Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e Kryetarit te PSSH tek FQS ne tryezen me Dyer te Hapura

Fjalime

Fjala e Kryetarit te PSSH tek FQS ne tryezen me Dyer te Hapura

03 Apr 2007    
Koha per nje program qe ndan me thike, ne menyre drastike, radikale, te djeshmen nga e nesermja

Falenderoj Fondacionin “Qemal Stafa dhe posaçërisht Drejtorin Ekzekutiv Saimir Tahiri për përgatitjen e admirueshme të një plani serioz konsultimesh, me ekspertë vendas dhe të huaj, lidhur me programin e ri qeverisës të Partisë Socialiste.

Këto konsultime me dyer të hapura për cilindo që dëshiron të kontribojë në formësimin e e Alternativës së re për Shqipërinë, janë një proçes komplementar me Dialogun me Shqipërinë dhe kanë në fokus të tyre tema, të cilat për vetë natyrën teknike të tyre, s'mund të jenë objekt debatesh publike, të natyrës së debateve që zhvillohen në kuadrin e Dialogut me Shqipërinë. Me këtë dua të them që s'mund të jenë objekt i një bashkëbisedimi të gjerë me qytetare dhe qytetarë jo profesionistë, sepse në rast se një sërë çështjesh madhore si ato të arsimit a të mjedisit, të bujqësisë e të fshatit në tërësi, të energjisë e të ujit, të çështjeve sociale a të tjera në vijim) që Dialogu me Sqipërinë ka marrë përsipër të shtrojë përpara publikut janë çështje ku është në një mënyrë ose tjetër i përfshirë drejtpërdrejt çdo qytetare dhe qytetar, në temat që ka marrë përsipër proçesi i konsultimeve të FQS, është shumë themelor dhe mendoj ekskluziv, kontributi i një ekspertize të kualifikuar.

Proçesi i shkrimit të Programit të ri të PSSH ka ngjallur debat dhe më shumë se njëherë ka lindur dhe është diskutuar mendimi se programi i një partie nuk shkruhet me njerëzit, nuk shkruhet në popull, nuk shkruhet në bashkëbisedim me këdo. Në fakt ky është një mendim i papërshtatshëm për shkak se objektivi ynë nuk është të shkruajmë programin me një fazë. Objektivi ynë është ta shkruajmë programin me disa faza dhe pa asnjë dyshim faza e parë dhe themeli i programit nuk mund të mos jetë konsultimi i gjërë popullor me qytetaret dhe qytetarët shqiptarë në të gjitha skajet e Shqipërisë.

Sigurisht që në fund programi qeverisës i një partie dhe përkatësisht programi ynë shkruhet nga pak duar, por këto pak duar do të punojnë mbi mendimet, sygjerimet, idetë, e dhjetra mijra, njerëzve, sepse unë mbroj mendimin që një nga mungesat themelore të këtyre 17 viteve dhe një nga boshllëqet më të mëdha të politikës së vjetër të së shkuarës në qeverisje, ka qëne mungesa e një programi qeverisës si një instrument për të realizuar ato objektiva, që një forcë politike apo një tjetër, ka parashtruar përpara zgjedhësve dhe ato ambicie, për të cilat zgjedhëset dhe zgjedhësit, e kanë votuar.

Konkretisht që temat që F.Q.S do të trajtojë me ekspertë të kualifikuar të huaj dhe vendas siç është tema e reformës së sistemit ekonomik, tema e reformës së sistemit të drejtësisë, reformë e cila nuk mund të përfytyrohet si proçes që mbyllet për pak muaj, por si një proçes në vazhdim që duhet të bëhet objekt i konsultimit dhe mbi të gjitha duhet të bëhet vetëdije e forcës sonë reformuese.

Apo tema e politikës së jashtme dhe si një pjesë e saj e reformës së shërbimit diplomatik, tema e menaxhimit të proçesit të integrimit në BE, tema e kontrollit e të menaxhimit të territorit si hapësirë territoriale, si pasuri natyrore, si prone publike e private, tema e punësimit, si një sfidë komplekse politikash të harmonizuara sektoriale edhe në funksion të të një marrdhënieje të re të qeverisjes me sektorin privat, qoftë ky sektori i OJF qoftë ky sektori i sipërmarrjeve fitimprurëse.

Janë tema që janë objekt i këtyre konsultimeve të hapura dhe që me patjetër duhet të shtrohen në rrethe gjithsesi të ngushta dhe shumë të specializuar ekspertësh vendas dhe të huaj.

Është koha për një program të munguar në 17 vjet, sepse partitë politike shqiptare në këto 17 vjet kanë përgatitur broshura elektorale me premtime për të fituar zgjedhjet, por nuk kanë përgatitur instrumenta për të qeverisur.

Askush në fakt nuk ka menduar seriozisht për ditën e nesërme të fitores, atë ditë broshurat hidhen në kosh, sepse janë të papërdorshme.

Gjithkush ka menduar për të mundur kundërshtarin, për të zbritur nga kali i pushtetit një grup ministrash dhe për të hipur në kalin e pushtetit një grup ministrash të tjerë, e pastaj ka qenë e pashmangshme, e natyrshme, që qeverisja të degradojë në improvizim dhe në arrogancë, sepse në mungesë të instrumenteve për të qeverisur nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë asnjë rrugë tjetër, përveç improvizimeve dhe ku improvizimet rezultojnë dështime. Arrogancës që vjen natyrshëm si vokacion i pushtetit për të imponuar karshi pakënaqësisë, karshi zhgënjimit, karshi dëshpërimit, që në këto 17 vjet në momente të caktuara ka marrë përmasa të konfliktit popullor.

Unë jam i vetëdijshëm, se është koha për një program sa realist, aq edhe pa asnjë paragjykim. Është koha për një program që të ndajë me thikë, të ndajë në mënyrë drastike, radikale, të djeshmen nga e nesërmja. Të vendosë kufirin e pakapërcyeshëm mes dy kulturash qeverisjeje, një kulture të vjetër të qeverisjes si sundim dhe ushtrim arbitrar dhe shpeshherë injorant i pushtetit dhe një kulture të re qeverisëse, si detyrim kontraktual në raport me zgjedhëset dhe zgjedhësit, të cilëve PSSH do të duhet dhe do t'ju paraqesë jo një broshurë premtimesh, por një tekst për të nënshkruar një kontratë të re.

Arsyet se pse ne kemi ndërmarrë këtë proçes është pikërisht nevoja për të krijuar në të njëjtën kohë një vetëdije tek cilido, që është angazhuar sot, apo do të angazhohet nesër në qeverisjen e vendit. Një vetëdije pa të cilën asnjë program sado i mirëshkruar dhe i mirëmenduar nuk mund të realizohet. Një vetëdije, që ka të bëjë drejtpërdrejt me proçesin, që ne kemi ndërmarrë dhe që shërben nga njëra anë si një ushqim programatik, por nga ana tjetër dhe si katalizator i një ndryshimi në marrëdhëniet mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve.

Programi ynë duhet të jetë një program përtej së majtës dhe të djathtës. Duhet të jetë një program, i cili duhet të konsiderojë faktin e thjeshtë, se Shqipëria që kemi përpara syve, Shqipëria që kemi rrotull nesh, Shqipëria që pavarësisht nëse gjatë këtyre 17 vjetëve ka qeverisur e majta apo e djathta, ka vazhduar në vijimësi dhe vazhdon të lëngojë në plagë, që ngjajnë përditë e më shumë të pashërueshme, nga probleme që ngjajnë përditë e më të pazgjidhshme.

Është një Shqipëri që qëndron përtej së majtës dhe të djathtës. Vetëdija jonë që është e një të majtë të re moderne dhe evropiane është vetëdija, se përditë e më shumë ne duhet të bëhemi qendra e re radikale e shoqërisë, hapësira e re ku gjithsecila dhe gjithsecili të ketë mundësi të japë kontributin e vet. Hapësira e re ku qenia ose jo anëtar i PSSH, nuk përbën një parakusht për të garantuar dëgjimin e opinionit tënd. Një hapësirë e re ku të gjithë pa asnjë përjashtim janë të ftuar të kontribuojnë.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm