Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetes së PS, Mimi Kodheli

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetes së PS, Mimi Kodheli

01 Jul 2010    


Të nderuar kolegë deputet,

 

Në këto ditë të para të korrikut mbushen 20 vjet nga ajo kohë kur Shqipëria dhe shqiptarët me shpresën dhe besimin e një populli dinjitoz, vendosën të ndahen nga e kaluara dhe të nisin rrugën drejt ndërtimit të demokracisë dhe integrimit në Bashkimin Europian. Ishin të shumtë ata që asokohe besuan me idealizmin dhe naivitetin e një populli që për here të parë prekte lirinë pas dekadave të gjata të diktaturës, se kjo do të ishte një rrugë e lehtë dhe e shpejtë. Por ja ku jemi sot, 20 vjet më vonë, ndërkohë që një brez i tërë ka lindur e është rritur pa jetuar as edhe një ditë të vetme nën diktaturën komuniste dhe Shqipëria është ende shumë larg realizimit të ëndrrave te saj.

 

Sot, 20 vjet më pas, me gjithë retorikën e kryeministrit, Shqipëria është ende e varfër dhe shqiptarët janë ende populli më i varfër në Europë. Sot  Shqipëria është po aq larg ndërtimit të një demokracie funksionale dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës sa ç’ishte dhe dy dekada më parë.

 

Dhe sot 20 vjet më vonë Shqipëria gjendet në zgripin e një krize të gjithanshme që përbën komentin më të hidhur të mungesës së maturisë demokratike dhe pazotësisë menaxhuese.

 

Dje është publikuar raporti më i fundit i Freedom House i cili vlerëson nivelin e demokratizimit dhe performancën demokratike të një numri vendesh në tranzicion. Për fat të keq, raporti i Freedom House parashtron një sërë problemesh serioze mbi situatën e demokracisë në Shqipëri, si dhe ngre një sërë pikëpyetjesh shqetësuese mbi tendencën në rënie që po ndjek zhvillimi demokratik i vendit nën qeverisjen e Berishës dhe te mazhorancës së djathtë.

 

Po mbushet tashmë viti që nga kur vendi gjendet në një krizë të rëndë politike. E kjo krizë zotërinj, nuk kaloi dhe nuk do të kalojë vetëm me futjen e opozitës në parlament; kjo krizë e cila ndihet nga të gjithë ne, është një krizë që nuk mund të fshihet e mbulohet as me propagandë, as me slogane, as me abuzime me lajmin e pushtetin, as me abuzime me paranë publike e shifrat.

 

Kjo krizë ka një kosto për demokracinë në vend. Ka një kosto të paimagjinueshme për sistemin e drejtësisë që sot është katandisur në një vegël të kësaj qeverie, e cila e sheh kontrollin mbi drejtësisë si mënyrën e vetme për t’i shpëtuar përballjes me ligjin.

 

Por kjo krizë ka dhe një kosto shumë të lartë për ekonominë, pasi në përpjekjet e saj të dëshpëruara për të ruajtur pushtetin e grabitur, me paaftësinë dhe korrupsionin e saj qeveria po e çon ekonominë në një qorrsokak, pasojat e të cilit po i vuan dhe do t’i vuaj çdo shqiptar i thjeshtë e i ndershëm i këtij vendi, që ende sot, si 100 vjet më parë vazhdon të mbetet më i varfëri në Europë.

 

Të gjitha veprimet e dëshpëruara të qeverisë së sotme i tregojnë qartë çdo shqiptari papërgjegjshmërinë e një kryeministri që as nuk do as nuk mundet ta zgjidhë krizën.  

 

Qeveria e tij ka dalë të lypë para nëpër rrugë. Eurobondi që erdhi si “barka e shpëtimit”, është abandonuar tashmë; ndërsa trysnia është transmetuar te bankat e nivelit të dytë që po financojnë defiçitin buxhetor të qeverisë dhe po braktisin kredinë për biznesin vendas.

 

Që prej 1 janarit të vitit 2010, qeverisë i mungojnë 12,4 miliardë lekë në arkën e shtetit, nga vjelja e munguar e të ardhurave tatimore.

 

Që prej 1 janarit deficiti buxhetor është 11,6 miliardë lekë duke tejkaluar me 55 % edhe vetë programin e qeverisë.

 

Që prej 1 janarit qeveria Berisha duhet te kishte paguar 1,1 miliard lekë kompensim ish-pronarëve, të përndjekurve dhe atyre që kompensohen për energjinë, ndërkohë që qeveria rrit pensionet me 6,000 lekë pasi ka rritur me 30,000 lekë faturën e energjisë.

 

Sikur paratë tona të përdoreshin aty ku duhet dhe ashtu siç duhet, ka shumë të ngjarë që ekonomia shqiptare të mos vazhdonte të rreshtohej në mënyrë të dhimbshme, e fundit në Ballkan, e fundit në Europë.

 

Sikur zgjedhjet e para një viti të mos ishin ato që pamë dhe sikur kriza që rrodhi nga manipulimi dhe vjedhja e votave të na shërbente për rritjen e demokracisë në këtë vend, mbase nuk do të ishim të fundit në listën e vendeve që u hiqen vizat.

 

Nga ana tjetër, opozita, si një alternativë serioze dhe e vërtetë qeverisëse nuk mund të mos vërë në dukje dhe të përpiqet të ndalojë me të gjitha mjetet demokratike, keq-qeverisjen dhe papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie, nuk mund të mos ngrejë alarmin për treguesit makro-ekonomike të vendit që po përkeqësohen në mënyrë dramatike, nuk mund të heshtë përpara abuzimeve me pushtetin. Ne nuk mund të mos rrimë pa folur kur bizneset janë në ditë të hallit e kur familjet shqiptare, në mes të Europës, nuk arrijnë dot të sigurojnë bukën e përditshme të fëmijëve.

 

Çdo shqiptar kërkon sot, me të drejtën e Zotit, të dijë se çdo të bëhet me të ardhmen e tij dhe të familjes së tij. Çdo shqiptar kërkon sot transparencë me votat, transparencë me shifrat,transparencë me drejtësinë dhe me çdo transparencë që këtë vend do ta afronte sado pak me Europën.

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm