Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetes Valentina Leskaj

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetes Valentina Leskaj

18 Oct 2012    

Natyrisht që diskutimi për buxhetin faktik bëhet në kushtet e një situate të vështirë ekonomike. Me një qeverisje serioze në raport me publikun, diskutimi i tij do ishte një mundësi për t’u kërkuar ndjesë qytetarëve shqiptarë për ato që nuk i ka bërë edhe pse i ka premtuar me bujë. Do ishte një mundësi për të dëgjuar e reflektuar mbi problemet që ka sot ekonomia e si mund të lehtësohet.



Por qeveria jonë nuk i ka këto skrupuj. Është e pavullnetshme dhe e paaftë për ta bërë këtë gjë. Në fakt si përherë, edhe sot ka ardhur, tu mbushë mendjen shqiptarëve se jetojnë në prosperitet ekonomik. Madje ditë më parë, kryeministri, u përpoq, t’u ofronte edhe Europianëve në Strasburg e gjetkë, eksperiencën e modelit të tij ekonomik, të rritjes së punësimit, të sukseseve në arsim, shëndetësi etj.



Ajo që rëndom këta bëjnë është të luajnë me shifrat. Po luajnë me rritjen ekonomike edhe pse institucionet ndërkombëtare FMN dhe BB, japin shifra të tjera (0.5 e 1%) larg atyre që pretendojnë këta. Po luajnë me shifrat e borxhit duke mos përmendur as borxhin rrënues ndaj kompanive për punë publike e duke mos menduar as për borxhet që qytetarët dhe bizneset u kanë bankave e as për borxhet që kanë qytetarët në listat e dyqaneve.
U thonë shqiptarëve se varfëria e papunësia ka rënë. E vërteta është ndryshe. Si është e mundur që bie varfëria e papunësia ndërkohë që rritet numri i familjeve në Ndihmë Ekonomike? Si është e mundur që ulet papunësia kur përditë falimentojnë biznese? Si mund të rritet punësimi në një model ekonomik që anon nga shtrëngimi jo nga vizioni zhvillimor. Dilni këtu te Partizani i Panjohur shihni sa janë rritur punëkërkuesit që dalin aty se kanë humbur çdo shpresë nga zyrat e punës.
 
Në fakt ky raport ju nxjerr zbuluar. Në vitin 2010 keni raportuar 93.500 familje në ndihmë ekonomike, raporti që kemi përpara jep 99.000 familje, për vitin 2011 ose 5.500 më shumë. Po të jetë e vërtetë dhe ajo që thoni se keni ulur informalitetin i bie të jenë rritur edhe më shumë familjet në nevojë. Si mund të ulet varfëria kur kostoja e jetesës është rritur. Si mund të ulet varfëria kur ajo që ju e quani rritje page është baras me inflacionin, kur çmimet e ushqimeve e kostot e shërbimeve janë dyfishuar.



Parlamenti Europian shprehu dje shqetësimin për varfërinë, për nivelin e lartë të papunësisë, për korrupsionin e përhapur që është një nga burimet e varfërisë, qeveria nuk është e shqetësuar. Është e kënaqur me shifrat dhe nuk e sheh varfërinë. Ata që na dëgjojnë, kanë gjykimin e tyre për varfërinë. Raporti që po diskutojmë thotë se synimet kryesore të buxhetit të vitit 2001 janë rritja e shpenzimeve publike në sektorët prioritarë arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, bujqësi.



E vërteta është se ju keni dështuar me sektorët prioritarë, me sektorë që prekin direkt cilësinë e jetës së njerëzve. Për fat të keq Shqipëria është vendi që ka prekur më shumë se çdo vend tjetër investimet në arsim e shëndetësi edhe pse pretendon se ka ekonomi suksesi. Shpenzimet për nxënës janë ndër më të ulëtit në rajon. Arsimi merr sot më pak se gjysmën e asaj që premtuat për 2009 – 2013. (2.8 % të PBB nga 7% ). Shëndetësinë e latë 2.19%, një tjetër prioritet i dështuar. Prapë të fundit në rajon.



Shqiptarët duhet të dinë se sot paguajmë më shumë për mbulimin e interesave të borxhit se sa për arsimin apo shëndetësinë. 88.3 lekë nga të ardhurat ditore të shqiptarëve, shkojnë për mbulimin e kostove të borxhit. Mbështetja për bujqësinë një tjetër sektor prioritar, ku jetojnë mbi 53% e popullsisë është vetëm 0.4%. Mbi 53 % të popullsisë e keni lënë në mëshirën e fatit. Nuk marrin dot më ushqime as me listë sepse dyqanet vet po falimentojnë.



Kryeministri në shkelje të hapur të ligjit, e për këtë duhet paditur, si çdo dhunues ligji, bëri ditët e fundit ture elektoral në shkolla. Përveç sharjeve ndaj opozitës u ka folur fëmijëve 6-vjeçar për sukseset e qeverisë. U tha se arsimi është prioritet i prioriteteve, se investimet në arsim janë dyfishuar, se pagat e mësuesve janë rritur e se Shqipëria po kalon nga internet në çdo shkollë në internet në çdo klasë etj. E vërteta është ndryshe.
 
Çfarë prioriteti është arsimi kur investimet shkojnë poshtë, kur shkollat janë kthyer në vende pune për militantë, kur librat e bibliotekat e shkollave shërbejnë për të pasuruar klientët e qeverisë, kur mësuesve ju mbahet pagesa e transportit. Edhe pse një pjesë e inaugurimeve në shkolla ishin inaugurime suvash e bojërash, besoj ky është rasti i vetëm në Europë ku Kryeministri inauguron suva e bojatisje të shkollave , e vërteta është se investimet kapitale në arsim i shkurtuat 50%. Dhe nga 50 përqindëshi është realizuar realizuar vetëm 74.4%. I keni sot më poshtë se mesatarja e shpenzimeve kapitale. Prej tre vitesh investimet e arsimit shkojnë poshtë. Janë sa gjysma e vitit 2009. Sot keni kurajën ta quani Arsimin Profesional histori suksesi. Berisha po thotë se e kemi dyfishuar, shifrat thonë tjetër gjë.



Po çfarë keni arritur me arsimi profesional, prej katër vitesh e raportoni 20% e premtuat 40 % po e lini 20. Edhe pse fondi i investimeve për arsimin profesional është shumë i vogël, ato janë realizuar vetëm 34.5%.  Nga tabelat e raportit rezulton se në 5 vite fondet e shpenzuara kanë rënë me 25 %. Në Arsimin e Lartë ja ka kaluar barrën studentëve duke rritur tarifat e studentëve dhe ulur buxhetin në tre vitet e fundit. Në fakt problemet me investimet në shkolla burojnë jo vetëm nga shkurtimet e buxhetit por edhe nga klientelizmi, nga korrupsioni i frikshëm i kësaj qeverisje. Shembull tipik janë tekstet shkollor dhe pajisjet e bibliotekave me libra, të dy janë tërësisht klienteliste, lidhjet shkojnë lart deri te këshilltarë të Kryeministrit. Me paratë e taksapaguesve shqiptarë blini librat e klientëve.



Dy fjalë për pagat e mësuesve me të cilat spekulohet çdo ditë. E vërteta është se mësuesve nuk u është përmirësuar cilësia e jetës që premtuat. Rritja e pagës së mësuesve zerohet nga disa faktorë: Sot mësuesi paguan taksë 10 herë më shumë se sa paguante në vitin 2005, e ndërkohë i është hequr paga e trembëdhjetë. Bukën dhe ushqimet i blen 2 herë më shtrenjtë se në vitin 2005, energjinë e ujin i paguan 2 herë më shtrenjtë, edhe shërbimet i ka më shtrenjtë, edhe taksën e televizorit dy herë më shtrenjtë. Madje dhe barrën e borxhit që i rëndon çdo shqiptari e ka dyfish më të rëndë se në vitin 2005.



Së fundi, përtej shifrave të buxhetit kjo fotografi flet më shumë se sa ç’do shifër. Është e vetmja? Jo.  Nga monitorimet që ne kemi bërë si deputetë të PS në Komisionin e Arsimit vetëm në Elbasan, Vlorë, Skrapar, Korçë janë mbi 70 shkolla të tilla. Jepuni përgjigje këtyre fëmijëve, mësuesve e prindërve që bëjnë mësim në këto kushte.
 
Natyrisht që atë që dështuat ta bënit në 8 vjet, nuk e bëni dot në 7 muaj që ju kanë mbetur. Të paktën kërkojuni falje.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm