Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e plote e Kryetarit te PSSH, Edi Rama ne prezantimin e Rrjetit te Vullnetareve

Fjalime

Fjala e plote e Kryetarit te PSSH, Edi Rama ne prezantimin e Rrjetit te Vullnetareve

17 Dec 2008    
18 vjet më parë një ëndërr e ndaluar nxorri në rrugë qytetarët. 18 vjet më vonë e njëjta ëndërr e parealizuar kërkon rrugë. Shqipëria europiane është ëndrra jonë, sfida dhe detyrimi ynë është ta ndërtojmë Europën këtu, në vendin ku jetojmë, në cerdhet, kopshtet, shkollat, spitalet e rrugët tona, në institucionet e shtetit të të gjithëve dhe në hapësirën e konkurencës së lirë e të ndershme për secilin.

Kjo është një sfidë qytetare, që kërkon një politikë qytetare.
Faleminderit me gjithë shpirt, të gjithëve, që keni ardhur sot për të celur në këtë atmosferë frymëzuese kapitullin e ri të politikës së qytetarëve, duke u bërë vullnetarë të ndryshimit, zëdhënës të nevojës për ndryshim, lajmëtarë të rrugës së ndryshimit. Ju falenderoj përulësisht për mbështetjen e kurajon e jashtëzakonshme që më jepni duke shkruar emrin tuaj dhe duke vënë në dispozicion energjinë e kohën tuaj, për të shpërndarë kudo frymën e politikës së re të Partisë Socialiste. Por, mbi të gjitha, ju falenderoj për faktin që ju nuk keni frikë të besoni se ky vend mund të bëhet, se një shpresë e re mund të hyjë në shtëpitë tuaja, ku prej vitesh hyn politika e urrejtjes mes politikanëve dhe e shpërfilljes së qyetarëve, se një rrugë e re mund të hapet për secilin prej jush, këtu, në atdheun tonë të premtimeve të pambajtura.

Besimi që ju ka sjellë në këtë takim njerëzish të lirë, nga Fresh-i, rinia shkollore apo universitare e paangazhuar deri dje, Forumi i Grave, shoqëria e re civile e kryeqytetit, mund të na cojë vertet larg. Mbjellja e farës së këtij besimi në cdo zemër, në cdo rrugë, lagje, qytet e fshat të Shqipërisë, kudo ku jetojnë miliona njerëzit që e dëshirojnë ndryshimin, po kanë humbur shpresën, do të bëjë të mundura gjëra që sot duken të pamundura. Transformimi i kësaj bërthame energjie dhe shprese të re që ju mishëroni sot, në një rrjet vullnetarësh që do të përcojë në muajt në vijim, anembanë vendit, fuqinë e ndryshimit, do të na cojë jo vetëm në fitoren e zgjedhjeve, po edhe në ndarjen e shumëpritur me të shkuarën ku vazhdojmë të jetojmë prej 17 vjetësh. Zgjedhjet e qershorit të ardhshëm nuk janë zgjedhjet e mia, po zgjedhjet tuaja. Fitorja e tyre ka të bëjë me sfidën time personale, aq sa c'ka të bëjë edhe me sfidën e secilit prej jush, në një kohë sfidash të mëdha kur Shqipërisë i duhet me patjetër një rrugë e re. Nuk na duhet një fitore për të cuar në pushtet disa njerëz në vend të disa të tjerëve, po një pushtet që të na cojë në fitoren e këtyre sfidave që s'mund t'ua lemë të tjerëve. Askush në vendin tonë, askush më mirë se ne, askush më vonë se sot, s'mund t'i ketë shanset dhe mundësitë që të përballet me sukses me varfërinë, papunësinë, injorancën, dhunën, korrupsionin.

Ka vite që politika vetëm flet për këta armiq realë të familjeve shqiptare, ndërkohë që varfëria pushton përditë shtëpi të tjera shqiptarësh. Politikanët kacafyten prej vitesh me njëri-tjetrin se kush i lufton më shumë këta armiq të kudondodhur, ndërkohë që papunësia shton rradhët kilometrike të shqiptarëve të cilet s'kanë të drejtën e jetesës me një punë të ndershme. Prej vitesh qeveritë e vendit tonë i lenë vendin njëra-tjetrës pa ndryshuar thelbin e politikave të falimentuara, të cilat shtojnë tash 17 vjet barrën e vështirësive mbi kurrizin e shqiptarëve, ndërkohë që injoranca përparon drejt foltoreve, karrigeve e rrogave të paguara me taksat e qytetarëve, ndersa analfabetizmi zgjeron njollën e tij të zezë mbi hartën e Shqipërisë. Pasiguria rritet vit pas viti në rrugë, në punë, në festë, cmimi i jetës ulet cdo ditë në shfaqjet më absurde të mungesës së shtetit, ndërkohë që pushteti shfaqet ekskluzivisht si arbitraritet kërcënues ndaj cdo forme të konkurencës.

Këto vitet e fundit shënojnë edhe deformimin më kulmor të keqqeverisjes, nën diktatin e interesave të korrupsionit që menaxhohen prej një grushti pushtetarësh e klientësh të tyre, të cilët për tutor kanë personalisht kryeministrin e Shqipërisë, njeriun që në 2005-ën u ringjit në krye të vendit për të qeverisur me duar të pastra dhe në 2009-ën do të zbresë nga aty për shkak të një mali me punë të pista. Për shkak të këtij degradimi zhgënjyes deri në neveri të jetës politike, janë shtuar jashtëzakonisht shumë qytetarët që i kanë kthyer shpinën vetë politikës, duke lënë pas një boshllëk gjithnjë e më të madh, të cilin e mbushin me babëzi paralizuese zanatcinjtë e politikës së vjetër të gënjeshtrave dhe tregëtarët e paskrupullt të titujve të mëngjezit, partitë e krijuara për kryetarët dhe qeveritë e sajuara për të mbajtur partitë, parlamentarët e trafikuar që shesin mandatin dhe trafikantët e influencës që blejnë parlamentarët, debatet e përditshme pa lidhje me jetën e njerëzve dhe lajmet për jetë njerëzish që humbin përditë, ndërkohë që një shumicë gjithnjë e më e madhe varfërohet cdo ditë e më shumë dhe një pakicë gjithnjë e më vogël pasurohet dita-ditës më shumë.

Është koha që asnjëri të mos e lerë vendin bosh. Asnjë qytetar të mos kthejë shpinën nga politika e politikanëve, e cila me qytetarët përballë e ka shumë më të vështirë të bëjë dëmet që na bën. Asnjë nga ju të mos gabojë, duke harruar që të mos merresh me politikën do të thotë ne fakt ta lejosh atë të bëjë c'të dojë me ty. Është koha që askush nga ju të mos kursehet për t'i dhënë politikës përmasën e ëndrrave dhe shpresave të veta. Është koha për një politikë të re të qytetarëve, me qytetarët, për qytetarët.

Na takon neve t'i japim jetë asaj duke kujtuar në cdo hap dhe duke u treguar të gjithë atyre që takojmë, faktin e thjeshtë se politika ka lindur për t'u dhënë njerëzve mundësinë të zgjidhin së bashku probleme që të vetëm nuk i zgjidhin dot kurrë.

Politika nuk ka lindur si një skenë ku një grusht burrash shahen e kacafyten dhe ku fiton ai që bërtet më shumë.

Ajo është një hapësirë ku njerëzit zgjidhin së bashku problemet bashkëjetesës së tyre në një vend, duke përmirësuar jetën e secilit. Na takon neve, së bashku, që me fuqinë e ndryshimit të shumëdëshiruar ta krijojmë këtë hapësirë, duke nxitur pjesëmarrjen e sa më shumë qytetarëve në të, duke i hapur rrugë me forcën e një bashkimi të ri qytetarësh idealeve e ideve tona të reja për Shqipërinë dhe duke promovuar me zell e durim një kulturë të re sjelljeje e komunikimi.
Ne duhet t'i japim jetë një beteje të paparë gjermësot me varfërinë, papunësinë, injorancën, dhunën e korrupsionin, duke i dhënë politikës pasionin qytetar e atdhetar, shpirtin e kundërshtimit ndaj statukuosë dhe përkushtimin ndaj të vërtetave të thjeshta të njerëzve që nuk kanë zë.

Ne duhet ta nxjerrim Shqipërinë nga kriza e shumanshme, në rradhë të parë nga kriza e besimit.Së bashku do t'ia dalim duke filluar nga fitorja e vitit 2009.
Ne duhet t'i japim dinjitet shtetit tonë dhe liri lëvizjeje në të gjithë Europën shtetasve shqiptarë. Së bashku do t'ia dalim duke e hequr shtetin e të gjithëve nga kthetrat e interesave personale, partiake e klanore të atyre që qeverisin dhe duke siguruar
liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët, në rradhë të parë për të rejat e të rinjtë. Ne duhet t'i japim cdo fëmije mundësinë e një shkollimi dinjitoz pavarësisht nëse ka lindur në Tiranë apo në fshatrat e Kukësit ose Tepelenës. Së bashku do t'ia dalim duke mos lënë asnjë fëmijë pa libra e pa mësues. Ne duhet t'i bëjmë gjimnazet e universitetet tona hapësira të konkurencës e të meritës dhe duhet të garantojmë investimet e cdo familjeje për nxënësit e studentët. Së bashku do t'ia dalim, duke i dhënë secilit mundësinë që i takon me bindjen se arsimimi është politika më e mirë ekonomike. Ne duhet të garantojmë ushqimin normal të familjeve shqiptare, duke synuar një nivel të arsyeshëm cmimesh në raport me të ardhurat. Së bashku do t'ia dalim, në radhë të parë duke kthyer vëmendjen nga bujqit e fermerët shqiptarë dhe duke mos e lënë më fshatin shqiptar në mëshirë të fatit. Ne duhet të mundim papunësinë dhe s'duhet të lejojmë që të rejat e të rinjtë të sorrollaten gjithë ditën rrugëve e kafeneve pa mundur të gëzojnë të drejtën e të jetuarit me punë. Së bashku do t'ia dalim duke cliruar konkurencën, duke nxitur sipërmarrjen dhe duke rritur arsimin profesional. Ne duhet të bëjmë një Shqipëri të mirë me fëmijët e me më të rinjtë dhe së bashku do t'ia dalim. Padyshim nuk janë pak ata që mund t'i dëgjojnë këto fjalë me mosbesim. Fundja, fushata elektorale po afron dhe të gjithë, si gjithnjë prej 17 vjetësh, bëjnë premtime për të marrë votat dhe pastaj me votat që marrin bëjnë cdo gjë tjetër përvec mbajtjes së premtimeve. Por kjo e vërtetë aspak e këndshme, nuk është një arsye më pak, po një arsye më shumë, për të mos e lenë fushatën që po vjen në duart e politikanëve dhe për të mos i falur politikës së vjetër të premtimeve të pambajtura një tjetër shans që demokracia u'a jep qytetarëve. Kjo fushatë duhet të jetë e juaja, e të gjithëve si ju. Këtë fushatë duhet ta shohim si një mjet për t'i dhënë jetë politikës së qytetarëve, për të formuar një rrjet qytetarësh të vetëdijshëm për sfidat e përbashkëta dhe të gatshëm për t'i dhënë fuqinë e tyre ndryshimit, me bindjen se asgjë nuk është e pamundur nëse bëhemi bashkë. Unë jam këtu për t'ju thënë se jam në dispozicionin tuaj dhe të të gjithë atyre që si ju duan një bashkim të ri qytetarësh dhe jo një pazar të vjetër kryetarësh. Jam këtu për t'ju thënë se politika jonë e vjetër, me zakonet e kufizimet e saj të rënda, me dasitë e mllefet e saj, me pushtetet që ndryshojnë ngjyrat e qeverive dhe fytyrat e qeveritarëve pa ndryshuar natyrën e qeverisjes, e ka të pamundur të na japë të tjera rezultate nga këto që na ka dhënë deri më sot. Dua që ta dëgjoni qartë prej meje sot se një fitore përmes kësaj politike, falë mënyrës së vjetër të të marrurit vesh mes zanatcinjsh të pazarit politik dhe me të gjitha pasojat që kjo sjell për vendin e për qytetarët, mua nuk më intereson. Nuk jam këtu për t'u ngjitur me cdo kusht në qeveri bashkë me disa të tjerë dhe për të vazhduar të njëjtin avaz të 17 vjetëve keqqeverisje për shkak të rregullave të vjetra të lojës, po për t'i ndryshuar këto rregulla dhe vetë politikën me bindjen se vetëm kështu mund të ndryshojë rezultati i qeverisjes në të mirë të njerëzve. Njerëzit, ata që mezi nxjerrin muajin dhe shastisen cdo natë nga energjia negative që politikanët përcojnë në shtëpitë e tyre, duan një politikë të re. Atyre nuk u intereson pushteti, madje u interesojnë gjithnjë e më pak ngjyrat e partive. Ata kanë nevojë të dëgjohen nga politika dhe të prekin rezultatet e politikës. Kam takuar me dhjetëra mijëra prej tyre në cdo cep të Shqipërisë dhe janë kushtet e rënda të jetës së tyre, perspektiva e mbyllur e fëmijëve të tyre, fatet e tyre të kërcënuara nga plagët e rënda sociale, që më kanë bindur, në mish e në shpirt, se Shqipëria reale qëndron përtej të majtës e së djathtës. Problemet e njerëzve qëndrojnë të pazgjidhura përtej dasive partiake që politika e vjetër ushqen prej 17 vjetësh, deri në fshatin më të humbur të Shqipërisë, sepse është e paaftë të zgjidhë problemet. Dinjiteti dhe liria e shqiptarëve e shqiptareve qëndrojnë përtej kufijve të vjetër që i mbajnë ata të ndarë e të përcarë, në funksion të interesave të politikanëve dhe në pamundësinë e patolerueshme për të ndërtuar një shtet të paanshëm që s'është as i socialistëve as i demokratëve, po i cdo qytetari e qytetareje, pavarësisht përkatësisë partiake apo ngjyrës së pushtetit të rradhës. Qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për një politikë të re, që t'u japë arsyet për të kthyer faqen e dasisë 17 vjecare dhe për t'u bërë bashkë, me kokën nga e ardhmja, në rradhë të parë si shqiptarë e shqiptare, si prindër, gjyshër, nipër e mbesa familjesh me njëqind halle të lidhura me prapambetjen e Shqipërisë, dhe pastaj edhe si socialistë e demokratë që po njësoj vuajnë mungesën e dritave, të ujit, të punës, të shpresës, pavarësisht se kush është në pushtet. Politika e re është fundi i urrejtjes dhe cinizmit, rënia e barrikadave të interesave partiake, klienteliste e nepotike, hapja e partive ndaj shoqërisë e ndaj së resë, mbyllja e një historie të stërzgjatur fjalësh të ndara nga veprat. Politikanët e vjetër që dalin nga kutia e televizorit vetëm kur u duhen votat dhe që shfaqen në ekran vetëm për të akuzuar, shpifur, fyer njëri-tjetrin, duke u bërë, jo rrallë, shembujt më të shëmtuar për të rejat e të rinjtë, nuk mund ta mbajnë më peng të ardhmen tonë europiane. Ne së bashku mund ta clirojmë të ardhmen nga duart e tyre, mund ta ndryshojmë jo vetëm maxhorancën e ashtuquajtur të djathtë, po edhe vetë matematikën elektorale. Të cilën s'mund ta lemë në dorë të llogarive që kushtëzohen nga numri i kryetarëve të partive majtas e djathtas, po duhet ta shohim si shprehjen e mundshme të një bashkimi të ri, që e kapërcen hendekun 17 vjecar mes politikës së vjetër dhe njerëzve, si shumën e zemrave dhe mendjeve shqiptare, që dalin nga skema e vjetër e përcarjes 17 vjecare për interesat e një grushti politikanësh, si rezultatin e një koalicioni jo midis disa stemash e flamujsh partiakë, po shumë më gjerë se kaq, midis qytetarësh e qytetaresh si ju, të cilët duan të jetojnë në një Shqipëri ku politika të jetë europiane dhe jo vetë pengesa për ta prekur ëndrrën Europë këtu, në atdheun tonë në mes të Europës. Përpara nesh është një mundësi e jashtëzakonshme për të bërë histori, duke treguar se s'jemi as më pak të mencur, as më pak të vullnetshëm, as më pak të gatshëm për të bërë sakrifica sesa fqinjët tanë europianë. Kjo është edhe arsyeja pse Sali Berisha e ka humbur arsyen, ekuilibrin, rrugën, dhe sigurisht edhe arsyeja pse në javët e muajt në vijim ju do ta shihni industrinë e baltës të punojë në ethe të papara asnjëherë më parë për t'u treguar shqiptarëve se ne s'jemi ata që jemi, se ne jemi të zhytur në baltë dhe s'mund ta nxjerrim Shqipërinë nga balta ku e kanë zhytur ata vetë. Por ne nuk do ta humbasim mundësinë që na jepet për t'u ndarë nga Shqipëria e baltës së keqqeverisjes dhe nga balta që lufta për pushtet e disa zanatcinjeve të politikës fut në të gjitha shtëpitë tona. Ne nuk do t'i kundërvihemi baltës dhe mllefit me baltë dhe mllef, po me fuqinë e besimit tonë tek ëndrra që na ka prurë në këtë sallë, të cilën do ta tregojmë qytet më qytet, fshat më fshat, shtëpi më shtëpi, në të gjithë Shqipërinë, ku, ju siguroj, do të gjejmë cdo ditë mijëra si ne dhe pak si ata që me ëndrrën tonë kanë 17 vjet që luajnë lojën bajate të pushtetit të interesave të tyre.
Ne nuk do të rreshtim së ndezuri dritën e shpresës në zemra e mendje shqiptarësh e shqiptaresh të të gjitha moshave, krahinave, përkatësive politike, sepse për ne Shqipëria nuk është e ndarë mes grash e burrash, mes të vjetrish e të rinjsh, mes socialistësh e demokratësh, po e bashkuar në ëndrrën që tetëmbëdhjetë vjet më parë i nxorri njerëzit në rrugë dhe sot kërkon rrugë për të dalë nga duart që e pengojnë të realizohet. Një njeri që ka pushtuar me fuqinë e ëndrrës zemrën tuaj dhe të të gjithë të rejave e të rinjve të botës, Presidenti i sapozgjedhur i SHBA Barak Obama, tha një ditë kur askush nuk e besonte se do të bëhej shpresa e re e Amerikës: Një popull që e do vendin e tij mund ta ndryshojë. Nuk ka rast më të mirë se ky që na japin zgjedhjet e ardhshme për ta provuar këtë të vërtetë të madhe, duke mos e lënë bosh sot vendin që i takon secilit prej nesh në këtë betejë mes të ardhmes dhe së shkuarës.
Ky është rasti juaj miqtë e mi të rinj. Mos e lini të kalojë pa lënë gjurmën tuaj në historinë e re që po fillon.



Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm