Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala hyrëse në Kongresin e 18 prillit 2010 e deputetes Arta Dade

Fjalime

Fjala hyrëse në Kongresin e 18 prillit 2010 e deputetes Arta Dade

18 Apr 2010    

Të dashur delegatë,
Të nderuar miq e të ftuar,
Të nderuar aleatë të sfidës sonë të përbashkët,
Shkëlqesi Ambasadorë dhe Përfaqsues të trupit diplomatik;
I nderuar Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë,
Kam nderin t’ ju uroj sot mirëseardhjen në Kongresin e Partisë Socialiste të Shqipërisë. 
Ky Kongres mbahet kur Shqipëria përjeton momente tejet të vështira të historisë sonë të  shkurtër të demokracisë. Është ky  momenti kur pushteti i dalë nga deformimi i vullnetit të sovranit dhe nga njësimi i shtetit me pushtetin, po uzurpon të gjitha hapësirat demokratike e ekonomike në Shqipëri, kur Sali Berisha kryeministër po  realizon ëndrrën e vjetër të Saliut President, ku shqiptarët e shqiptaret vuajnë varfërinë, papunësinë, shtrenjtimin e papërballueshëm të jetesës, ku institucionet e pavarura e gjejnë veten nën trysninë e jashtëzakonshme e shantazhin e pushtetit, ku shteti i së drejtës ka rreshtur së ekzistuari, dhe europianizimi e integrimi i vendit janë kompromentuar rëndë nga ky pushtet që flet çdo ditë për NATO-n e BE-në por që me NATO-n e BE-në nuk ka asgjë të përbashkët.
Të dashur miq, fatet e së ardhmes së vendit ndodhen sot në  udhëkryq. Ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, si forca politike që udhehiqet nga parimet e patjetersueshme të demokracise funksionale dhe europianizimit të  vendit, kemi sot detyrimin dhe përgjegjësinë e madhe përballë shqiptarëve të ngrihemi mbi interesat e ngushta politike dhe t’i kundërvihemi arrogancës, dhunës dhe autoritarizmit të pushtetit të vjedhur në 28 qershor, jo në emër të interesave të ngushta dhe pazareve meskine, por në emër të së ardhmes demokratike e europiane të Shqipërisë. Sot Partia Socialiste e aleatët e saj, në krye të shumicës së shqiptarëve po manifeston pjekuri, qëndresë e koherencë në betejën për  t’i dhënë fund keqqeverisjes që buron nga deformimi i vullnetit të zgjedhësve, e mohimi i transaprencës. Ky kongres do te marrë vendime të rendësishme eper fazën e mëtejshme të betejës sonë.
Të dashur delegatë,
Me përkushtimin dhe punën tuaj të palodhur, në kushtet e presioneve dhe shantazheve të pushtetit, të paimagjinueshme për një vend demokratik, ju keni garantuar suksesin e aksionit të Partisë Socialiste për transparencën, demokracinë dhe adresimin e situatës së rëndë ekonomike në vend.
Diskutimet, debatet dhe propozimet tuaja për ndryshimet statutore kanë dhënë një kontribut të patjetërsueshëm në funksionimin dhe konsolidimin e demokracisë së brendshme, në reformimin dhe ristrukturimin që e bëjne forcën tonë më të aftë për tu përballur me betejat e ardhshme politike e elektorale.
Ky kongres gjithashtu do të prezantohet me linjat e përgjithshme të projekt programit politik, i cili do të jetë pjesë e diskutimit të gjerë jo vetëm brenda strukturave të partisë dhe tryezave me specialastë, por edhe segmenteve dhe grupimeve të shoqërisë, të cilët do të ftohen për ta pasuruar me ide dhe sugjerime.
Në këtë Kongres PSSH vjen me statusin e anëtarit (të asoc.) të PSE dhe Rama anëtar i Presidencës së PSE. Kjo marrëdhenie e re e bën PSSH partnere serioze dhe dinjitoze të social demokracisë europiane dhe më gjerë. Dëshrojmë ti falënderojmë sinqerisht partnerët tanë europianë për vlerësimin dhe besimin që na kanë dhënë, për mbështetjen e tyre të vazhueshme e solidaritetin e treguar në kauzën e Partisë Socialiste për të shpëtuar demokracinë e brishtë shqiptare.
Kongresit i kanë ardhur mesazhe urimi dhe mbështetjeje nga personalitete të Internacionales Socialiste, grupit socialist dhe demokrat në PE, si edhe liderë të partive anëtare të PES-it.
Një falenderim i vecantë i shkon po ashtu, Presidentit të Internacionales Socialiste dhe kryeministrit të Greqisë, zotit Jorgo Papandreu për mesazhin që i ka dërguar kongresit.
Dëshiroj të falenderoj po ashtu sinqerisht kryetarin e Partisë Socialdemokrate gjermane zotin Zigmar Gabriel që i ka dërguar një mesazh personal kryetarit të PS, z. Edi Rama për suksese në Kongres dhe në drejtimin e partisë për avancimin e proceseve integruese të Shipërisë në BE.
Gjithashtu mesazhe kanë ardhur nga social demokratët austriakë, danezë dhe rumunë si edhe nga socialistët francezë. Mesazhe kanë mbërritur nga personalitete të grupit socialist dhe demokrat në parlamentin europian si edhe nga partia e socialistëve europianë dhe përfaqësues të rinisë.
Shpreh keqardhjen që shumë nga miqtë tanë ndërkombëtarë që konfirmuan pjesëmarrjen e patën të pamundur të jenë sot këtu me ne, si pasojë e pezullimit të një sërë fluturimesh nga Europa.
Një falenderim i veçantë u shkon të gjithë këtyre miqve të Partisë Socialiste.
Më lejoni që kongresin ta deklraojë të hapur.
Për drejtimin e punimeve propozojmë që të ketë një presidium prej 17 delegatesh dhe delegatë.
 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm