Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e Kryetarit te PSSH-se Edi Rama, ne protesten: Po Natos! Jo Berishes !

Fjalime

Fjala e Kryetarit te PSSH-se Edi Rama, ne protesten: Po Natos! Jo Berishes !

08 Apr 2008    
Të dashur bashkëqytetarë,
Vëllezër e motra,

Dje ishte një ditë e re në historinë tonë. Dje u ftuam të rikthehemi në familjen tonë natyrale.
Dje populli shqiptar mori një mbështetje historike nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë
euroatlantikë, kurse politika shqiptare mori një detyrë të re, që për ne, socialistët e progresistët
është një sfidë e re: Të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO në vitin 2009!

Prandaj sot, në castin e kurorëzimit të një pjese të rëndësishme të misionit të gjeneratës sonë, është dita të jemi krenar për kontributin e Partisë Socialiste, që përmes një politike tërësisht të re për Shqipërinë e përcarë nga politika e vjetër, hapi, udhëhoqi e mundësoi një proces politik ku interesat strategjikë e themelorë të vendit nuk interferohen e as cënohen nga interesat e llogaritë partiake të ditës. Sot është dita kur qytetarët, socialistë dhe demokratë, në cdo skaj të Shqipërisë, por edhe kudo ku ndodhen nëpër botë, ndjejnë në sup dorën që mbron Botën e Lirë, dorën që ngrihet për të ndalur të keqen sa herë ajo kërcënon vlerat e demokracisë së vendeve të NATO-s apo paqen e sigurinë e planetit tonë, dorën që politika jonë e vjetër na pengoi ta shtrëngonim kohë më parë. Por sot është edhe dita për të parë, me sytë tanë, provën shembullore të një politike që flet dhe vepron në emër të qytetarëve, të aspiratave dhe interesave të tyre, dhe për të kuptuar, edhe më mirë, se duhet të jemi cdo ditë e më shumë bartësit e promotorët e nevojës jetike të njerëzve tanë për këtë lloj politike, politika që nuk ndan po bashkon, politika që nuk shan po argumenton, politika që nuk dekurajon e paralizon në emër të së shkuarës, po frymëzon e ndërton në emër të së ardhmes. Shqipëria duhet të kthehet pa humbur kohë në familjen e saj natyrale dhe ne jemi këtu për të mos humbur më asnjë cast e asnjë shans në jetën e shqiptarëve, të cilët përpara sesa të jenë socialistë a demokratë janë prindër që meritojnë një shtet që mbron familjen e tyre dhe që duan një të ardhme për kalamajtë e tyre, janë pensionistë që meritojnë një muzg të qetë pas një jete plot mundime e sakrifica, janë të reja e të rinj që meritojnë një shkollë të mirë për të qenë gati për një jetë plot ambicie e sfida. Kjo është ora e politikës së bashkimit të njerëzve si qytetarë që s'duan të humbin më kohë të cmuar duke qëndruar të ndarë prej mureve e gardheve të politikës së vjetër, kjo është një orë e re për një bashkim të ri përtej të majtës e të djathtës së vjetër, përtej kufijve që partitë kanë vënë mes politikës e njerëzve, përtej paragjykimeve të së shkuarës që për shtatëmbëdhjetë vjet me rradhë na kanë penguar ta shohim njëri-tjetrin si bashkëqytetarë që, së bashku, mund t'i bëjmë të mundura ëndrrat e dëshirat që politika e vjetër na i ka ndaluar. Kjo është ora e qytetarëve që politikën e shohin si pasion për të ndryshuar e jo si zanat për të fituar, që Shqipërinë e duan si atdheun e fëmijëve të tyre e nuk duan ta lenë plackë në pazarin e politikanëve, që qytetin e fshatin ku jetojnë dëshirojnë ta nxjerrin nga kthetrat e varfërisë, papunësisë, injorancës, dhunës e korrupsionit. Kjo është ora jonë dhe ne e kemi pranuar sfidën e madhe të emancipimit të politikës shqiptare me një atdhetarizëm të ri përmes një politikë të re qytetarësh e energjish pozitive, të bindur se përtej të majtës e të djathës, matanë skenës së vogël ku luhet, në parcelat e ndara mes dhjetra partish, shfaqja bajate e llogarive partiake dhe e mërive ndërpartiake, është vetë Shqipëria, rruga e saj e integrimit në NATO dhe në Europën e zhvillimit e mirëqenies. Kjo rrugë kalon padyshim nga zgjedhjet absolutisht të lira e të ndershme dhe nga reforma e domosdoshme për t'ua mundësuar, më në fund, votuesve shqiptarë të drejtën të zgjedhin lirisht e ndershmërisht atë që duan - e të mos u ndodhin më tërë ato pabesira që kanë deformuar vullnetin e popullit Sovran dhe i kanë neveritur njerëzit me përfundimet zhgënjyese të cirqeve elektorale. Ne jemi të vendosur të mos lejojmë më deformimin e vullnetit sovran të qytetarëve shqiptarë dhe të bëjmë deri në fund detyrën tonë për ta kryer në kohë e me cilësinë e duhur Reformën Zgjedhore. Tragjedia e 15 marsit nuk e ka ndryshuar, po e ka forcuar edhe më shumë këtë prioritet pasi të tilla tragjedi janë, në themelin e tyre, pjella të një sistemi të kalbur politik që rrit, prej 17 vjetësh, deformimet e rënda në zgjedhje e, për pasojë edhe në qeverisje, duke bërë që pas cdo procesi zgjedhor shqiptarët të bien nga shiu në breshër. Bash ashtu sic ranë pas 3 korrikut kur me një votë antikorrupsion u gjendën nën një qeveri e një kryeministër, që kanë mbyllur rrugën e konkurencës së lirë e të ndershme dhe kanë zgjeruar me korsi të shpejtësisë së lartë rrugën e korrupsionit. Interesi i Shqipërisë e i qytetarëve shqiptarë është reformimi rrënjësor i këtij sistemi përfaqësimi dhe i gjithë infrastrukturës zgjedhore. Ne do ta përfaqësojmë këtë interes me përkushtim e vendosmëri dhe do të kërkojmë nga pala tjetër të përmbushë të gjitha detyrimet e saj, sepse jemi të bindur që sa më të lira e të ndershme të jenë zgjedhjet aq më spektakolare do të jetë fitorja jonë dhe, sa më i garantuar të jetë vullneti i popullit Sovran nga tradita e mbrapshtë e deformimeve të votës, aq më e qëndrueshme e cilësore do të jetë qeverisja jonë e aq më të mbrojtur nga rreziqet e sotme do të jenë qytetarët tanë. Sot është pa asnjë dyshim një orë e mirë në historinë tonë që, në të shkuarën, na ndau mizorisht me familjen tonë natyrale të popujve me të cilët luftuam, krah për krah, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo luftë mbetet faqja jonë e ndritur e shekullit të XX që na bën të ndjehemi gjithnjë krenarë për veteranët tanë, të cilëve u përulemi me respekt në këtë orë të mirë. Faqet e tjera, deri në orën e lirisë së dhjetorit ‘90, janë të errëta e të dhimbshme, plot gjak e lot, martirë, viktima të pafajshme e me një histori dramatike mundi të pashpërblyer të një populli të tërë, që për 45 vjet me rradhë, bëri kokulur një punë kolosale skllevërish në të gjithë Shqipërinë. 17 vjet pas rënies së regjimit komunist populli ynë ka sot të drejtën legjitime t'i gëzohet një ore të mirë, të cilën në atë dhjetor të largët të gjithë e prisnim të na vinte më shpejt. Jemi mbledhur këtu për të bërë pikërisht këtë, për t'iu gëzuar së bashku kësaj ore të mirë dhe të sjellë më afër një të ardhme ku jeta e cdo shqiptareje e shqiptari do të jetë një jetë e mirë, e mbrojtur prej rreziqeve që na kanosen sot të gjithëve prej mungesës së shtetit dhe e mbushur me shanse e mundësi për të realizuar ëndrra, dëshira, ambicie të natyrshme që sot mbeten në tentativë për shumicën dërrmuese mes nesh prej një politike të vjetër që për 17 vjet me rradhë i është bërë pengesë zhvillimit të demokracisë, lirisë individuale e barazisë para ligjit. Mbrëmë në darkë një qytetar më përgëzoi për kontributin që ne dhamë për arritjen e djeshme të Shqipërisë dhe më pyeti: A ka kuptim të protestoni nesër kundër qeverisë? Përgjigja ime është: Për politikën e qytetarëve një orë e mirë si kjo, është ora më e mirë për t'u gëzuar së bashku për të sotmen dhe për t'u mbledhur së bashku për të ardhmen. Duke manifestuar kënaqësinë tonë të vecantë për ftesën që Shqipëria mori dje për anëtarësimin në NATO dhe shqetësimin tonë legjitim për të nesërmen e kompromentuar prej papërgjegjshmërisë, paaftësisë dhe korrupsionit që është bërë palca e qeverisjes së sotme. Ne u jemi thellësisht mirënjohës miqve tanë të mëdhenj për dorën e partneritetit që i shtrinë dje Shqipërisë e popullit shqiptar, po jemi gjithashtu thellësisht të shqetësuar për dorën e korrupsionit që sot qeveris Shqipërinë duke bërë që qytetarët e saj, socialistë e demokratë, të vuajnë po njësoj mungesën e punës e të rrugës, mungesën e dritave e të ujit, mungesën e librave e të shpresës për kalamajtë e tyre. Dhe mbi të gjitha mungesën e sigurisë së jetës. Ne jemi sot me sytë e mendjes në rrugën e historisë që dje kaloi në një stacion të shumëpritur prej një populli të tërë, por sytë e zemrës s'mund t'i mbyllim në këtë orë të mirë përpara prindërve të shkretuar të 6 vjecarit nga Gërdeci, që qysh dje paradite s'mundet t'i hapi më sytë kur e ëma e i ati ta thërrasin të zgjohet, apo përpara 4 fëmijëve jetimë - më i madhi vajza 14 vjec - të minatorit që qysh dje në darkë nuk do ta shohin dot më të kthehet në shtëpi të atin e tyre fatkeq. S'mund t'i mbyllim dot jo në këtë orë të mirë, sytë e zemrës mbi Shqipërinë e sotme të jetëve të humbura në punë, në rrugë, në festë, sepse vetëm duke parë të ardhmen me sytë e mendjes e të sotmen me sytë e zemrës, do të shohim fare qartë se mes nesh dhe së ardhmes që dëshirojmë për fëmijët tanë, qëndron politika e vjetër e së shkuarës dhe një kryeministër, i cili do t'i kishte dhënë dinjitet qeverisë së shqiptarëve në këtë moment historik për të gjithë ata, duke u larguar pas dështimit shpërthyes të qeverisjes së tij pikërisht në emër të standarteve të reja politike e morale që meriton sot Shqipëria e populli i saj. Por kryeministri ynë, ashtu si krejt qënia e politikës së vjetër që jeton me papërgjegjshmëri, punon me paaftësi e ushqehet me korrupsion, nuk di të heqë dorë e nuk ka fuqi të tërhiqet, sepse standartet politike e morale që Shqipëria kërkon sot janë të papranueshme në botën ku ai ka mbetur peng. Ky është problemi dhe turpi i tij në sytë e të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që u tronditën nga shpërthimi i vullkanit të korrupsionit, nga dhjetra të vdekurit e të zhdukurit që ende janë në kërkim, nga qindra shtëpitë e rrafshuara, nga mijëra banesat e sipërmarrjet e dëmtuara, për të cilat kryeministri ynë flet me papërgjegjshmërinë e një njeriu që s'ndjen asnjë faj, me paaftësinë e një drejtuesi që s'di të bëjë asgjë për të rinisur jetën normale të asaj zone të bombarduar nga qeveria e vet dhe me logjikën e një korrupsioni të frikshëm që i ka ndotur duart e lidhur gjuhën. Problemi ynë është zbardhja deri në fund e këtij krimi shtetëror, vendosja e drejtësisë në vend dhe rinisja e jetës normale për cdo familje e njeri të dëmtuar, puna jonë është përcjellja në cdo qytet e fshat, në cdo lagje e në cdo derë, e mesazhit të bashkimit të ri për të mbyllur kapitullin e politikës së vjetër të së shkuarës dhe për të hapur rrugën e re të së ardhmes përmes një politike që ka sy për të parë, veshë për të dëgjuar e zemër për të ndjerë hallet, problemet e dëshirat e njerëzve, mjeti për të bërë realitet Shqipërinë europiane duke e ndërtuar Europën në qytetet e fshatrat tona, në cerdhet, kopshtet, shkollat e spitalet tona, në shtëpitë ku asnjë prind s'duhet të dridhet nga ankthi se nuk i dhuron dot fëmijës një dhuratë për ditëlindje, është fitorja jonë! Ne do të fitojmë edhe për ata që s'e arritën dot këtë orë të mirë. Ne do të fitojmë për të gjithë fëmijët e Shqipërisë që e ardhmja të bëhet jeta e tyre. Ne do të fitojmë për të gjitha të rejat e të rinjtë e Shqipërisë, në qytet e në fshat, që të mos marrin arratinë nga vendlindja e nga toka e prindërve, po të shkollohen prej vërteti e të ndërtojnë një jetë të denjë duke dhënë kontribute të cmuara e duke marrë prej tokës prodhimet që sot i blejmë të tëra deri prapa diellit. Ne do të fitojmë për të gjithë prindërit e Shqipërisë, që në këtë orë të mirë që po ngryset shohin me shqetësim jetën normale që nesër rifillon nga cmimet e rritura, nga faturat e rënda të energjisë e të ilaceve, nga rradha e gjatë e të papunëve, nga toka që nuk mbillet e nuk vaditet dot, nga mungesa e shpresës që rëndon mbi mëngjezet e tyre. Më lejoni miqtë e mi ta mbyll duke kujtuar këtu se ftesa për anëtarësim në NATO nuk është fundi po fillimi i një kapitulli të ri marrëdhëniesh e detyrimesh për t'u plotësuar përpara pranimit të Shqipërisë, si e barabartë mes të barabartëve, në tryezën e vendeve anëtare të NATO-s. Dhe Shqipëria, të gjithë ne, do të gjykohemi jo mbi ato që themi e do të themi, po mbi ato që bëjmë e do të bëjmë. Pikërisht sepse qoftë në opozitë e qoftë në qeverisje, do të bëjmë cdo gjë që themi, dhe sepse ne jemi gati ta mbajmë këtë përgjegjësi historike, vitin e ardhshëm Shqipëria do të anëtarësohet në NATO, do të qeveriset nga ne dhe do të ndihet e sigurtë në punë, në rrugë, në festë.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm