Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetes Vasilika Hysi

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetes Vasilika Hysi

15 Nov 2012    

Kolegë dhe kolege deputetë!



Disa kohë më parë, një zonjë e nderuar, me thinja në kokë, më shumë nga hallet sesa nga mosha, me lot në sy më kërkoi ta dëgjoja dhe mundësisht ta ndihmoja në zgjidhjen e kalvarit të gjatë të vuajtjeve së saj. Prej më shumë se 35 vjet, ajo kalon jetën e saj brenda mureve të shtëpisë, duke u kujdesur për djalin e saj të paralizuar, që në fëmijëri. Ajo ishte e shqetësuar dhe e frikësuar se komisioni e KEMPIT mund t’i ulte kategorinë e sëmundjes dhe pagesën që ligji i ofronte për fëmijën dhe kujdesin ndaj tij.



Duhen para -më tha, duhet të njohësh mjekët, duhet të sjellë fëmijën para komisionit, por unë nuk kam as lek dhe asnjë mundësi për të marrë borxh. Dhe vazhdoi: Edhe sikur të kisha lek nuk e bëja dot, se jemi të ndershëm. Edhe tek ju po vij me zor të madh.


E ndërsa përpiqesha ta sqaroja se ka mjekë të ndershëm, profesionist, që do të vlerësonin rastin e saj me objektivitet, ajo vazhdonte të më sqaronte se i kishin kërkuar të sillte fëmijën para komisioni dhe se ishte sorollatur disa herë!!!!



Kolegë dhe kolege!



Ky fëmijë nuk është ngritur nga shtati për më shumë se 30 vjet dhe se fëmija- burrë tashmë nuk mund të qëndrojë as në karrocë, për të mos folur që fëmija duhej të zbriste nga kati i 6 i një ndërtesë që në të shumtën e rasteve nuk ka drita, nuk ka ashensor, paçka se kjo familje si shume familje të tjera në Tiranë i paguan CEZ çdo qindarkë të energjisë që shpenzon, përpos faktit se ka qytetarë që ende nuk kuptojnë dhe nuk respektojnë rregullat e bashkëjetesës në komunitet dhe se ka nuk ka shërbime sociale që të ofrojnë kujdes për këta persona.



Si ky rast ka edhe shumë të tjerë, persona, madje edhe fëmijë, vajza dhe gra, që nuk shikojnë dhe dëgjojnë, persona tetraplegjikë dhe paraplegjikë që nuk mund të lëvizin, persona me paaftësi fizike dhe mendore, persona që për shkak të aksidenteve në punë ose në jetë kanë humbur një pjesë të aftësisë së tyre. Të gjithë kanë nevojë që zëri i tyre të dëgjohet në këtë sallë të Kuvendit. Por ata, jo vetëm që nuk janë dëgjuar, por janë injoruar, fyer, shtyrë, rrahur kur kanë guxuar të ngrenë zërin para dyerve të Kryeministrisë dhe të Kuvendit.
Në këtë sallë kemi dëgjuar për strategji dhe arritje të mëdha në mbështetje të  personave me aftësi të kufizuar; për  humanizmin dhe progresin në mbrojtje të tyre. E ndërsa konventa e viti 2006 për personat me aftësi të kufizuar priste disa kohë të paraqitej në Kuvend për miratim, ligjet që rregullonin të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, ndonëse me mangësi, në vend që të përmirësoheshin, u shkelmuan, duke i hequr atë pak humanizëm dhe mbështetje që ofronin.



Si në çdo fushë tjetër, ky Kuvend, me votat vetëm të mazhorancës ndërmori disa hapa prapa duke shkelur jo vetëm të drejtat që kjo konventa parashikon për personat me aftësi të kufizuar, por edhe ato pak të drejta që ligjet parashikonin.



Ne dhe qytetarët shqiptarë, vetë personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët e tyre u bënë dëshmitarë, sesi ju kolege të mazhorancës me votat tuaja i hoqët personave me aftësi të kufizuar, kompensimin e energjisë, të shërbimit urban, të ujit, disa të drejta jetike dhe minimale të parashikuara me ligj.



Buxheti në mbështetje të grupeve ne nevojë në dukje në rritje, në fakt ka ardhur duke u ulur dhe është i pamjaftueshëm për këta persona. Thatë se do të rregulloni pagesat për këta persona me vendim të Këshillit të Ministrave, por sot pas disa muajsh shumë prej këtyre kategorive nuk i kanë marrë ende pagesat e nevojshme dhe se pagesat e tyre i reduktuat.



Ju nuk jeni të aftë të zbatoni ligji dhe të kontrolloni zbatimin e tij dhe me një të ngritur të kartonit i hoqët personave me aftësi të kufizuar, atyre që gëzojnë një status të tillë kompensimet për shërbime jetike. Por sa persona të tjerë, me aftësi të kufizuar nuk përfitojnë statusin e tillë?



Thoni se shërbimi shëndetësor në Shqipëri është shumë i mirë dhe i krahasueshëm me atë të vendeve të zhvilluara. Për kë shërbim e keni fjalët dhe ndaj kujt persona afrohet ky shërbim model? Për shërbimet që merrni ju dhe familjarët tuaj apo për shërbimet që vetë familjarët i ofrojmë personave me aftësi të kufizuar!?



Qendrat ditore të përkujdesit social në komunitetit në shumë komuna dhe bashki mungojnë dhe ato pak që gjendet aty këtu në bashkitë e madha përballen me mungesën e kushteve dhe programeve rehabilituese, me mungesë të fondeve, madje kërkojnë edhe pagesa, ndërkohë kujdestarët e këtyre fëmijëve janë të papunë dhe përballen me egërsinë e çmimeve dhe taksave të rritura, të vjedhjeve të CEZ dhe ujësjellsave dhe të barnave të shtrenjta, por shpesh pa vlerë kurative.



Bashkitë dhe komunat nuk kanë mundësi financiare të ngrenë dhe të mbajnë në funksionin qendrat ditore për këta persona. Me akte normative të Qeverisë, të ardhurat e pushtetit vendor u gllabëruan, për të plotësuar nevojat e buxhetit, të krijuara nga keqmenxhimi dhe abuzimi me fondet publike dhe ata fonde të pakushtëzuara që ishin të detyruara ti transferoheshin pushtetit vendor për shërbime sociale, qeveria i transferoi në xhepat e CEZ.



Institucionet publike dhe private nuk respektojnë të drejtën e punësimit të një personi me aftësi të kufizuar, kërkesën që, në çdo 25 punonjës një të jetë person me aftësi të kufizuar, ndërkohë që organet kontrolluese shtetërore nuk marrin masa për zbatimin e tyre. Kjo mazhorancë, vendet e punës i ka ndarë si gjënë e saj në tregun e gjësë së gjallë dhe kriteret e zbatuara nuk janë ligjore, por produkt i pazareve politike.



Sot ne do të ratifikojmë konventën për personat me aftësi të kufizuar. Unë do ta votoj këtë ligj, pasi mendoj se është një hap i mirë në plotësimin e legjislacionit në mbrojtje të personave me aftësi të kufizuar. Por, personat me aftësi të kufizuar nuk kanë nevojë për ligje në letër, por për të gëzuar realisht të drejtat  e tyre.



Personat me aftësi të kufizuar kanë nevojë për ofrimin e mundësive të barabarta në arsim dhe punësim.



Ata kanë nevojë për tu mos u diskriminuar;



Ata, prindërit dhe të afërmit e tyre kanë nevojë për të gjithë ne.



Ata kanë nevojë për një qasje krejt të re përsa i takon aftësisë së kufizuar. Asnjë reformë për aftësinë e kufizuar nuk mund të fillojë nëse nuk paraprihet nga reforma në sistemin e vlerësimit të aftësisë së kufizuar, që kërkon struktura të reja vlerësuese (një komision multi disiplinar) dhe kritere të reja të vlerësimit të të gjitha llojeve të aftësisë së kufizuar. Aftësia e kufizuar nuk mund të vlerësohet vetëm nga një ekip mjekësh. Ata kanë nevojë për kujdes shëndetësor, social, psikologjik.



Ata kanë nevojë për mundësi për shërbime, pavarësisht nëse janë grupe që u njihet paaftësia apo jo sipas ligjit në fuqi.



Personat me aftësi të kufizuar kanë nevojë për ligje që shoqërohen me faturë financiare, për reduktime në taksa, lehtësi në arsimin dhe strehim, kujdes shëndetësor, rehabilitim dhe përkujdesje sociale, mjete ndihmëse. Që kjo konventë të mos mbetet një letër që do të tundet para syve të përfaqësuesve ndërkombëtarë sa herë që flitet për integrimin, në tryeza dhe konferenca shkencore dhe shtypi, ne duhet t’i krijojnë të gjitha mundësitë ligjore dhe financiere që Konventa të njihet nga të gjithë institucionet dhe të mbështetet financiarisht për tu zbatuar. Kjo qeveri tregoi se nuk ishte e aftë ta bënte këtë. Ajo ishte e aftë që ligjet e miratuara me votat e saj të merret rrëmbente pasuritë publike dhe ti përqendronte në duart e pak njerëzve të saj dhe klientëve të saj.
Ne socialistët si parti e shtresave në nevojë ofrojnë një Rilindje Shqiptare, mes ripërtëritjes së shoqërisë duke luftuar diskriminim e shumëfishtë të këtyre personave përmes:



Llogaritjes së minimumit jetik dhe nxjerrjen e familjeve nga skema e varfërisë dhe duke e matur punën tonë me rritjen e lëmoshës për familjet e varfra;



Paaftësia e personave nuk do të matet vetëm me tregues mjekësorë, por edhe me tregues socialë;
Ne do të reformojmë sistemin e sigurimeve shëndetësore dhe do të mbështesin çdo familje me shërbimet e nevojshme për pjesëtarët e tyre;



Ne do të ofrojmë mundësi të barabarta punësimi dhe pagesë për personat me aftësi të kufizuar.
Ne do të heqim taksën 10% mbi shërbimin shëndetësor dhe ilaçet;



Kujdesi ndaj personave me aftësi të kufizuar nuk do të jetë mëshirë, por solidaritet dhe respekt, kulturë shoqërore dhe mbështetje sociale.



Ata ofrojmë shumë mundësi dhe kanë nevojë për respektin dhe mbështetjen tonë!


Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm