Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e Kryetarit te PSSH ne tryezen e rrumbullaket me ambasadoret e vendeve anetare te NATO-s

Fjalime

Fjala e Kryetarit te PSSH ne tryezen e rrumbullaket me ambasadoret e vendeve anetare te NATO-s

03 Apr 2007    
Ishte një kohë kur ne duhet të linim auditorët e shkollave e të universiteteve, të vishnim rrobat ushtarake, të hidhnim në sup një pushkë druri dhe pa u gdhirë të niseshim njëshkolonë për t'u mbrojtur nga një sulm hipotetik i NATO-s. Ky ushtrim i përvitshëm kolektiv i një marrëzie që e mbajti Shqipërinë të kycur në bunkerin komunist e të izoluar krejtësisht, nga perëndimi e nga lindja, deri në fundin e vitit '90, quhej zbor.

Sot, ajo kohë zboresh për t'u mbrojtur nga rreziku anglo-amerikan ngjan me një copë surreale letërsie, tamam sic ngjante me një ëndërr të pamundur asokohe bota jashtë bunkerit të diktaturës komuniste. Sot duket sikur s'kemi qenë ne që e kemi jetuar deri më pak se dy dekada më parë makthin totalitar me të cilën një histori mizore na ka mbajtur të ndarë ne shqiptarëve - jo vetëm pas Luftës së Dytë Botërore po edhe vite të tëra, madje shekuj përpara saj. Sot, në vigjiljen e një dite historike për Shqipërinë, kur vendi ynë do të ftohet të jetë de facto e de jure pjesë e kësaj familjeje natyrale, mes popujsh të organizuar në një aleancë që mbron demokracinë, lirinë individuale e barazinë para ligjit, është casti për t'u kujtuar se jeta jonë s'ka qenë gjithnjë kështu. Bota për ne s'ka qenë gjithnjë kjo. Për ta mbërritur këtë vigjilje të madhe është dashur të kalojmë shkretëtirën e t'i mbijetojmë ferrit të diktaturës komuniste, ku një popull i tërë u kthye në një ushtri skllevërish e ku plot shqiptarë të pafajshëm u pushkatuan, burgosën, syrgjynosën për të mos lejuar në Shqipëri demokracinë, lirinë individuale e barazinë para ligjit, të cilat sot Shqipëria është e gatshme t'i promovojë e mbrojë globalisht duke u rreshtuar në Aleancën e madhe Euro-Atlantike.

Totalitarizmi ishte në historinë e Shqipërisë si një bombë që e ktheu përmbys botën në sytë tanë dhe rruga e bërë gjermëkëtu, qysh prej daljes nga bunkeri komunist, i ngjan një përpjekjeje të stërmundimshme për ta rikthyer botën në vend apo rigjetur vendin tonë në botë, një tranzicion i stërzgjatur për shkak të mungesës së një tradite solide të shtetit e të institucioneve demokratike, për shkak të një periudhe të gjatë shkëputjeje e izolimi hermetik nga bota e lirive e të drejtave universale e për shkak të një procesi demokratizues të dominuar nga një politikë e vjetër e trajtimit të kundërshtarit si armik dhe e perceptimit të betejës politike si një luftë për gjunjëzimin e armikut e jo si një shprehje e demokracisë reale. Dikush ka thënë se demokracia reale është më shumë sesa të hedhësh një votë në kuti, ajo është mënyra sesi nuk jemi dakord me njëri-tjetrin. E vërteta e këtyre 17 vjetëve liri në Shqipëri është se ne kemi humbur shumë kohë të cmuar pikërisht sepse mënyra sesi nuk kemi qenë dakord me njëri-tjetrin ka qenë tejet konfliktuale dhe ka provokuar ngushtimin ciklik të të drejtave e lirive kushtetuese si edhe ka shkaktuar cënime të rënda të rendit e të institucioneve kushtetuese.

Vetë ecuria në vite e procesit të integrimit të tonë në NATO e dëshmon koston që populli shqiptar i ka paguar konfliktit permanent të politikës së vjetër. Qysh në 1992 kur Shqipëria i'u bashkua Këshillit të Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut, për të vijuar në 1994 me Partneritetin për Paqe e, më pas, me Plan Veprimin për Anëtarësim në 1999, ka kaluar një kohë relativisht shumë e gjatë, të cilën politika shqiptare nuk ka ditur ta shkurtojë duke marrë shembullin e admirueshëm të vendeve të tjera të dala nga ngrica komuniste dhe duke u mbështetur në konsensusin unikal që anëtarësimi në NATO ka në popullin shqiptar. Prandaj sot, në vigjiljen e madhe të kurorëzimit të një pjese të rëndësishme të misionit të gjeneratës sonë të lindur në botën e kthyer përmbys, jam krenar për kontributin e Partisë Socialiste, që përmes një politike tërësisht të re për Shqipërinë e cfilitur nga konfliktet e mosmarrëveshjet politike të tranzicionit, udhëhoqi e mundësoi, në funksion të integrimit në NATO, ndërtimin e një procesi politik ku interesat strategjikë e themelorë të vendit nuk interferohen e as cënohen nga interesat e llogaritë partiake të ditës.

Të vetëdijshëm se jetojmë në një kohë të re e në një botë gjithnjë e më të vogël, ku kërcënimet e mëdha nuk mungojnë e ku nuk mungojnë detyrimet globale edhe për një vend të vogël si Shqipëria, ne jemi plotësisht të bindur se s'mund ta luajmë si duhet rolin tonë vetëm duke qenë në një linjë me partnerët tanë të mëdhenj, për cështjet e rajonit e të demokracisë në botë, por edhe duke e mishëruar këtu, në jetën e në politikën shqiptare kulturën demokratike të familjes euro-atlantike. S'ka dyshim se ne s'mund t'i shohim njëlloj me kundërshtarët tanë politikë rrugën ku duhet të ecë vendi për të arritur aty ku duam të gjithë, projektin e reformave që duhen ndërmarrë për të rritur shkallën e lirive e të drejtave të njerëzve, masat për rritjen e nivelit funksional të demokracisë, të sigurisë e të mirëqenies shpirtërore e materiale të qytetarëve tanë. Ne kemi qenë, jemi e do të jemi në plot kundërshti të papajtueshme me ta, një alternativë reale e vizionit dhe projektit të tyre politik. Por, si bartës e promotorë të nevojës jetike të vendit e të njerëzve tanë për një politikë të re qytetarësh e energjish pozitive, në kushtet kur Shqipëria duhet të rikthehet pa humbur kohë në familjen e saj natyrale, ne jemi të vendosur ta emancipojmë politikën shqiptare me një atdhetarizëm të ri, të bindur se përtej të majtës e të djathtës, mbi interesat e llogaritë partiake të ditës, larg skenës ku luhet shfaqja e politikës së sakrifikimit të shtetit për interesat e pushtetit, është Shqipëria, rruga e saj e integrimit.

Kjo rrugë kalon padyshim nga zgjedhjet absolutisht të lira e të ndershme dhe nga reforma e domosdoshme për t'i mundësuar ato. Kjo rrugë kalon nga ndërtimi i një rendi të barazisë përpara ligjit dhe nga reformat e domosdoshme për ta garantuar atë. Kjo rrugë kalon nga plotësimi i të gjitha detyrave të shtëpisë së madhe të demokracisë e të lirisë individuale, ku po hyjmë hap pas hapi, dhe nga bashkëpunimi i domosdoshëm bipartizan për t'i plotësuar ato. Këtë rrugë ne, socialistët shqiptarë të shekullit të ri, jemi të vendosur ta përshkruajmë pa u luhatur për asnjë arsye, sepse ky është misioni dhe detyrimi ynë, karshi shqiptarëve e shqiptareve që meritojnë të jenë qytetarë të barabartë të botës së lirë me të cilën historia e shekullit të XX na ndau mizorisht dhe, padyshim, karshi anëtarëve të Aleancës së madhe të Atlantikut të Veriut, që shpresoj se në Samitin e Bukureshtit do të na ftojne të mbrojmë, krah për krah me ta, vlerat për të cilat dje u sakrifikuan, ranë dëshmorë apo u pushkatuan, si antifashistë apo antikomunistë, gjatë Luftës së Dytë Botërore apo në ferrin e regjimit totalitar, dhjetëra mijëra shqiptarë.

Këto vlera në shekullin XXI kërcënohen nga një totalitarizëm i ri, nga terroristët që duan me cdo kusht ta rikthejnë botën përmbys botën tonë, demokracinë, lirinë individuale dhe barazinë para ligjit. Për keto vlera populli shqiptar është i rreshtuar pa asnjë ekuivok me të gjithë popujt e lirë të aleancës sonë të madhe dha ka qenë e do të jetë kudo e kurdoherë i gatshëm të marrë përgjegjësinë e luajë rolin e tij si pjesë e misioneve të NATO-s nëpër botë. Ne e dimë fare mirë sesa esenciale është vijimësia e reformave dhe konsolidimi i procesit të ri politik të bashkëpunimit mes forcave politike në Shqipëri pas marrjes së ftesës që kërkojmë prej jush në Bukuresht, sepse jemi plotësisht të vetëdijshëm që ftesa për anëtarësim në NATO nuk është fundi po fillimi i një kapitulli të ri marrëdhëniesh e detyrimesh për t'u plotësuar përpara pranimit të Shqipërisë, si e barabartë mes të barabartëve, në tryezën e vendeve anëtare të NATO-s. Ne e dimë se përfshirja mes të ftuarve për në familjen euroatlantike është edhe një shtysë e posacme për integrimin tonë në Bashkimin Europian, pasi këto janë procese të vecanta por edhe të lidhura pazgjidhshmërisht me vlera të cilat Shqipëria duhet t'i mishërojë, standarte të cilat duhet t'i përmbushë, përgjegjësi të cilat duhet t'i mbajë. Ne e dimë gjithashtu se do të gjykohemi jo mbi ato që themi e do të themi, po mbi ato që bëjmë e do të bëjmë, por më lejoni t'ju garantoj sot se, për sa na takon neve, Partisë Socialiste të Shqipërisë, qoftë në opozitë e qoftë në qeverisje, do të bëjmë cdo gjë që themi. Ne kemi vetëdije të plotë për vizionin e jashtëzakonshëm e të paprecedent të themeluesve të NATO-s që parapanë sesi popujt e lirë mund të punojnë së bashku për kauzën e përbashkët të lirisë e të demokracisë, dhe sot jemi më të vetëdijshëm se asnjëherë që ftesa për anëtarësimin në NATO është vërtet një sukses i Shqipërisë e i shoqërisë sonë, por është njëkohësisht edhe përgjegjësia e jashtëzakonshme e politikës shqiptare në rradhë të parë, për të rritur pa humbur kohë cilësinë e lirisë e të demokracisë në Shqipëri e për t'u bërë një vlerë e shtuar jo thjesht numerike në tryezën e Aleancës Euro-Atlantike. Ne, socialistët, jemi gati ta mbajmë këtë përgjegjësi historike.

Une jam shpresëplotë se ne te ardhmen do të arrijmë të bëjmë reformat e domosdoshme, në mënyrë që shumë shpejt të jemi të përgatitur të garantojmë jo vetëm sigurinë e qytetarëve shqiptarë po edhe të mbrojmë sigurinë kolektive të popujve tanë për shekullin e ri ku kemi fatin të jetojmë me mundësi që vetëm disa dekada më parë ishin të paimagjinueshme, por ku kemi barrën të fitojmë së bashku sfida edhe më kërcënuese sesa ato që bota jonë ka lënë pas.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm