Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e Kryetarit te PSSH ne pervjetorin e 16-te te FRESSH

Fjalime

Fjala e Kryetarit te PSSH ne pervjetorin e 16-te te FRESSH

03 Apr 2007    
Sot për shumë nga ju është hera e parë, ashtu sikundër për Pandin është hera e 16, por duke parë këtë distancë vitesh nuk është e vështirë për mua të kujtohem, se në vitin 1992 im bir ishte vetëm 2 vjeç dhe se jam sot prindi i një djali që ka lindur në vitin 1990, siç janë shumë ndër ju. Keni lindur në vitin 1990 kur rinia e asaj kohe kërkonte një Shqipëri si e gjithë Evropa dhe kur sot mbas 17 vjetësh Shqipëria nuk është as si gjithë Evropa, as aq pranë Evropës sa çdo dëshironim dhe për më tepër nuk ngjan as fare me Shqipërinë për të cilën u ngritën asaj kohe vajza dhe djem, ndër të cilët edhe nga ata që janë sot këtu dhe kjo është arsyeja pse unë jam sot këtu, pse unë jam sot kryetari i PSSH, pse unë jam sot pjesë e një përpjekjeje për të ndryshuar Shqipërinë. Për të ndryshuar jetën e njerëzve tanë, për të ndryshuar jetën e të gjithëve ata, që dëshirojnë dhe meritojnë të jetojnë në një Shqipëri të punës së ndershme, në një Shqipëri të konkurrencës së lirë, në një Shqipëri që të jetë krenaria e gjithë secilit që ndan pasaportën shqiptare.

Kur mendoj që ju jeni bashkëmoshatarët e djalit tim dhe në të njëjtën kohë kur kujtoj kohën, kur unë isha në moshën tuaj nuk mund mos të them këtu se çdo brez është kritik për brezin paraardhës dhe nuk mund mos të përsëris këtu, se ashtu kritik kemi qenë ne në moshën tuaj dhe më patjetër kritik jeni ju sot ndaj nesh në këtë moshë pasi teksa vitet e shkollimit për ju janë duke u kryer, teksa problemet e përditshme ju rrethojnë ngado, teksa e ardhmja kur do t'ju duhet të dilni vetë në rrugën e jetës afrohet përditë është më shumë. Është më shumë sesa legjitime që ju të pyesni pse nuk zgjidhen problemet?

Pse vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura, ato që premtohen se do të zgjidhen dhe ndërkohë krijohen probleme të tjera, që sjellin premtime të reja, por që nuk sjellin zgjidhje të reja. E pra, sot ju shkoni në Europë, ju shkoni në Amerikë, shoqe dhe shokë të klasës apo të lagjes ku ju jetoni shkojnë në Europë, shkojnë në Amerikë, të afërm, fqinj dhe ju e dini fare mirë se çfarë hendeku i madh na ndan nga Evropa, nga Amerika, nga bota demokratike, nga standardet e jetës së asaj bote. Është më shumë sesa legjitime, që ndërkohë që ju ballafaqoni jetën tuaj me jetën e bashkëmoshatareve dhe bashkëmoshatarëve tuaj në Evropë dhe Amerikë, ndërkohë që ju ballafaqoni realitetin përreth midis asaj çka shihni andej dhe asaj çka shihni përditë këtu padyshim që nga ana tjetër ballafaqoni dhe hendekun e madh jo vetëm midis Shqipërisë dhe botës që na rrethon, por edhe midis ëndrrave dhe ambicieve dhe dëshirave tuaja, që burojnë nga ajo botë dhe premtimeve, politikave, sfilatave televizive të atyre që e bëjnë politikën, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët, as me realitetin rreth e rrotull dhe mbi të gjitha as me atë që është e nesërmja, që vjen shpejt e bëhet e tashme, bëhet e djeshme shumë shpejt. Aq shpejt ndodh ky proçes saqë thinjat e Pandit, që dikur ishin një ngushëllim për mua dhe për këdo të tjetër nuk na ngushëllojnë më sepse jemi thinjur të gjithë.

Ne në atë kohe nuk shkonim dot as në Evropë, as në Amerikë. Ne në atë kohë kishim pak pika referimi për të bërë krahasimin, por megjithatë ishim shumë kritikë ndaj prindërve tanë, megjithatë kërkonim të dinim shumëçka, lidhur me shumëçka që na dukej se nuk shkonte apo se duhet të shkonte ndryshe. Unë shpresoj dhe unë mendoj se duhet të bëjmë çdo gjë që mundemi, që kur të vijë koha që ju të jepni llogari përpara fëmijëve tuaj, të keni më pak justifikime dhe më shumë rezultate për të treguar dhe sigurisht që unë nuk hyj tek ata, që mendojnë apo besojnë se Shqipëria është një rast më vete, se Shqipëria përbën një realitet i cili nuk është i lehtë, i cili nuk mund të ndryshohet, i cili është i destinuar të mbetet i tillë, se ky vend nuk bëhet. Jo, Shqipëria nuk ka asgjë ndryshe, nga të gjithë ato vende që ju, unë të gjithë bashkë i shohim të lulëzojnë. Shqipëria nuk ka asgjë ndryshe nga gjithë ato vende ku vajza e djem, gra e burra, njerëz të talentuar, njerëz punëtorë, njerëz të vullnetshëm, njerëz solidarë, kanë ndërtuar realitete nga ato që ne i shohim nga larg dhe të cilat nuk arrijmë t'i prekim këtu në realitetin tonë. Jo, ne mund ta ndërtojmë realitetin evropian këtu në Shqipëri.

Unë duhet të them, se këtu lidhet filli midis jush dhe politikës. Politika nuk është dhe nuk duhet të jetë e politikanëve. Politika është dhe duhet të jetë e njerëzve. Politika është dhe duhet të jetë e kujtdo, që kërkon të ndryshojë jetën e tij, që kërkon të ndryshojë jetën rreth tij, që kërkon të kontribuojë për familjen, për fshatin, për qytetin dhe për atdheun e tij. E pra, politika është kjo dhe në rast se në Shqipëri nuk është ende kjo, detyra jonë është ta bëjmë atë që të jetë në duart tona, që të jetë për fatet tona dhe që të sjellë atë begati, atë qetësi dhe atë të ardhme, për fshatrat dhe qytetet tona.

Politika e re na duhet për të shembur atë ngrehinë të standarteve të dyfishta. Atë ngrehinë ku kapardisen politikanët e vjetër dhe nga ku na tregojnë të gjithëve, por mbi të gjtha, u tregojnë më të rejave dhe më të rinjve se tjetër është fjala dhe tjetër është vepra, tjetër është pretemtimi tjetër është detyrimi, tjetër është ajo çka ata thonë dhe krejt tjetër është ajo çka nga ata ne duhet të presim. Ky standart është një e keqe e madhe të cilën ne duhet ta mundim. Kjo ngrehinë është një ngrehinë e kalbur, të cilën ne duhet ta shëmbim. Ky mur i ndërtuar prej 17 vjetësh, në emër të një ndarjeje në të majtë dhe në të djathtë, është kurthi të cilit ne duhet t'i ikim, të gjithë së bashku, shqiptarë edhe shqiptare, gra edhe burra, të reja të rinj e të moshuar, sepse ashtu të ndarë na do politika e vjetër, ashtu të ndarë na sundojnë më mirë, ashtu të ndarë e kanë më të lehtë të na kthejnë në spektatorë të shfaqjes së tyre të shëmtuar, të shfaqjes së tyre të mbushur me gënjeshtra dhe të shfaqjes së tyre që rrezaton nga të gjitha anët dembelizwm mendor dhe paaftësi.

Ju keni filluar t'i shikoni sesi njerëzit që kërkojnë prej jush votat në nivelin qendror apo në nivelin vendor, për të qënë deputet apo për të qënë këshilltar të komunës apo të bashkisë, tw vijnë gjatë fushatës elektorale dhe janë gati t'ju bien dhe në gjunjë në rast se do t'jua kërkoni. Por, me t'u mbyllur fushata elektorale ata kyçen të gjithë në kutinë e televizorit dhe prej aty vazhdojnë të luajnë telenovelën e tyre të pafundme, ndaj së cilës plot ndër ne të majtë dhe të djathtë që vuajmë njësoj mungesën e dritave mungesën e ujit, mungesën e punës dhe të prespektivës bien pre duke u kthyer në tifozë. Por, ne nuk mund të jemi tifozë të fateve tona. Ne duhet të jemi të zotët e fateve tona. Ne nuk mund ta ndjekim lojën e fateve tona si spektatorë nga shkallët e stadiumit, apo nga kolltuqet e teatrit. Ne duhet të jemi të gjithë në fushë, në mënyrë që fatet tona t'i zotërojmë vetë. Në mënyrë që për fatet tona të punojmë të gjithë sëbashku. Në mënyrë që me fatet tona të bëjmë diçka të madhe. Të bëjmë diçka që vazhdon të mbetet një ëndërr. Të bëjmë diçka që e gjejmë të shkruar jo thjesht në ato që janë librat e rilindasve tanë, që janë kujtimet e heronjve dhe e dëshmorëve të historisë e të luftës sonë, që janë dëshmitë e martirëve të komunizmit, por ta gjejmë edhe ta shohim të shkruar, ashtu sikur është shkruar me sakrificën e tyre në të ardhmen tonë, në jetën tonë, në realitetin konkret. Ky është misioni ynë dhe kjo është një gjë e madhe që është e mundur,sepse këtë e kanë realizuar të gjithë kudo rreth nesh përtej kufijve tonë dhe ne nuk jemi as të fundit dhe nuk jemi as më pak të aftë, as më pak të talentuar, as me më pak imagjinatë dhe pasion por ne duhet të marrim në dorë fatin tonë. Së bashku ne mund të bëjmë të munduar atë që për shekuj dhe breza është kthyer në një gjë të pamundur, jo për shkakun tonë, por për shkak të një politike nga e cila ne duhet të ndahemi. Pamela shoqja juaj përpara sesa le të themi shoqe dhe shokë, jo në kuptimin politik dhe zyrtar është një gjuhë e bukur shqipe dhe është një fjalë e bukur shqipe. Por e them dhe e rikujtoj këtu sepse ajo bëri një lapsus, duke thënë se Edi Rama mund të ndryshojë rininë. Jo! Rinia mund të ndryshojë politikën dhe mund të ndryshojë Shqipërinë. Unë nuk jam politikan! Dua të them këtë sot më zë të lartë drejtpërdrejt. Unë jam një qytetar. Jam një qytetar si ju, si shumë të tjerë. Jam një qytetar që nuk dorëzohem. Jam një qytetar që nuk mund të pranoj, se vendi ynë ishte ky dhe do të mbetet ky edhe pas ikjes time nga kjo jetë. Se vendi im nuk do të jenë në gjendje t'i japë asgjë më shumë atyre që vijnë pas sesa u ka dhënë atyre që kanë ikur. Se vendi im nuk do të jetë në gjendje të pajisë çdo shqiptare dhe shqiptar me një pasaportë, që do të jetë një arsye për të mos u skuqur Europës, por të jetë një arsye për të ngritur kokën dhe për të thënë: Po , unë jam shqiptar! Unë jam një qytetar i këtij vendi që nuk dorëzohem dot kur shoh se si burrë, të rinj dhe të moshuar në Konispol, çohen në orën 4 të mëngjesit, për të shkuar matanë kufirit dhe për të mbledhur portokalle si skllevër dhe kthehen në darkë ndërkohë nata ka rënë mbi tokat e të parëve të tyre që janë djerr, si shumë toka në Shqipëri. Unë nuk dorëzohem dot përpara këtij fakti! Unë jam një qytetar që nuk dorëzohem dot kur shoh të miturit dhe të rinjtë e Bathores dhe të Kamzës të dynden kantiereve e sipërmarrjeve duke punuar në të zezë pa asnjë siguri, të nëpërkëmbur dhe të trajtuar si skllevër të shekujve që Evropa dhe Amerika i ka harruar të mbyllura në kasafortat e historive të turpit. Unë jam një qytetar që nuk mund të dorëzohem dot kur shoh nxënësit e një shkolle nëntë- vjeçare të Matit të vënë në njësh kolonë, nën një shi të rrëmbyer, tamam si shpendë të lagur deri në palcë, që bëjnë dy orë në ditë për shkuar në një godinë që quhet shkollë dhe dy orë në darkë për tu kthyer nga kjo godinë. Unë nuk dorëzohem dot përpara këtyre pamjeve. Unë jam një qytetar që nuk dorëzohem dot që në “Universitetin e Liberalizuar të vendit tim janë vetëm 3 % ata që vijnë nga fshati. Të tjerët ku shkojnë? Shumica e tyre shkojnë dhe punojnë si skllevër në toka të huaja sepse u del më mirë jeta e skllavit, për të ndihmuar edhe familjet e tyre sesa jeta e trashëgimtarit të tokës së prindërve, të stërgjyshërve e cila mbetet djerrë, jo se ata janë dembelë. Jo se në familjen e tyre nuk ka traditë, por sepse ata nuk kanë parë një shtet që t'i mbështesë si bijtë e tij, që t'i mbështesë siç i mbështet prindi dhe tu japë atyre mundësinë që të tregojnë se janë punëtorë. Unë jam një qytetar si ju, si shumë të tjera, që nuk dorëzohem dot përpara pamjeve të të rejave dhe të rinjve që natë - ditë dergjen klubeve dhe kafeneve, që e kalojnë ditën e tyre duke pirë cigare, duke pirë alkool dhe unë jam një qytetar që nuk quaj ata fajtorë, por që i konsideroj viktima të mungesës së një shtetit që s'di të kujdeset për ta. Viktima të një politike të vjetër që kujtohet për ta vetëm kur ka fushata elektorale. Viktima të politikanëve të vjetër, për të cilat shqiptarët dhe shqiptaret janë një turmë nga e cila dalin vetëm vota dhe jo individë, me talentin, me pasionin me aftësitë e tyre ndaj të cilëve një shtet i drejtë dhe një qeveri dinjitoze duhet të përgjigjet një për një.

Unë mund të thoja edhe shumë gjëra të tjera lidhur me ato çka shoh përditë nëpër Shqipëri, por ju të gjithë së bashku mund të tregoni më mijëra ngjarje, me mijëra shembuj, më mijëra pamje të asaj Shqipërie përpara së cilës unë, ju dhe të gjithë ata që mendojnë si ne nuk dorëzohen dot dhe prandaj për këtë arsye unë ju ftoj që të shkoni kudo në fshat dhe në qytet, dhe të përcillni mesazhin e nevojës për një bashkim të ri, për një bashkim të ri të së djathtës së vjetër për një bashkim të ri mbi barrikadën që i ka ndarë shqiptarët majtas dhe djathtas në mënyrë që një grusht njerëzish t'i sundojnë për 17 vjet. Një bashkim të ri në emër të së drejtës të çdo shqiptareje dhe shqiptari për të jetuar me punë të ndershme, në emër të së drejtës së çdo shqiptareje dhe shqiptari për tu shërbyer me dinjitet nga shteti i tij, në emër të çdo shqiptareje dhe shqiptari për të ngritur kokën kur përmendet emri i vendit të tij në çfarëdo gjuhe dhe çfarëdo vendi. Përpara se sa të vija këtu pashë në kompjuterin tim, një mesazh elektronik të cilin po ua tregoj sepse më erdhi në mend. Bëhej një forum ndërkombëtar për transplantin e organeve dhe u ngritën me rradhë lektorët. Lektori irlandez u krenua se një njeriu pa veshkë iu vu një veshkë dhe tashmë ai gjendej në vendin e punës. Lektori gjerman u krenua se një njeriu pa mushkëri iu vu një mushkëri dhe ai jo vetëm jetonte, por edhe vraponte. Lektori francez u krenua se dy njerëzve ju vu një zemër e ndarë më dysh dhe operacioni funksionoi aq mirë sa të dy ata kishin dalë dhe po kërkonin punë. Lektori shqiptar iu tha jeni shumë prapa, ne vumë në krye të qeverisë një njeri pa tru dhe sot gjysma e popullit ka dalë dhe kërkon punë!

Nuk dua t'ju mbaj gjatë, dua vetëm ta mbyll duke ju thënë se ç'bëj unë qytetari në një parti, pse unë qytetari i lirë, qytetari që nuk dorëzohet, qytetari që ëndërron u futa në organizimin e një partie, aq sa ime më thotë herë pas here që ta dija që ky ishte ilaçi do ta kisha futur me zor në parti që 14 vjeç. Unë hyra në parti dhe i ftoj të gjithë që të bëhen pjesë e kësaj hapësire të madhe duke u anëtarësuar ose duke qenë në të si pjesë e debatit, si pjesë e punës dhe e pasionit sepse unë kuptova se për t'i bërë realitet ato çka unë ëndërroj, për t'i munduar ato të këqija përpara të cilave unë nuk dorëzohem, për t'i realizuar atë çka është amaneti në gjenerata pas gjeneratash i të gjithë atyre që kanë sakrifikuar edhe jetën e tyre. Pra për të bërë reale, konkrete, të dukshme, të prekshme Shqipërinë Evropiane duhet një instrument dhe ky instrument është Partia Socialiste e Shqipërisë. Duhet një instrument përmes së cilit çdo shqiptar dhe çdo shqiptare të mund të kontribuojë drejtpërdrejt për të ndryshuar jetën e vet, jetën në fshatin dhe qytetin ku jeton, rrugën e të ardhmes të fëmijëve të vet. Duhet një instrument dhe ky instrument nuk duhet të jetë partia ashtu siç e kemi parë apo siç e mendojmë përpara se të hyjmë në të, ashtu sikur janë partitë politike shqiptare me mure, me rregulla, me kufi dhe me plot mekanizma të tjerë që i japin ekskluzivitet atyre që janë brenda. Jo! Instumenti ynë, Partia Socialiste e Shqipërisë nuk është ekskluziviteti ynë, PSSH nuk është pronë e atyre që janë brenda por është pronë e të gjithë atyre që përmes saj duan të ndryshojnë jetën e tyre. PSSH është një hapësirë ku dialogohet, ku debatohet, ku ballafaqohen mendime, ide, ku dëgjohen dhe shkruhen shqetësime, kërkesa, ankesa, ëndrra. Është një hapësirë ku së bashku ne jemi më shumë dhe sa më shumë të jemi aq më pranë e kemi Europën, jo duke shkuar në Europë, por duke e sjellë Europën këtu në shtëpitë tonë, në qytetet tona, në fshatrat tona. Prandaj thirrja ime e fundit e kësaj fjale është përtej të majtës dhe të djathtës së këtyre 17 vjetëve që na lanë kaq prapa është Shqipëria, përtej të majtës dhe të djathtës së këtyre 17 vjetëve janë shqiptaret dhe shqiptarët, socialistë dhe demokratë të thjeshtë që e vuajnë njësoj errësirën, papunësinë, korrupsionin, dhunën dhe mungesën e së ardhmes. Le të shkojmë dhe tu shtrijmë dorën të gjithëve se së pari na duhet një bashkim i ri për tu ndarë nga politika e vjetër dhe më pastaj le të rindahemi përsëri për të parë se si funksionon më mirë Shqipëria Evropiane. Por pa e patur një Shqipëri Evropiane ne nuk mund të bindemi kurrsesi ta mbajmë Shqipërinë tonë larg Europës. Kjo është thjesht ëndrra ime, është thjesht ëndrra e qindra - mijëra shqiptarëve dhe shqiptareve e qindra- mijëra të moshuarve, e qindra - mijëra prindërve, e qindra- mijëra fëmijëve. Kjo nuk është një ëndërr e parealizueshme. Kjo është një ëndërr praktike dhe këtë ëndërr praktike dhe ne do ta bëjmë fuqinë e fjalës dhe të veprimit tonë.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm