Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetes Valentina Leskaj

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetes Valentina Leskaj

14 Sep 2013    
 

Të nderuar kolege!

 

Të nderuar kolegë!

 

Së pari, dëshiroj ta nis fjalën time në këtë legjislaturë të re me një falenderim e mirënjohje të thellë për të gjithë shqiptarët, që na votuan në 23 qershor.

Ne e lexojmë këtë votë, jo vetëm si besim e shpresë për të ardhmen e tyre e të gjithë vendit, po në radhë të parë si një përgjegjësi të shumicës së re, për të përmbushur pritshmëritë e larta, që ka publiku.

 

Sot diskutojmë një program që e kanë votuar 1 milionë shqiptarë, jo vetëm të majtë po edhe të djathtë.

 

E kanë votuar, me vetëdije të plotë si nevojë për ndryshim. E, padyshim, edhe si një përgjigje refuzuese ndaj mos përfaqësimit e shpërfilljes së interesave të qytetarëve nga pushteti.

 

E kanë votuar me bindjen se vendi ndodhet në një moment kritik sa i takon trajektores së zhvillimit ekonomik e social të tij dhe integrimit në BE.

Shqiptarët besuan te një program, që bën qartësisht diferencën, në mënyrën se si është ndërtuar me një qasje të hapur e përfshirëse, po edhe në çështjet që adreson.

E votuan jo si një përpjekje për të mbyllur gropat e zeza, po si një projekt serioz që hap një rrugë të re në zhvillimin e vendit, si një mundësi për një demokraci funksionale e shtet ligjor, si nevojë për një hapësirë lirie e të barazisë së mundësive, që ende nuk e kanë.

 

E votuan, si një nevojë për punësim e ulje të varfërisë, për demonopolozimin e tregjeve, për ndalimin e degradimit të arsimit, që siç konstaton BB, është bërë një kërcënim për ekonominë.

 

E mbështetën, si nevojë për të ndalur rrënimin e shëndetësisë, të mjedisit, të pronës private e të pasurive kombëtare, si nevojë për t’i prerë rrugën korrupsionit e pabarazive sociale.

 

E votuan, si një zgjidhje për fermerët, për pensionistët, për pronarët, për të përndjekurit, që nuk morën dot përgjigje për hallet e tyre, po edhe si mundësi për të t’i prerë rrugë krimit që rritej çdo ditë, duke e bërë gjithnjë e më të pasigurt jetën e qytetarëve.

 

Shqiptarët besuan në një projekt, që ofron një marrëdhënie tërësisht të re me biznesin larg trajtimeve klienteliste për shkak të ndarjes në tanët e të atyre.

Sjellja e dy muajve të fundit me pasuritë e këtij vendi nafta, energjia, Porti i Durrësit, bregdeti dhe gjithë pasuritë e tjera, janë prova pse e deshën pushtetin dhe pse ikën nga pushteti.

 

Kjo është ajo çka i keni lënë në dorë qeverisjes së re, një ngrehinë që rrjedh nga të gjitha anët.

 

Ish ministrat përmendën këtu një listë letrash e ligjesh që kanë prodhuar. Në fakt letra keni lënë plot po Shqipëria do zgjidhje

 

Të nderuar kolege!

Të nderuar kolegë!

 

Ne ofrojmë një marrëdhënie tërësisht të re në raport me qytetarët dhe të ardhmen e këtij vendi.

 

Thelbin e kontratës me votuesit e përbën besueshmëria në ofertën e re, të mishëruar në programin e PS, një ofertë që nuk konsiston thjesht në premtime po në një projekt serioz, që hap një rrugë të re në zhvillimin e vendit, e jep zgjidhje.

Garancia e ndryshimit që vendi ka nevojë, qëndron jo vetëm në cilësinë e programit të qeverisë, po në radhë të parë në vullnetin dhe përgjegjshmërinë për ta kthyer atë në realitet.

 

Ne do të përgjigjemi për të realizuar atë çka jemi angazhuar për punësim, arsimin, shëndetësinë, politikat sociale, çlirimin e pronës, administrimin e territorit që disave iu duket çudi pse po merremi kaq shumë. Në një vend, ku sipërfaqja e tokës për frymë të popullsisë është nga më të ulëtat dhe toka përdoret në mënyrë barbare, duhet të jetë patjetër një ndër përparësitë.

 

Lufta ndaj korrupsionit është sfida e madhe e qeverisë së re. Është përgjegjësia para qytetarëve, që ndjehen jo vetëm të zhveshur nga të drejtat dhe interesat e tyre po dhe të fyer e depersonalizuar në të drejtën e tyre.

Kthimi i shpresës dhe besimit te institucionet e shtetit është angazhimi i shumicës së re.

 

Ne kemi vendosmërinë për të përmbushur këtë angazhim përmes reformave të thella e të qëndrueshme.

 

E dimë që reformat e thella, nuk janë të lehta.

E dimë që kanë edhe një kosto pushteti, kosto të cilën ne jemi të gatshëm ta marrim përsipër.

 

Qeveria që iku dështoi, sepse nuk kapi thelbin ose me mirë nuk deshi të kapte thelbin e nevojës dëshpëruese, që kishte vendi për reformat ë qëndrueshme.

Të ashtuquajturat reforma u kthyen në antireformë.

Qeveria e re ka jo vetëm vullnetin, po edhe cilësitë e nevojshme për ta përballur këtë sfidë.

 

Ajo që sot na duhet është ftesa e sinqertë, për angazhim e mirëkuptim të gjithë shoqërisë për t’i realizuar ato qoftë edhe me kosto të momentit, po që në afatgjatë i hapin rrugë një zhvillimi të qëndrueshëm.

Ky Parlament ka shansin të bëhet vendi i një debati të ri, që i jep udhë reformizmit.

Demokracia funksionale, që më së pari vjen si nevojë e vendit, po edhe si kërkesë për integrimin në BE, nis këtu në parlament, me kthimin e tij në një tribunë, që vë në qendër të debatit interesat e publikut, jo historitë personale të politikanëve.

Ne jemi këtu vullnet plotë (vullnet i shprehur qartë nga Kryetari i Parlamentit e nga Kryeministri), për të hapur një faqe të re në funksionimin e parlamentit, që e kthen parlamentin në një institucion të hapur e përfshirës në procesin legjislativ, që prodhon cilësi e qëndrueshmëri në reforma.

 

Jemi vullnet plotë t’i japim fund kontrollit të ekzekutivit mbi parlamentin, e që kontrolli parlamentar mbi ekzekutivin të jetë funksional. Që parlamenti të mos drejtohet me telefon nga zyrat e qeverisë. Që vota e parlamentit të mos përdoret për nevojat e ditës të politikës, që kultura e komunikimit të jetë e denjë e që shkëmbimi i ideve të zëvendësojë baltën e gjuhën e urrejtjes.

 

Unë besoj fort, se parlamenti i ri do jetë hapësirë e një kulture të re komunikimi, që do t’i shërbejë debatit serioz mbi problemet e mëdha që ka vendi:

Për ekonominë; Për borxhin; Për energjinë; Për punësimin e varfërinë; Për ujin; Për pronat; Për shkollën; Për drejtësinë e munguar debat nga i cili nuk përfiton mazhoranca po në radhë të parë publiku.

Ne jemi këtu për të garantuar një standard të ri komunikimi, që respekton opozitën, që i jep fund praktikës primitive të ndarjes në tanët dhe të atyre, praktikë që nis këtu e zbret në gjithë piramidën e shoqërisë deri te nxënësit e shkollave ku ish kryeministri u bënte thirrje nxënësve kundër opozitës.

Ne jemi besimplotë se parlamentit do t’i kthehet transparenca e nevojshme, që kthen besimin e publikut te institucionet.

 

Në fakt, do ishte në nderin e kësaj opozite ta respektonte programin, që e kanë votuar 1 milion shqiptarë, jo vetëm të majtë po edhe të djathtë.

Kjo opozitë ka shansin të bëhet pjesë e zgjidhjes, të mos mbetet pjesë e problemit siç e ka pozicionuar veten.

Duhet ta bëjë për hir të interesave të vendit, po edhe të vetes së saj si forcë politike.

Sjellja e opozitës, kur gjatë fjalës së Kryeministrit Rama, ndoqi jo arsyen po frikën, që ka lënë ende pas hija e një lideri autoritarist, të jep pak shpresë.

Gjithsesi, unë besoj se sjellja e mazhorancës së re i jep opozitës, të gjitha hapësirat për të luajtur rolin e saj e daljen nga kultura e konfliktit.

Ajo që mund të them se fundmi është se me votën tonë pro, ne nuk votojmë thjesht ndërrimin e qeverisë, po i japim udhë projektit të Shqipërisë Europiane, të cilin e kanë besuar e votuar në masë shqiptarët.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm