinë e arsimimit dhe të aftësimit, për të përballuar botën e re globale ku pa u njohur dhe integruar në ndryshimet rrënjësore të komunikimit përmes teknologjive të reja, jo thjesht një proletar.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm