Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e Kryetarit te PSSH tek Forumi i G.SH

Fjalime

Fjala e Kryetarit te PSSH tek Forumi i G.SH

01 Jan 1970    

Kryetari i Parisë Socialiste, Edi Rama ka marrë pjesë në Forumin “Sfidat e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.Në këtë Forum të organizuar nga Gazeta Shqiptare Kryetari i socialistëve u shpreh: “Sot kur është dita e parë, që ne jemi sëbashku me përfaqësuesit e lartë të politikës kosovare pas shpalljes së pavarësisë. Është e pamundur që të mos e fillojmë duke kujtuar edhe njëherë faktin e thjeshtë, që kjo pavarësi është më së pari fryt i vetmohimt, i sakrificave dhe i dhuratës së jetës së mijëra e mijëra njerëzve, të cilët sot janë guri i themelit të kësaj pavarësie. Po ashtu nuk mund të mos vijoj me mirënjohjen dhe konsideratën më të lartë për udhëheqjen kosovare, për të gjithë faktorët politikë në Kosovë, që patën një vetëpërmbajtje dhe një largpamësi të admirueshme, duke e udhëhequr proçesin drejt ditës së pavarsisë në mënyrë jashtëzakonisht të efektshme dhe duke bërë të mundur, që Kosova të përfaqësohet denjësisht në çdo tryezë dhe sot të jetë e pavarur. Ashtu sikundër është i admirueshëm qëndrimi i të gjithë përfaqësuesve të lartë politikë në Kosovë në raport me serbët, në raport me pakicat. Gjesti i Kryeministrit Hashim Thaçi, që i dhuroi një fshatari serb traktorin për të punuar tokën e përbashkët është një gjest kuptimplotë, ashtu sikundër është shumë kuptimplotë fakti, që një ndër luftëtarët e mëdhenj të lirisë, sot ministër i transporteve rithekson faktin, se të qenit për dekada me radhë qytetar të dorës së dytë ka mjaftuar për të krijuar vetëdije lidhur me domosdoshmërinë, që lirinë tonë ta shohim tek liria e tjetrit dhe lirinë e shumicës tek garancia për liritë e pakicës. Por patjetër, që sot do të ishte e mangët fjala në rast se nuk do t'i referoheshim vullnetit të hekurt të SHBA për t'i hapur rrugë një proçesi, që pa SHBA nuk do të kishte kulmuar me pavarësinë e Kosovës. Ashtu sikurse edhe roli i BE-së në një proces ku fal edhe zërit autoritar të demokracive të fuqishme Europiane, BE arriti në një qendër, që e lehtësoi procesin edhe pse sot Kosova vazhdon të mbetet testi i Europës politike. Dhe unë do të doja t'i referohesha këtu shprehjes së Presidentit Sarkozi, i cili tha se pavarësisht vullnetit të madh të SHBA dhe vullnetit të munguar të Rusisë, Kosova është një çështje e vetëdijes Europiane, të cilën BE duhe ta shohë si një çështje të vetën. Në këtë aspekt, unë besoj se Europa politike sot testohet në raport me pavarësinë e Kosovës dhe me fundin e artificit të Jugosllavisë. Ashtu sikundër sot, fillon një testim i madh për shtetin shqiptar të Shqipërisë dhe për shtetin shqiptar të Kosovës. Ky është testi i madh i gadishmërisë, i aftësisë, i largpamësisë dhe i vizionit tonë të përbashkët për të integruar popullin shqiptar në Europë. Në këtë aspekt, ne kemi nevojë ta shikojmë marrëdhënien me shtetin e Kosovës si një marrëdhënie, që është shumë e rëndësishme të jetë një marrëdhënie ekonomike, por më shumë sesa një marrëdhënie ekonomike duhet të jetë një marrëdhënie që synon t'i japë të rejave dhe të rinjve, fëmijëve shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë rrugën dhe perspektivën e të qenit nesër qytetar të Europës. Paralelisht me politikat, që duhet të synojë një marrëdhënie intensive ekonomike, jo vetëm në raport me Kosovën, por me të gjithë rajonin e Ballkanit, është shumë e rëndësishme, që ne të shohim politikat arsimore si një domosdoshmëri, jo vetëm për të rejat dhe të rinjtë shqiptarë, por për të gjithë të rejat dhe të rinjtë e Ballkanit në një rajon, i cili vazhdon të mbetet i izoluar edhe pse është një rajon që në thellësinë e vet ka 22 milionë njerëz në një Europë me 450 milion njerëz. Ky raport duhet të vihet në vijimësi në qendër të vëmendjes së Europës politike, për të kuptuar se është koha për ta parë të ardhmen e këtij rajoni si një të tërë. Ku ne do të japim me patjetër kontributin tonë, por ku me patjetër duhet dhe një vizion i ri dhe një këndvështrim i ri dhe një hap i ri përpara nga ana e Europës politike, për të mos lejuar që në këtë sfidë globale dhe në këtë kohë të globalizmit, ku Europa fluturon, rajoni të vazhdojë të tërhiqet zvarrë në kurriz të fëmijëve të vet. Për të mos lejuar që nesër të kemi qytetarë të dorës së dytë në Europën e Bashkuar, për shkak të edukimit të sotëm të fëmijëve të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë e të gjithë pjesëve të mbetura jashtë BE-së. Është shumë e rëndësishme, që nuk asnjë shenjë triumfalizmi mbi Serbinë dhe mbi serbët, sepse ky është triumf mbi të shkuarën, ky është triumf mbi politikat e vjetra të artificës dhe është fundi i një artifici siç ishte Jugosllavia. Por, nga nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme, që në kuadrin e këtyre politikave të përbashkëta, ne të ndërtojmë edhe një vetëdje për të sjellë nëpërmjet të gjitha kanaleve të komunikmit, në veshët e Europës politike, sepse kostoja e izolimit është më e madhe se kostoja e integrimt. Duke ju referuar shqiponjave që fluturojnë larg, unë do ta mbyll aty ku e la ambasadori i SHBA: Shqiponjat në kafaz kushtojnë më shumë sesa shqiponjat në qiell.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër