Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetes Mimi Kodheli

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetes Mimi Kodheli

04 Mar 2013    
Gjatë kohës që lexoja më shumë vëmendje proces-verbalin e mbledhjes së sajuar shpejt e shpejt, të Komisionit të Ekonomisë, mbledhje kjo në shkelje të plotë të çdo rregulloreje të parlamentit, më erdhi ndër mend një Projekt pa produkt i Bashkimit Europian që vlen 2 milionë Euro (para’ të taksapaguesve europiane), Projekt i cili kërkon të europianizojë dhe bëje transparente sado pak, mënyrën e organizimit dhe procedurat e jetës së brendshme parlamentare.

Me mbledhjen e turpit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, atë të ditës së enjte me keqardhje më duhet t’iu them kolegë, se nuk ka çfarë t’iu duhet as profesionalizmi dhe as dashuria për pasuritë e këtij vendi. Ju del dhe ju tepron MILITANTIZMI.

I them publikut se përveç një kundërshtie të rreptë të bërë nga kolegu Brace, në respekt të procedurave dhe të detyrimit që qeveria ka për të informuar deputetët,  e gjithë mbledhja ishte një turp i madh.

Flasim sot për privatizimin e 4 HEC-eve, Bistrica 1 e 2 dhe Ulëz-Shkopet. Privatizimi i këtyre veprave publike nuk është në të mirë të shqiptarëve, nuk është në të mirë të vendit as në të mirë të buxhetit të shtetit, aspak në favor të të ardhmes tonë.

Duke privatizuar këto katër hidrocentrale, qeveria nuk bën asgjë tjetër veçse zvogëlon prodhimin publik të energjisë elektrike, me 550 milionë KWh (ose 0.55 miliardë KWh) në vit. Sot KESH-i importon ose blen çdo vit energji elektrike në masën 1.5-2.5 miliardë KWh.

Me shitjen e këtyre katër HEC-eve dhe në kushtet kur situata financiare energjitike ka tejkaluar dëmin e çdo tsunami natyror (le të kujtojmë këtu që borxhet në këtë sistem mbërrijnë në mbi 1.2 miliardë euro), nuk e di se ku do t’i gjejë qeveria paratë për të blerë diferencën në çmim që do të krijohet pas privatizimit. Pasi KESH, siç edhe dihet, e blen energjinë tek private me 9 lekë dhe ja shiste CEZ-it, sot nën administrim qeveritar pas një tjetër dështimi në privatizim, me 2 lekë. Diferenca 7 lekë. Dhe diferenca është 30 milionë euro para nga xhepat tanë për çdo vit.

Madje nëse nga çmimi i shitjes së Ulzës dhe dy Bistricave do të zbriteshin dhe 23 milionë euro kredi, që janë marrë për rehabilitimin e tyre, por që qeveria ja ngarkoi KESH-it për të shlyer, shifra 30 milionë rritet duke i kapërcyer të 50 -at para që do merren nga xhepat e shqiptarëve.

Po qeveria nuk do t’ia dijë fare për këtë. Po fare fare! Pasi asaj i duhen ca para nga zhvatja sot, sepse midis punëve të pista me duar të pastra, ka edhe zgjedhje për të bërë. I duhet të dalë me thesin e zi me para një natë përpara votimit, që të mund të na blejë. Dikë për një copë bukë e dikë tjetër për pak më shumë se kaq.

Por ndërkohë, pas disa muajsh ne do të fillojmë të paguajmë një super faturë tjetër. Atë të 50 milionë eurove vetëm pse qeveria privatizon sot 4 perla të industrisë sonë energjitike, të katërta rentabël dhe pasuri e jona strategjike. Kjo që po bëni sot nuk është as ekonomike, as patrioke, as e ndershme.

Teorikisht, arsyet e privatizimit janë disa: Së pari, shtimi i investimeve. Investimet nuk janë parë të shtohen me privatizimet e deritanishme. Në të kundërt, kompanitë e huaja po abandonojnë territorin shqiptar pasi kanë marrë, por nuk kanë dhënë.

Në rastin konkret nuk do të investohet e për pasojë nuk do të shtohet qoftë edhe 1KWh më shumë prodhim. Për të mos folur pastaj për megamonopolet, fenomen të cilin qeveria duhet ta kishte luftuar në shpërndarjen e energjisë dhe jo në prodhim, i cili sot është një treg i diversifikuar, gjithsesi.

PS nuk do të jetë kurrë kundër privatizimeve që çojnë në heqje të monopoleve në treg, që çojnë në investime në favor të ekonomisë shqiptare dhe buxhetit të saj, që çojnë në shtim të vendeve të punës dhe prodhimit për konsum të brendshëm dhe sidomos atij për eksport. Por ky privatizim nuk është ajo për të cilën kemi nevojë.

Le të kthehemi edhe një herë tek diskutimi i kontratave dhe procedurës së privatizimit. Ky Kuvend e ka bërë njëherë gabimin të votojë, i detyruar për turpin e tij, një kontratë me anekse të bardha, siç beri në rastin e privatizimit të OSSH-së. Do të ishte realisht i tepërt një rast i dytë.

Që në fakt është rasti që kemi në dorë: Ne, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë minimalisht duhet të ishim të informuar deri në detaje për gjithë këtë proces privatizimi.

Procesi nuk ka qenë transparent. Që nga momenti i parë i njoftimit për shitje, kriteret e privatizimit janë ndryshuar disa herë në mënyrë të qëllimshme, ndërkohë që asnjëherë nuk u publikuan pasqyrat financiare të 4 HEC-eve, në mënyrë që gjithkush (përfshirë edhe në të ashtuquajturve ligjvënës) të kishte mundësinë t’i shikonte dhe të gjykonte.

Pas dështimit të shitjes së HEC-eve në vjeshtën e vitit 2012, qeveria Berisha ndryshoi, edhe kriterin e investitorit strategjik, kriter i përcaktuar qartësisht në ligj: Ligji thotë: “Investitori duhet të jetë një kompani me reputacion rajonal dhe me aktivitet në tregun ndërkombëtar të energjisë”. Por kjo kërkesë ligjore u hoq me VKM duke i hapur rrugë çdo lloj investitori.

Në fillim, pritshmëria e qeverisë ishte për të përfituar nga privatizimi rreth 235 milionë euro, gjë që kuptohet nga shuma e garancisë së ofertës që qeveria kërkoi në hapat e parë të procesit të privatizimit. Sot kjo shifër ka zbritur në më pak se gjysmën.

Kompania turke që po blen 4 hidrocentrale në Shqipëri, po i blen ato 2 herë më lirë se sa çmimi në vendin e saj të origjinës dhe ka garancinë që ta shesë energjinë që do prodhojë më shtrenjtë se në Turqi.

Sektori i energjisë ka kohë që është në një krizë totale. 280 milion dollarë borxh i ka KESH-i bankave. 30-40 milion dollarë u ka KESH-i  borxh këtyre hidrocentraleve që kanë dalë nga menaxhimi i shtetit.

Këto 4 HEC-e japin 20 milionë dollarë fitime në vit. Më thoni, cila kontrate privatizimi do ta justifikonte shitjen sa për një thes me miell.

Kjo ka vetëm një emër. Quhet plaçkitje.

 

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm