Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e Kryetarit te PSSH ne nje takim me te rinjte e qytetit te Lushnjes

Fjalime

Fjala e Kryetarit te PSSH ne nje takim me te rinjte e qytetit te Lushnjes

03 Apr 2007    
Politika e re do të jetë e populluar me qytetare dhe qytetarë që mbajnë premtimet

Ka zgjedhur takimin me të rinjtë në qytetin e Lushnjes, Kryetari i Partisë Socialsite Rama për t'i dhënë përgjigje të gjithë atyre që e kanë parë disi me skepticizëm deklaratën e tij, Unë nuk jam politikan por jam qytetar. Duke pohuar edhe njëherë në këtë qytet të njëjtën bindje, Rama sqaroi se ka ardhur koha që politika të popullohet nga sa më shumë qytetarë:

"Unë i jam mirënjohës të gjithë të rinjve për kontributin e tyre të paçmuar dhe për përfshirjen e tyre në hapësirën e madhe të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Unë i jam mirënjohës të gjitha vajzave dhe djemve, që sot i afrohen Partisë Socialiste për të sjellë kontributin e tyre, për të thënë fjalën e tyre dhe për t'i dhënë kësaj partie të madhe energjinë e brezit të ri. Unë dua t'ju them se për mua është shumë e rëndësishme që politika e re të marri energjinë dhe fytyrën e rinisë, që politika e re të flasë me gjuhën e njerëzve, të flasë me gjuhën e grave dhe burrave që mundohen çdo ditë të garantojnë një jetë sa më të mirë për fëmijët e tyre. Të flasë me gjuhën e më të moshuarve, të cilët çdo ditë presin që të ndryshojnë kushtet e papranueshme të jetës së tyre. Por, të flasë edhe me gjuhën e më të rinjve që çdo ditë ballafaqohen me një realitet, i cili nuk është ashtu siç duhet të ishte për ata, që nesër do të marrin në duar fatin e vendit. Në një realitet i cili nuk ofron kushtet më të mira të mundshme.

Unë dua që politika e re të jetë politika e qytetarëve, e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Tiranë apo në skajet më të largëta të Shqipërisë. E qytetarëve shqiptarë, që jetojnë në qytet apo në fshat, e qytetarëve shqiptarë se pavarësisht se ku jetojnë, gdhihen me ankthin e një dite, që nuk sjell optimizëm, që nuk sjell shpresë, që nuk ngjall dëshirë të re për të dhënë kontribute të reja. Ngrysen me pasigurinë e të nesërmes që i ngjan të sotmes dhe që për më tepër ka plot nga ato të panjohura të cilat për fat të keq vazhdojnë të mbajnë peng të ardhmen e vendit. Politika e re duhet të jetë politika e qytetarëve dhe qytetarët duhet të jenë ata, të cilët kudo në të gjithë Shqipërinë duhet të marrin në dorë fatin e tyre, duhet të marrin në dorë fatin e vendit të tyre, e qytetit dhe e fshatit të tyre. Duhet të marrin në dorë fatin e shkollës apo të universitetit të tyre. Ju duhet të jeni ata që duhet të mishëroni këtë nevojë jetike, që ka sot Shqipëria, nevojën për t'a nxjerrë politikën nga kutia e televizorit, nevojën për t'jua marrë politikën nga duart politikanëve që mendojnë vetëm për zgjedhjet e ardhshme dhe për t'jua dhënë qytetarëve që mendojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për të ardhmen e tyre, për të ardhmen e familjeve të tyre. Dëgjova me habi edhe me keqardhje disa që e quajtën të çuditshme faktin që unë thashë, që jam qytetar dhe jo politikan. Por unë e përsëris sot se jo vetëm këtu nuk ka asgjë të çuditshme, po përkundrazi këtu qëndron edhe forca e ndryshimit, këtu qëndron edhe forca e shpresës, këtu qëndron edhe forca për të kuptuar pse Shqipërinë do t'a bëjmë dhe mund ta bëjnë vetëm qytetarët dhe qytetaret e saj të bashkuar. Shqipërinë mund ta bëjmë dhe do ta bëjnë vetëm ata të cilët i drejtohen politikës si një hapësirë dhe si mundësi për të sjellë ndryshime të mëdha e jo ata, të cilët politikën e kanë si instrument për të sunduar mbi të tjerët dhe për të garantuar ndryshime vetëm për veten e tyre. Po , unë jam qytetar, po unë nuk jam politikan, po unë e dua politikën të populluar me sa më shumë qytetarë, në qytet edhe në fshat. Po, unë besoj dhe mendoj, se arsyet pse kjo politikë e vjetër na mban peng prej 17 vjetësh qëndron në faktin, se ajo ka mbetur në duart vetëm të politikanëve dhe i ka larguar qytetarët duke i përdorur vetëm si trup elektorale, duke i përdorur vetëm si hambar për të mbledhur votën e tyre, duke i përdorur vetëm si argument për të qëndruar në pushtet. Ndërkohë që unë besoj se politika e re duhet dhe do të bëhet përditë e më shumë politika e qytetarëve, se politika e re duhet dhe do të popullohet përditë e më shumë nga qytetarë dhe qytetare, që i japin asaj ide, që i japin asaj fuqi, që i japin asaj një vendimmarrje e cila mund të ndryshojë Shqipërinë që është larg së qenit, një vendimmarrja e atyre politikanëve të mbyllur në kutinë e televizorit, që çdo vendim e marrin në funksion të pushtetit të tyre personal, që çdo vendim e shohin në funksion të zgjedhjeve të reja, por jo të së resë që duhet të kthehet si status i Shqipërisë, të së resë që duhet të jetë Shqipëria evropiane, të së resë që duhet të jetë ndryshimi në jetën e çdo familjeje, në jetën e çdo komuniteti, në jetën e të gjithë popullit tonë. Dhe ne kemi nevojë që në politikë, në hapësirën e politikës, në mendimet e politikës të përfshihen sa më shumë qytetarë, që politikën t'a shohin si një instrument në duart tona, si një mundësi që na jep liria dhe demokracia, si një argument që nuk është monopol i një grushti njerëzish të mbyllur në kutinë e televizorit, por është mënyrë e të jetuarit në një komunitet ku gjërat nuk mund të ndryshojnë pa kontributin e të gjithëve, ku gjërat nuk mund të ndryshojnë në rast se ne fatin tonë ua delegojmë të tjerëve, ku gjërat nuk mund të ndryshojnë në rast se ata që na qeverisin nuk janë në funksion të të gjithëve ne që i zgjedhim.

Ne duhet t'i japim politikës së re fuqinë e qytetarëve, fuqinë e njerëzve të punës së ndershme, fuqinë e të gjitha atyre qindra mijërave shqiptarëve të cilët deri më sot politika i ka trajtuar vetëm si spektatorë dhe telespektatorë, të cilët deri më sot politika i ka shikuar në sy vetëm kur u janë dashur votat dhe pastaj u ka kthyer krahët për tu mbyllur në kutinë televizorit.

Këtu ka të reja dhe të rinj që kanë ardhur edhe nga komunat, të reja dhe të rinj që jetojnë përditë në realitetin e vështirë të fshatit shqiptarë, të reja dhe të rinj, që sot shkojnë në shkollë falë sakrificave të patregueshme të prindërve të tyre në betejën e përditshme për të nxjerrë nga toka prodhimin që garanton të ardhura për shkollimin tuaj.

Por unë dua t'ju them se ne nuk mund të pajtohemi me këtë realitet. Unë dua t'ju them se nuk mund të vazhdojmë të lejojmë që prindërit të kthehen në skllevër, që nuk arrijnë dot të prodhojnë aq sa duhet dhe aq sa e meritojnë mundimet e tyre dhe fëmijët të jenë të pashpresë thjesht dhe vetëm për faktin se kanë lindur edhe jetojnë në fshat. Ashtu sikundër ne nuk mund të lejojmë që të rejat dhe të rinjtë e fshatit, që sot shkojnë në universitet janë vetëm tre përqind. Kjo është një shifër e patolerueshme dhe nga ana tjetër nuk mund të lejojmë, që për të rejat dhe për të rinjtë që mbarojnë shkollën e mesme e vetmja alternativë të jetë arratia, për të shkuar e për të punuar si skllevër në tokat e huaja sepse toka e tyre nuk u jep mundësi të garantojnë të ardhmen e tyre, të garantojnë familjen e tyre dhe të garantojnë asgjë nga ato që i lejohet njeriut të quhet njeri në plot kuptimin e fjalës.

Kështu që të tërë atyre që habiten me mua, Kryetarin e PS që them se jam qytetar dhe jo politikan, ne do ti përgjigjemi se po ka ardhur koha që politika të jetë e qytetarëve nga Tirana e deri në skajin më të largët të Shqipërisë.

Ka ardhur koha që politika të mendojë siç mendojnë njerëzit dhe që politika të shikojë siç shikojnë njerëzit, që politika të dëgjojë siç dëgjojnë njerëzit, dhe që politika të dëgjojë hallet, shqetësimet, problemet, ambiciet, dëshirat dhe ëndrrat e njerëzve e ti bëjë të sajat.

Ne nuk kemi dhe ne nuk mund të kemi një politikë të tillë në rast se politika nuk është e qytetarëve, në rast se ajo mbetet peng e mbyllur në kutinë e televizorit, kur një grusht njerëzish që dalin nga ajo kuti vetëm për të na marrë votat, vazhdojnë të na sundojnë në emër të cilat kurrë nuk arritën kurrë nuk do të arrijnë t'i mbajnë dhe të cilat kurrë nuk do t'i mbajnë. E, pra ja pse unë jam qytetar dhe nuk jam politikan. Ja pse çdo politikan duhet të jetë në radhë të parë qytetar dhe ja pse mes qytetarit dhe politikanit dallimi është shumë i thjeshtë : Një qytetar mund të jetë politikan, një politikan nuk është domosdoshmërish një politikan. Unë dua t'ju them se ne të gjithë mund të bëjmë të mundura gjërat që sot duken të pamundura. Unë dua t'ju them se ne sëbashku mund të realizojmë gjërat që sot duken të parealizueshme. Unë dua t'ju them se një bashkim i madh i të gjithë shqiptarëve dhe shqiptareve, promotor të të cilit ju, të rejat dhe të rinjtë, duhet të bëheni, do ta nxjerrë nga rrethi i mbyllur i tranzicionit. Do ta nxjerrë nga duart e pamëshirshme dhe të pashpirta të politikanëve të vjetër, do ta nxjerrë nga sundimi 17 vjeçar i politikës së vjetër të së shkuarës dhe të dështimeve dhe do të na çojë në një hapësirë të re , në një hapësirë ku politikën e bëjnë qytetarët dhe qytetaret, e përfshirë në jetën e komuniteteve të tyre, në fshatrat dhe në qytetet e tyre dhe ku politika është populluar me qytetarë dhe qytetare që mbajnë premtimet dhe që nuk premtojnë atë që nuk bëjnë dot, por që bëjnë gjithçka që premtojnë.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm