Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala e plotë e Kryetarit të PSSH-së Edi Rama në Asamblenë Kombëtare

Fjalime

Fjala e plotë e Kryetarit të PSSH-së Edi Rama në Asamblenë Kombëtare

03 Apr 2007    
Falënderimet e mia më të sinqerta për qytetarët dhe qytetaret e Tiranës, që dje u përgjigjën në një mënyrë mbresëlënëse thirrjes sonë për të shfaqur refuzimin dhe protestën ndaj qeverisë dhe qeverisjes aktuale. Është e udhës që me këtë rast të falënderoj të gjithë ata, që morën pjesë, e manifestimit spektakolar të mbrëmjes së djeshme duke filluar nga kryetari i Asamblesë Kombëtare deri tek sekretarët e PSSH dhe një falënderim i veçantë për Shpëtim Idrizin, Besnik Baren dhe Musa Ulqinin, të cilët u morën intensivisht për të koordinuar të gjitha strukturat e PS të Tiranës, në lajmërimin derë më derë e të gjitha familjeve të kryeqytetit.

Po ashtu një falënderim të veçantë dhe kryetares së Forumit Rinor Eurosocialist, që dje ishte masivisht i pranishëm dhe që luajti një rol të veçantë për të pasur në manifestimin e djeshëm një numër mbresëlënës të rejash dhe të rinjsh të kryeqytetit. Besoj që manifestimi i djeshëm ishte shprehje e aprovimit të gjithë përpjekjes së madhe të PS në ndërtimin e urave të reja të komunikimit me qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi. Unë jam i bindur, që ky manifestim është vetëm shprehja e parë kuptimplotë dhe masive e këtij aprovimi dhe se politika jonë e re e ndërtimit të këtyre urave të komunikimit do të na japë në të ardhmen e afërt sadisfaksione edhe më të mëdha dhe pa asnjë dyshim do të na japë atë, që të gjithë bashkë dëshirojmë realizimin e kushteve, jo vetëm për të fituar zgjedhjet e ardhshme, por edhe për ta kthyer fitoren në një instrument të transformimit rrënjësor të Shqipërisë dhe të jetës së shqiptarëve. Shpresa e re po merr jetë dita ditës sepse ne po ndërtojmë një opozitë të re. Sepse ne po ndërtojmë një politikë të re. Sepse ne po ndërtojmë një përqasje të re duke nënvizuar nëpërmjet aksionit politik në disa plane, se opozita nuk është vetëm pasqyra ku qytetaret dhe qytetarët e këtij vendi shikojnë deformimet e qeverisë dhe të qeverisjes, por është edhe dritarja ku çdonjëri shikon të ardhmen, ku çdonjëri shikon rrugën alternative, ku çdonjëri shikon sesi ndërtohet po ndryshe bashkëjetesa demokratike dhe sesi po i çelet një rrugë më e shpejtë më e drejtë, më e sigurtë progresit të vendit. Kjo është ajo, që ne po bëjmë dita ditës dhe ky është rezultati i një pune kolosale, e cila po kryhet në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Derë më derë tek çdo familje shqiptare në qytet dhe në fshat dhe ditë për ditë në të gjitha debatet e rëndësishme në Kuvendin e Shqipërisë. “Dialogu me Shqipërinë po merr formë dhe po merret përditë e më shumë hapësira ku çdo shqiptar dhe shqiptare, që kërkon ndryshimin e shumëpritur të bëhet pjesë, ku çdo shqiptare dhe shqiptar që kërkon ndarjen nga politika e vjetër e së shkuarës, shkëputjen nga tranzicioni i dështimeve të njëpasnjëshme të 17 vjetëve dhe hapjen e një rruge të re të mund të kontribuojë drejtpërdrejt me shprehjen e shqetësimeve dhe me idetë dhe sugjerimet e veta. “Dialogu me Shqipërinë është shprehja e vullnetit të palëkundur për ta kthyer PSSH në një instrument në duart e çdo shqiptare dhe shqiptari, që kërkon të kontribuojë për ndryshim. Për ta kthyer PSSH në një hapësirë, që nuk është vetëm e socialistëve shqiptarë, por është e të gjithë shqiptarëve socialistë dhe progresistë sepse në rast se socialistët shqiptarë janë 70 e disa mijë, shqiptarët socialistë dhe progresistë janë një milion. “Dialogu me Shqipërinë u drejtohet këtyre 1 milion njerëzve dhe njëkohësisht ftojmë dhe të tjerë, që të marrin pjesë dhe të kontribuojnë. Sikundër ka ndodhur në disa tryeza tonat të arsimit ku edhe anëtarë të PD kanë marrë pjesë në cilësinë e mësuesve apo pedagogëve të shqetësuar për krizën e sistemit arsimor. Sepse Dialogu me Shqipërinë dhe politika e re është përpjekja për të ndërtuar një partneritet me qytetarët, për të ndërtuar një hapësirë të përbashkët mes politikës si profesion i disave dhe politikës si një nevojë e çdo qytetare dhe qytetari, që dëshiron të marri pjesë aktivisht në diskutimin për problemet e vendit dhe të japë mendime dhe ide për mënyrën sesi këto probleme mund të zgjidhen. “Dialogu me Shqipërinë dhe politika e re e PS janë shprehja më kuptimplotë e nevojës për një koalicion të madh të ndryshimit, për një koalicion përtej kufijve të vjetër të partive politike, përtej kufijve të vjetër të vet PS, përtej kufijve të vjetër të politikës si një shfaqe e mbyllur në kutinë e televizorit prej shumë e shumë vjetësh dhe për një bashkim të ri të domosdoshëm për t'i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve atë që Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë, Evropën. Evropën si një realitet në qytetet dhe në fshatrat e vendit tonë, si një realitet në klasat e fëmijëve tanë, në çerdhet dhe në kopshtet apo në universitetet shqiptare, të cilat përditë e më shumë kthehen në kontenierë njerëzish, që pavarësisht që u kushtojnë prindërve të tyre kursimet e një jetë plot sakrifica dalin nga dyert e universitetit të sotëm përgjithësisht për të mbushur, apo për të shtuar radhët gjeometrike të pafundme pa asnjë perspektivë dhe pa asnjë program të qartë për mënyrën sesi ky vend duhet të shfrytëzojë dhe të pasurojë burimet e veta njerëzore. Më lejoni t'ju informoj, që gjatë këtyre muajve “Dialogu me Shqipërinë ne kemi bërë shumë e më shumë herë më tepër, se çfarë është e mundur të transmetohet nga ekranet e televizioneve, apo nga tribunat dhe gazetat. Më lejoni t'ju informoj se vetëm për çështjen e arsimit, e një programi të ri për arsimin ne kemi angazhuar rreth 70 tryeza në çdo qytet të Shqipërisë. Afro 3 mijë qytetarë, mësues, mësuese pedagogë në aktivitet, në pension, të larguar nga puna, prindër, fëmijë anëtar bordesh apo edhe nxënës, studentë që dëshirojnë të kontribuojnë drejtpërdrejt për programin e ri të PS, për programin e ri për një arsim shqiptar, që të dalë një herë e mirë nga rrethi vicioz i tranzicionit. Për rrugën tonë të re, e cila është një rrugë që mund, duhet dhe do ta hapim vetëm duke u bërë shprehja e vetëdijes se nuk mund të kemi program te ri, alternativ dhe të suksesshëm për Shqipërinë e re, që duam të ndërtojmë në rast se nuk kuptojmë që një nga arsyet e dështimeve të njëpasnjëshme të tranzicionit ka qënë pikërisht mungesa e një programi solid, konkret, e një programi `në bazë të të cilit duhet të jetë harmonizimi mes specifikës së realitetit tonë dhe eksperiencës më të mirë bashkohore. Më lejoni t'ju them, që në rast se vetëm gjatë muajit kur ne e vumë fokusin e dialogut tek bujqësia, blegtoria dhe zhvillimi në fshat, unë personalisht, unë do të shkoj në 60 fshatra dhe do të takoj rreth 10 mijë vetë dhe më pas ajo që është akoma më e rëndësishme, është se do të ngremë në çdo komunë tryezën e bujqësisë, blegtorisë dhe të zhvillimit rural dhe në rast se do të jenë aq tryeza saç janë dhe komuna të Shqipërisë të paktën 10 mijë vetë njerëz drejtpërdrejt të interesuar për ta ndryshuar në mënyrë radikale situatën e fshatit tonë do të marrin pjesë duke dhënë mendime dhe kontribute të çmuara. Dhe ne do të kemi nga çdo komunë raport mbi gjendjen ekzistuese, mbi potencialet e zhvillimit dhe mbi idetë për të ardhmen e atyre njerëzve. Dhe në raportet e çdo komune ne do të ndërtojmë raportin rajonal për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe fshatit dhe çdo rajon të vendit sipas specifikave e më pas në tryezën kombëtare të bujqësisë ne do të ndërtojmë edhe programin e madh të nxjerrjes së fshatit shqiptar nga kushtet mesjetare dhe dhënie së mundësive për çdokënd, që ka vendosur apo do të vendos të jetojë në tokën e të parëve për të prodhuar dhe për të garantuar me prodhimin e punës së tij të ndershme jo vetëm veten, por edhe qytetin. Për të bëtë të mundur që në vend që t'i paguajë çmimet e produkteve bujqësore me nganjëherë 20-fish më shumë nga sa ato mund të ofrohen nga fshati ynë, qytetarët e këtij vendi të mund të shpenzojnë shumë më pak për ushqimet. Nga ana tjetër të mund të kontribuojnë një frymëmarrje të re për të gjithë bujqit dhe fermerët shqiptarë. Kjo është plotësisht e mundur dhe këtë ne do ta bëjmë realitet. Më lejoni gjithashtu t'ju informoj se në 12 qarqe të Shqipërisë ne kemi filluar punën me tryezat rajonale të mjedisit sepse ne e konsiderojmë luftën për një mjedis tërësisht të ri dhe kuptimin e një përqasjeje të re politikës kombëtare të mjedisit si një prioritet themelor të një Partie Socialiste të shekullit të ri. Dhe sepse ne e konsiderojmë mbrojtjen e mjedisit të lidhur drejtpërdrejt me rritjen e fuqisë ekonomike dhe rritjen e fuqisë blerëse të çdo familjeje shqiptare. Ne nuk mund të pranojmë që dhurata më bujare e Perëndisë apo e natyrës, që kjo Shqipëri e pasur me ujera, kjo Shqipëri me një potencial klimatik dhe turistik të jashtëzakonshëm. Kjo Shqipëri që asetin e vet më të madh ka pikërisht këtë dhuratë të katandiset ne një territor të papërdorshëm dhe në një barrë për fëmijët tanë. Kjo është e patolerueshme. Edhe ne do i vëmë përfundimisht fre këtij degradimi duke e shndërruar këtë potencial në një burim zhvillimi të ri ekonomik dhe shoqëror. Po ashtu dëshiroj të sqaroj me dy fjalë metodologjinë e këtij “Dialogu me Shqipërinë jo për t'u dhënë përgjigje injorantëve, që thonë se programi nuk shkruhet me popullin, por për të theksuar domosdoshmërinë e pikërisht kësaj lidhjeje të drejtpërdrejt me njerëzit aty ku njerëzit jetojnë prej 17 vjetësh me problemet dhe ku problemet prej 17 vjetësh mbeten sheshit dhe prej 17 vjetësh politika e vjetër jo vetëm nuk është në gjendje t'ju japë zgjidhje, por përkundrazi i rëndon ato vit pas viti. Dhe kjo që po bëjmë nuk është një shpikje e jona, por është adaptimi modest në kushtet tona i praktikave të mëdha evropiane dhe botërore në të gjitha ato vende ku këto ndryshime të mëdha si ndryshime, që ne duam të sjellim në jetën e vendit kanë ndodhur falë këtyre partive. Debati publik është niveli i parë, tryezat lokale janë niveli i dytë, tryezat rajonal janë niveli i tretë, tryezat kombëtare janë niveli i katërt dhe debati i madh për draftin e programit, që i takon periudhës së vitit të fundit përpara zgjedhjeve është edhe niveli i fundit i këtij dialogu. Nga ana tjetër vlen të theksohet edhe fillimi i një bashkëpunimi sistematik nga muaji janar me një grup ekspertësh të një niveli më të lartë të Partisë Socialdemokrate gjermane e cila ka shprehur gatishmërinë të na mbështesë pasi ka shqyrtuar pikërisht këtë projekt, projektin e “Dialogut me Shqipërinë. Dhe nga muaji janar komisionet tona, të cilat po bëjnë një punë që nuk është bërë asnjëherë në këto 17 vjet dhe kryetarët e komisioneve tona të asamblesë do të punojnë ngushtësisht me ekspertët e PSD gjermane. Dhe ndërkohë ne po vazhdojmë punën për ngritjen e një rrjeti ekspertësh ndërkombëtar të nivelit botëror dhe të kombësive të ndryshme për të bërë të mundur një zinxhir debatesh ku po ballafaqojmë problemet dhe idetë tona me zgjidhjet që në vende të ndryshme u janë dhënë problemeve me të cilat ne do të përballemi dhe do t'i zgjidhim me anë të një qeverie dhe qeverisjeje të re. Ajo që vlen të theksohet është, se opozita jonë është laboratori i alternativës qeverisëse, i alternativës qeverisëse si program, i alternativës qeverisës e si projekt politik, si alternativë qeverisëse si një sjellje e re e përfaqësuesve të popullit me qytetarët e këtij vendi në të gjitha nivelet. Nuk mund të ketë alternativë të re qeverisëse në rast se, nuk ka një politikë të re në raportin me qytetaret dhe qytetarët. Një politikë e re në themel të së cilës qëndron vetëdija se çdo mandat përfaqësimi është një kontratë të cilën askush nuk mund të lejohet ta shkelë për asnjë arsye që nuk ka të bëjë me interesa e madha të publikut të gjerë, me angazhimet e drejtpërdrejta të marra me qytetarët votues. Me programin e kësaj force politike e cila po mëshiron dhe do të mëshirojë përditë e më shumë aspiratat e shumë më tepër sesa e atyre që janë pjesë e drejtpërdrejt e jona. PSSH po bëhet hapësira e një kulture të re të punës dhe të kontributit të drejtpërdrejt me punën. Kjo kulturë e re është diametralisht e kundërt me kulturën e vjetër të faktorizimit, në thonjëza nëpërmjet shfaqjeve të pakënaqësisë për të krijuar thjesht dhe vetëm komoditet personal apo të arrihet për të vendosur karrigen thjesht dhe vetëm për vetveten. Kultura e vjetër e faktorizimit, në thonjëza nuk ka më asnjë vend në PSSH dhe PSSH do të vazhdojë të shkëputet me vendosmëri nga kjo kulturë vjetër. Do të vazhdojë të ecë me vendosmëri drejt afirmimit të një kulture të re të punës për të qenë nesër një qeveri edhe një forcë qeverisëse, që afirmon të drejtën e të jetuarit me punë të ndershme, si një e drejtë themelore e çdo shqiptari dhe shqiptare dhe shembullin e punës së palodhur. Si një shembull të domosdoshëm për çdo përfaqësues të Partisë Socialiste të Shqipërisë në të gjitha nivelet. Kjo është kërkesë e shqiptarëve dhe ky është angazhim i yni përpara shqiptarëve. Doja më këtë rast ti shpreh falënderimet e mia të gjithë grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryetarit të grupit parlamentar,Valit, nënkryetarit dhe zëdhënësit të grupit parlamentar Erionit, Arbenit dhe Musait, që po bëjnë një punë të shkëlqyer në drejtimin e grupit parlamentar dhe në krijimin e një hapësire të krijimit intensiv me qytetaret dhe qytetarët e këtij vendi për të gjitha përpjekjet dhe aktet, që mazhoranca aktuale paraqet në Kuvendin e Shqipërisë dhe që sipas nesh bien ndesh me vizionin dhe nevojat e Shqipërisë evropiane. Është ky falënderim jo vetëm shprehje e një realiteti, por edhe një detyrim moral që të gjithë ne kemi ndaj drejtuesve të grupit parlamentar në kushte kur e dimë fare mirë, se çfarë vështirësish ka paraqitur realiteti kompleks i këtij grupi, që është pa më të voglën e dyshimit rezultati i projektit të dështuar të vitit 2005. Nga ana tjetër dëshiroj, që të theksoj nevojën që e gjithë puna e kryer në grupin parlamentar dhe gjithë kontributi i dhënë përditë nga drejtuesit e grupit të jetë e dokumentuar qoftë në faqen zyrtare të Partisë socialiste, në Internet, por edhe në shtypin e shkruar sepse vlen shumë që ky komunikim të shtrihet në të gjitha nivelet dhe të bëhet i ditur për sa më shumë qytetarë. Nga ana tjetër pikërisht për kontributin e dhënë në drejtim të arkivimit dhe të publikimit të këtij komunikimi, unë dua që të falënderoj Saimir Tahirin, drejtuesin e fondacionit “Qemal Stafa, që është një realitet i ri dhe që po kthehet në një hapësirë të re për ti dhënë cilësi debatit politik dhe për ti dhënë cilësi punës tonë të përditshme më ndërtimin e alternativës së re. Së fundi sot Asambleja Kombëtare është e ftuar që të aprovojë një propozim të ri të organizimit të punës për çdo anëtar të saj në raport me anëtarësimin socialist. Një organizim i ri që vjen si rezultat i një reflektimi mbi punën e bërë gjer sot në pikëpamjen organizative. Si dhe i domosdoshmërisë për të afirmuar kulturën e punës, kulturën e vullnetarizmit, kulturën e pasionit politik. Çdo anëtarë dhe anëtare e Asamblesë Kombëtare duhet të jetë i vetëdijshëm se ka një mandat, jo thjesht për t'u ulur në karriget e këtij auditori një herë e në tre muaj, por për të qenë pranë socialisteve dhe socialistëve shqiptarë në mënyrë sistematike. Përfitoj nga rasti t'i falënderoj me mirënjohje të thellë të gjithë anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare që gjatë gjithë kësaj periudhe kanë dhënë një kontribut të shkëlqyer, duke qenë në të gjitha takimet e organizatave socialiste ku janë të deleguar, deri në fshatrat më të largët. Kjo është kultura e re e punës dhe e vullnetarizmit. Ne jemi sot, në mes të rrugës sonë për t'u kthyer në qeverisjen e vendit dhe për ta çuar vendin aty ku shqiptarët presin prej 17 vjetësh. Por, kjo do të jetë e mundur vetëm nëpërmjet pasionit të madh politik të gjithsecilit që ka një mandat në Partinë Socialiste, nënkryetarë dhe kryetarë të organizatave deri tek kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Pra, vlen të theksohet këtu që çdo anëtare dhe anëtar i Asamblesë duhet që në këtë platformë që do të propozojë sekretari i organizimit, të cilin gjithashtu e falënderoj për një punë kolosale në të gjithë territorin e Shqipërisë, në komunikimin me qindra e qindra organizata socialiste dhe që është platformë që ka në themel nevojën, që anëtarët dhe anëtaret e Asamblesë të kuptojnë dhe të veprojnë në funksion të familjes socialiste. Përtej kufijve të territorit të vogël ku janë zgjedhur dhe për t'i dhënë një përmasë të re punës me njerëzit, punës me organizatat socialiste. Zgjedhjet e reja në organizatat socialiste në fillim të vitit që vjen janë sfida jonë për një ripërtëritje rrënjësore të gjitha organizatave socialiste, që do të thotë për një realizim sa më të përsosur të objektivit tonë. Për të pasur organizata socialiste aktive, organizata socialiste të balancuara në raporte moshore sipas asaj filozofie që ne kemi për të bërë Partinë Socialiste një forcë të paktit ta madh të gjeneratave. Pakt gjeneratash që do të jetë nesër në qeverinë tonë, guri i themelit në të gjitha politikat që kanë të bëjnë me moshën e tretë dhe për ta bërë çdo organizatë socialiste të aftë të përballojë konkurrencën brenda për brenda partisë. Njëkohësisht konkurrencën në fushën e betejës zgjedhore. Që do të thotë që këto zgjedhje do të jenë një hap tjetër drejt ndryshimit të Partisë Socialiste, e cila do ti marri votat e shqiptarëve në shumicë sepse do të paraqitet para shqiptarëve si një forcë, që mëshiron pasionin e ndryshimit dhe që këtë mëshirim do ta kthej në një pasion për të ndryshuar Shqipërinë. Zgjedhësit kanë nevojë, që të shohin tek ne forcën e ndryshimit, që ndryshon përditë për tu bërë shprehja më kuptimplotë e një shoqërie në ndryshim të vazhdueshëm, qeveritë e së cilës për fat të keq nuk kanë qenë në gjendje të jenë pjesë e këtij ndryshimi të vazhdueshëm. Dhe në këtë kuptim edhe procesi i ripërtëritjes, i vetëpastrimit dhe i bashkimit të Partisë Socialiste me të gjithë qytetarët dhe qytetaret socialistë dhe progresistë, që nuk kanë nevojë për të qenë anëtarët Partisë Socialiste për të qenë njësoj të respektuar nga Partia Socialiste, e cila di të respektojë çdo qytetarë dhe qytetare të këtij vendi pavarsisht përkatësive partiake. Dhe së fundi dëshiroj ta mbyll duke shprehur bindjen time të plotë, se në shoqërinë shqiptare, po zë vend vetëdija e një politike të re. Po zë vend bindja se Partia Socialiste e Shqipërisë është e vendosur që t'ju japi shqiptarëve dhe shqiptareve politikën e re. Në shoqërinë shqiptare po zë vend një shpresë e re. Këtë shpresë të re ne duhet ta ushqejmë, duke kontribuar çdo ditë e më shumë, duke i përkushtuar çdo ditë edhe më shumë energji morale, shpirtërore dhe intelektuale projektit tonë politik duke e bërë përditë edhe më shumë shprehje e asaj qytetarie të re. Që qytetaret dhe qytetarët e këtij vendi, që shoqëria shqiptare ka nevojë të shoh tek politikanët e vendit, shprehje e një raporti tërësisht të ri me shoqërinë. Ne do të jemi partia e shoqërisë së re shqiptare.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm